‘Besnik i PS’ arrestohet nga SPAK ish drejtori i RTSH-së

SPAK arreston ish drejtorin e RTSH Thoma Gëllçi. Me ardhjen në pushtet të socialistëve, Gëllçi shërbeu si zëdhënës dhe drejtues i zyrës së informacionit të kryeministrave socialistë: i Fatos Nanos më 1997-1998, i Metës më 1999-2002 dhe sërish i Nanos më 2002 deri më 2005.


Pas largimit nga pushteti, në vitin 2005 të PS-së, Gëllçi emigroi në SHBA, nga ku u kthye në vitin 2016, për të kandiduar për pozicionin e drejtuesit të RTSH-së.

Arrestimi
Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit Ofertave janë arrestuar mbrëmjen e sotme me urdhër të SPAK-ut pas një hetimi të nisur në 2020 për një tender të zhvilluar në vitin 2018 për një fond me vlerë mbi 86 milionë lekë të reja për blerjen e pajisjeve për kanalin e “RTSH Agro”.

Tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave që u arrestuan janë; Alban Malaveci, Julian Tapia dhe Ervin Muraj.

Thoma Gëllçi më 21 maj u shkarkua nga detyra e drejtorit të RTSH-së të cilën e mori më 6 maj 2016.

Thoma Gëllçi ka punuar fillimisht si gazetar në Revistën humoristike “Hosteni” dhe më pas në gazetën “Zëri i Populli”, të cilën e drejtoi për disa vjet si kryeredaktor.

Ai është themelues i gazetës “24 orë”.

Thoma Gëllçi akuzohet për shpërdorim detyre në këtë tender, ndërsa anëtarët e vlerësimit të ofertave për shkelje të barazisë në tendra.

Pasi është njohur me kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme e ka pranuar duke firmosur urdhrin për arrestimet që janë ekzekutuar nga policia e Tiranës.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment