Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, është karakterizuar nga një frymë e lartë debati mes këshilltarëve të opozitës dhe aparatit të Bashkisë.

Shkak ka qenë krijimi i shoqërisë aksionere KF Luftëtari që sipas opozitës, po ndërmerret në kushte tërësisht abuzive dhe jo transparente. Në relacionin e paraqitur nga Bashkia e Gjirokastrës, vlerësohet se kjo bashki, do të jetë aksionere në masën 25% të KF Luftëtari me një vlerë financiare aksionesh mbi 3 milionë lek. Ndërsa pjesa e ngelur e aksioneve, është vlerësuar në masën 13 milionë lekëve shumë kjo e barabartë me asetet që do t’i transferohen aksionerit më të madh, që në këtë rast, është Grigor Tavo vëllai i deputetit të LSI Vangjel Tavo, i cili nga xhepi nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë për krijimin e kësaj shoqërie aksionere. Ndërsa Bashkia e Gjirokastrës si aksionere e vogël, mban në pronësi emrin “Luftëtari”, dhe asetet inventeriale. Kjo ka mjaftuar që Këshilli Bashkiak, të përfshihet nga një debat i madh mes këshilltarëve të djathtë dhe atyre të LSI. Kryekëshilltari demokrat Roland Bejko, spegoi para të pranishmëve, se ajo që ishte paralajmëruar qysh në zgjedhjet e vjetshme lokale për uzurpim të gjithckaje nga Tavo, tashmë u bë realitet. Sot pasuritë e Gjirokastrës po kalojnë në duart e Tavove. Nuk është vetëm KF Luftëtari. Asetet e gjirokastritëve dhe bashkisë po i kalojnë familjes Tavo. Kështu i kaloi fusha e Valaresë dhe Dropullit, kështu bleu dhe mediat dhe gjithë pushtetet. Po bëhet me një risk të madh prezenca dhe menaxhimi që i bën LSI marrjes së pushtetit në Gjirokastër- u shpreh Bejko. Sipas Bejkos, emri i Luftëtarit, nuk mund të vlerësohet kaq pak pasi vlen shumë dhe ky është injorim i sakrificave të brezave në gjithë vitet që kanë kontribuar për të. Zoti Bejko, ka kërkuar transparencë për mënyrën sesi është vepruar në përzgjedhjen e Tavove në kapjen e Luftëtarit pasi nuk është bërë asnjë njoftim publik sic e përcakton ligji për të publikuar ofertën e dhënies së 75% të aksioneve. Nëse do të kishte një njoftim publik, atëherë mund të ishin afruar kompani apo biznesmenë të tjerë që dëshironin të afroheshin tek Luftëtari, por kjo nuk është bërë pasi edhe këtë aset me vlerë që kishte Gjirokastra, e rrëmbeu Tavo dhe LSI për t’a përdorur për qëllime elektorale dhe politike vitin e ardhshëm-ka thënë Bejko.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here