Basha nga Zall Bastari: Do të ulim çmimin e naftës për fermerët. Fund braktisjes së banorëve në fshat

0
130

Fermerët shqiptarë vuajnë prej 7 vitesh tashmë prej braktisjes së qeverisë, kostove të rritura dhe mungesën e infrastrukturës. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në Zall Bastar, një zonë me rreth 5000 banorë ku pjesa më e madhe e tyre merren me bujqësi.
Problematikat e fermerëve të zonës ishin të shumta. Një pjese e mirë e tyre iu ankuan zotit Basha se qeveria nuk kishte bërë asgjë për të siguruar infrastrukturën rrugore.
“Ka 30 vjet ne këtu që vuajmë për një urë këtu edhe s’na e ka bërë asnjeri deri më sot. Janë 300 e ca familje, 400 familje këtej sI bënë njëri”, – ankohen banorët e një prej lagjeve kryesore të Zall Bastarit të cilët vetëm kalimin përmes lumit kanë si rrugë të vetme për të nxjerrë prodhimet në treg por edhe kur kanë nevoja shëndetësore.
Problematika e ngjashme është edhe për banorët e fshatit Vilëz të cilët urën e kanë por në urë nuk kalojnë dot.
“Ka 7 vite që Edi Rama premtoi rrugën për fshatin, dhe deri më tani asgjë nuk është bërë”- u shpreh një fshatar i zonës, i cili e kishte thuajse të pamundur transportin e produkteve të tij për shkak të rrugës së degraduar dhe jashtë standardeve.
Banorët e fshatit Vilëz, në mungesë të rrugës që e lidh këtë zonë me qendrën e Zall Bastarit Basha i kanë dalë para në urën që supozohet që e lidh këtë fshat me pjesën tjetër të Njësisë Administrative. Ata prej 7 vitesh janë mashtruar me urën e cila edhe pse është ndërtuar nuk është funksionale.
“Tre herë është përuruar kjo urë, por ndërkohë makinat janë sërish në lumë”, – thotë një prej banorëve të Vilëzës.
Ura nuk është funksionale pasi pjesa që e lidhe këtë urë me rrugën është sërish në lumë pasi nuk është bërë investim për të ndërtuar një trase anës së lumit që të lidhet me urën.
Ndërsa një tjetër banor thotë se: “Në 2013 Edi Rama erdhi këtu e premtoi urën, rrugë dhe asfalt, por zero. asnjë kamion me zhavorr nuk ka hedhur”
Fermerët që kultivojnë një nga varietetet më të njohura të domates në këtë zonë thonë se problemi kryesor i tyre është kostoja që ka vajtja në treg.
“Prodhimet i çojmë në fund të Tiranës dhe transporti në mungesë të rrugës ka kosto”, thotë një nga fermerët.
Ndërsa një tjetër banor që gjithashtu merret me kultivimin e domates së njohur të Zall Bastarit thotë se kostoja e punimit të tokës është shumë e madhe.
“Plugimi është shumë i shtrenjtë. Naftë me akcizë zetoristi nuk i jep, helmet janë të pasigurta. Edhe fara nuk dihet si do të dali. Vjet ka dalë për ibret.”, thotë ai ndërsa tregon se puna me tokën u shërben sa për të jetuar.
“Një ditë po e një ditë jo e nxjerr qumështin në Tiranë, me furgona ose marr taksi se në këmbë është 1 orë e gjysëm larg”, rrëfeu një prej blegtorëve të zonës.
“Fshati është në ditë të zezë. Ka njerëz që, për Zotin, hanë një vaktë bukë në ditë. Populli është në ditë të zezë. Këtu nuk pyet askush. Me ardhë në Mal Vilës që jam unë, është si me shku në Siberi. S’ka as rrugë. Dritat vijnë një herë, tani vijnë, tani ikin, janë telat e 68-ës”, tregon një prej banorëve të këtij fshati që gjithashtu është dëmtuar edhe nga tërmeti dhe jeton me rrezikun e shembjes së banesës së tij.
Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se qeverisja e PD do të fokusohet te fermerët dhe nevojat e tyre. Nën qeverisjen e Partisë Demokratike do të akordohen 50 milionë euro për ndërtimin apo rindërtimin e infrastrukturës rrugore.
Partia Demokratike do të mundësojë 100 milionë euro subvencione në vit për fermerët shqiptarë, që prodhimi i tyre të rritet dhe fitimet të garantojnë mirëqënie dhe zhvillim. Taksa e naftës do të ulet dhe kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin e naftës, duke e ulur atë dhe duke i bërë më të përballueshme kostot e prodhimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here