Biznesi shqiptar ” garanton” faliment në tregun rajonal.

0
136

Nga Alma Lahe

Projekti rajonal INNOVENTER
Mbështetje për rritjen e konkurueshmërisë së sipërmarrjeve në tregun vendas dhe rajonal
Shqipëria vazhdon të përballet me sfidën e rritjes së ngadaltë ekonomike, konkurrueshmërinë e ulët dhe nivelit të ulët i sipërmarrjes. Faktorët lidhen jo vetëm me situatën ekonomike globale, por edhe me politikat e brendshme ekonomike dhe fiskale. Një faktor po aq ndikues në këtë gjendje është edhe mungesa e një lidershipi sipërmarrës të përgatitur për t’u përballur me sfidat me të cilat përballet sipërmarrja në tregun e vogël vendas dhe më gjerë, atë rajonal.
Një debat që po gëlon kohët e fundit në qarqet politike dhe ato financiare të vendit është ai rreth inisiativës së disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë, për krijimin e të ashtuquajturit minishengenit ballkanik dhe nëse Shqipëria do të fitojë apo humb në terma politikë dhe ekonomikë nga venia në jetë e këtij projekti. Dilema e madhe është: Sa kompetitive është ekonomia shqiptare për të përfituar nga një treg i përbashkët ballkanik? Dhe frikërat e specialistëve radhiten në formën e pyetjeve: A janë në gjendje bizneset shqiptare, ende të brishta dhe me probleme të shumëfishta, të jenë konkuruese në një treg të hapur? Një inisiativë e tillë do ta tkurrë edhe më ekonominë vendase, apo do t’i japë asaj frymëmarrje dhe mundësi të zgjeohet dhe forcohet? Debati vazhdon dhe askush nuk merr përsipër të deklarojë se e ka formulën magjike…
Shqetësimi dhe pikëpyetjet rreth kapaciteteve konkuruese të ekonomisë shqiptare dhe vetë bizneseve për të konkuruar dhe mbijetuar në një treg më të madh rajonal do të vazhdojnë të na shqetësojnë për një kohë të gjatë. Është fakt tashmë, që përveç problemeve që lidhen me politikat e brendshme fiskale të paqendrueshme dhe shpesh jofavorizuese, bizneset vuajnë për mungesë të stafit të kualifikuar në mënyrë të veçantë në nivelet më të larta të drejtimit dhe menaxhimit.
Tregu, ekonomia, teknologjia po njeh ritme shumë të shpejta zhvillimi vitet e fundit dhe shumë sipërmarrje hasin vështirësi në kapjen e këtij ritmi. Shpesh sipërmarrjet, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, kanë në krye drejtues të painformuar dhe të paformuar mbi të rejat më të fundit të organizimit dhe menaxhimit të ndërmarrjes për ta bërë atë sa më konkurente në treg. Në konceptin e sipërmarrësit shqiptar ende mbizotëron mendimi se problem më i madh janë punonjësit e pakualifikuar dhe pothuaj askush nuk i drejton sytë dhe gishtin nga vetja apo stafi menaxherial dhe niveli i ulët i tyre në kapacitete dhe kualifikime. Për fat të keq, në Shqipëri mbizotëron klasa e sipërmarrësve të cilët përballen me problemet dhe sfidat, duke u udhëhequr më shumë nga intuita dhe fati, sesa nga aftësitë dhe kompetencat e maturuara.
‘Peshku qelbet nga koka’, ashtu sikurse edhe suksesi i një ndërmarrjeje sigurohet nga ‘koka’ – drejtuesi profesionist dhe mendjehapur.
Nevoja për rritjen e kapaciteteve konkuruese të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe sipërmarrjeve sociale, dy vjet më parë bëri bashkë pesë vende të Rajonit: Shqipërinë, Bullgarinë, Maqedoninë, Greqinë dhe Qipron, që në kuadër të projektit INNOVENTER – Trajnim Profesional për Sipërmarrësit Socialë, mbështetur nga Programi INTERREG–Balkan Mediterranean i BE, krijuan dhe pilotuan një pakete inovative trajnimi për sipërmarrësit.
Projekti 2-vjeçar (shtator 2017- dhjetor 2019) u fokusua në nxitjen e kompanive për menaxhim më të hapur dhe më të përgjegjshëm. Paketa e trajnimit është e përputhur me legjislacionin evropian në fushën e formimit profesional dhe nga ekspertët është vlerësuar e standarteve të larta dhe bashkëkohore.
Implementues i projektit në Shqipëri ka qenë Qendra ACA – Asistencë për Komunitetitn Shqipëri, e cila e pilotoi paketën e trajnimit në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, duke përgatitur trajnerët e parë vendorë që do ta ofrojnë paketën në të ardhmen në qendrat publike të formimit profesional si dhe në kurse të veçanta të universiteteve për studentët e degëve ekonomike.
Duke vlerësuar rëndësinë që ka mbështetja e sipërmarrësve për rritjen e kapaciteteve konukurese të sipërmarrjeve të tyre si faktor zhvillimi për secilin vend partner ne projekt, tashmë po punohet për një fazë të dytë që do të ketë në fokus shtrirjen gjeografike në vendet implementuese dhe përgatitjen e sipërmarrësve të rinj me profil social, për të mbështetur kauzat që i japin hop jo vetëm zhvillimit ekonomik, por edhe social të rajoneve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here