Bejko: Demokracia në rrezik, ti japim dorën njëri-tjetrit për të qenë fitues në 25 prill

0
198

Nga Roland Bejko

Qysh dje, kur kryetari i PDSH z.Lulzim Basha përcaktoi si drejtues politik të Qarkut Gjirokastër prof.dr.Tritan Shehu, kanë qenë të shumta telefonatat dhe sms që më kanë ardhur në adresën time nga demokratë, dashamirës, mbështetës, miq dhe të afërm për të mësuar diçka më shumë për këtë fakt.
Me këtë rast, unë dua të siguroj sot të gjithë të interesuarit, se kushdo nga ne që ishin në listën finale mbi tryezën e punës së Kryetarit të PDSH , me plus minuset, avantazhet dhe disavantazhet e veta, ishin kandidatura potenciale për të kryesuar listën denjësisht si drejtues qarku në Gjirokastër, me reputacion pozitiv, kontribute dhe eksperiencë të spikatur profesionale e me vlera të larta qytetare.
Askush nga ne nuk është i përsosur. Askush nga ne nuk i kënaq dot të gjitha gustot. Edhe vet Mesia nuk i bindi dot të gjithë njerëzit që ta ndiqnin pas. Madie, një pjesë e mirë e qëlluan dhe me gurë që në rastin më të parë, sidomos ata që vinin nga aty ku ai u kishte bërë edhe ndonjë nder…
Në këto kushte, unë jam i bindur se demokratët e Gjirokastrës e kanë mençurinë dhe urtësinë e duhur për të kapërcyer vetveten, dhe për ta kuptuar se luftën politike nuk e kemi me njëri – tjetrin, por me kundërshtarin tonë, Edi Ramën, dhe shpurën e tij që e ndjek pas verbërisht në rënimin e shtetit, ekonomisë, dhe dinjitetit njerëzor.
Ndaj, ne të gjithë, në këtë situatë delikate për fatet e mëtejshme të çdo individi, demokracisë, vendit dhe shoqërisë shqiptare e përfaqësuar keqas nga një qeveri antiperëndimore, lipset ti japim dorën njëri-tjetrit për të ndërtuar urat e bashkëpunimit në ekipin tonë të përbashkët për të qenë fitues më 25 prill.
Unë mendoj, se ne duhet të ftojmë të bëhet pjesë e aleancës opozitare çdo qytetar të Qarkut tonë, që shpreson që të ketë nesër një punë, një rrogë më të lartë, një biznes për vete, një shërbim shëndetësor cilësor, një arsimim dinjitoz, një drejtësi të pavarur, respekt në ofrimin e shërbimeve, rend dhe siguri, paqe dhe cilësi më të mirë jetese, pa qeveritarë që i vjedhin, pa krim dhe korrupsion etj, pavarësisht bindjeve dhe historikut të votimeve në të shkuarën e tij.
Vetëm një aleancë e madhe qytetare, ku të bashkohen të gjitha rëketë, dhe përenjtë e pakënaqësisë popullore, do të bëhet i mundur rrjedha e një lumi malor, furia e të cilit do ta vërë përpara çdo tentativë për të blerë, vjedhur e manipuluar rezultatin zgjedhor nga falangat e krimit të veshur me pushtet.

Unë vetë, do të jem aty, përkrah demokratëve, qytetarëve, opozitarëve dhe gjithë atyre që duan ndryshimin, për të mbështetur fuqishëm fitoren e Opozitës së Bashkuar dhe programit të saj më 25 Prill duke i dhënë besimin Lulzim Bashës dhe ekipit të tij, me të cilin është e sigurt se @Shqipëria Fiton.

Post scriptum:
Së fundi, u shpreh falenderimet dhe mirënjohjen time më të thellë të gjithë atyre demokratëve, miqve të shumtë, të afërmve të mi dhe veçanërisht familjes time që më kanë mbështetur dhe më kanë inkurajuar gjithmonë në angazhimin tim politik duke besuar pa rreshtur tek unë. Gjithashtu, shpreh sinqerisht mirënjohjen më të thellë edhe për të gjithë ata të paktët që e kanë kontestuar, penguar, a dëmtuar angazhimin tim politik. Kjo, se falë tyre, marr gjithmonë energji të reja për t’ia nisur nga e para, pasi sa më shumë i njoh ata, aq më mirë ridimensionohem në raport me sfidat e reja që janë bashkëudhëtare të jetës dhe angazhimeve tona kudo e kurdoherë…E kam këtë huq dreqi e morri, më ka mbetur që nga fëmijëria kur luaja futboll. S’para rrëzohesha, por dhe kur më rrëzonin, çohesha dhe vrapoja më fort e më shpejtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here