Berisha:“Minishengeni synon dominimin e rajonit nga Serbia”/Ja arsyeja përse nuk u ftua Kosova..

Ish kryeministri i vendit, Sali Berisha ka komentuar projektin e Minishengenit, të cilit po i prinë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri, Edi Rama.
Berisha duke folur për këtë projekt, tha se Vuçiç me qëllim nuk e ftoi Kosovën në Nish dhe kjo ndodhi sepse ata donin ta paraqitnin Kosovën si pjesë të Serbisë.
“Përsa i përket mospjesëmarrjes së Kosovës në këtë, projekt mendoj se ka dy anë: E para Vuçiç me qëllim nuk ftoi Kosovën në Nish. Në Nish, Traktatin e firmosi vetëm Vuçiçi dhe Zografi bis. Kosova nuk u ftua në Nish pasi Vuçiç me aprovimin e plotë të Edvinit me këtë akt e konsideroi atë pjesë të Serbisë. Për këtë çështje ka hedhur dritë zëvendësministri i mbrojtjes së Serbisë në një takim në Bukuresht. Sipas burimeve të oficereve të shtabit të përgjithshëm të Shqipërisë, ‘Kosova në Nish nuk u ftua’,- do t’i thoshte në takimin e SEDM-It në Bukuresht, zëvendësi i Vulin, zëvendësministrit të mbrojtjes së Shqipërisë Petro Koçi me dakordësinë e plotë të Vuçiç me Edvin Kristaq Zografin”.
Ai tha se Kosova u ftua në Ohër për shkak të reagimeve dhe dyshime të forta ndërkombëtare. Berisha theksoi se ky projekt do të thotë Jugosllavi e re.
“Së dyti, mungesa e Kosovës në Nish ngjalli reagime dhe dyshime të forta ndërkombëtare. Prandaj Vuçiç për të maskuar sadopak këtë qëndrim të tij albanofob u detyrua ta ftojë Kosovën në Ohër. Por natyrisht Kosova e përjashtuar me qëllim ogurzi nga Vuçiç dhe Rama në Nish nuk kishte pse t’i bashkohej valles së tyre të Jugosllavisë së Re, projekti i të cilës ka si qëllim dominimin e rajonit nga Serbia, zhvlerësimin e faktorit shqiptarë, i cili de facto është dhe faktori më i fuqishëm i tij, defaktorizimin dhe izolimin e Kosovës dhe rolit të saj kyç në rajon”, tha ish-kryeministri Berisha.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment