Burgu i Spacit, si Vend i Kujteses Totalitare ne Shqiperi

0
728

cakalli

Nga Panajot Cakalli

Ky artikull është një punim i lexuar në             Konferencën Ndërkombëtare: “Ballafaqimi me të shkuarën përmes kurrikulës” si pjesë e ciklit të aktiviteteve“Ditët e Kujtesës” të zhvilluara nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë

Kur flasim, ose kur diskutojmë për Spaçin, sikurse thotë dhe Mark Ndue Gjoni, e para gjë që na vjen në mendje është burgu i tij i famshëm. Ky është një realitet lehtësisht i kapshëm në diskurset sociale apo edhe mediatike, nga të cilat sidomos këto të fundit i kanë rritur famën këtij burgu të dikurshëm të regjimit hoxhist.

Burgu i Spaçit, sikurse tregojnë dhe ish të burgosurit politikë, u krijua nga fundi i viteve ’70 të shek.XX nga diktatura komuniste në Shqipëri, pikërisht në kohën e ashpërsimit të mëtejshëm të luftës së klasave në vendin tonë. Gjatë regjimit të para viteve 90, sipas planifikuesit urban Miriam Bllaci, kanë ekzistuar 23 burgje dhe 44 kampe pune. Gjithsesi rasti i Spaçit është pak i veçantë për disa arsye.

Së pari, sepse Spaçi ishte njëkohësisht edhe burg edhe kamp pune.

Së dyti, Burg-Kampi i Spaçit duhet dalluar nga burgjet e zakonshëm, sepse shumica e të dënuarve ishin të burgosur politikë. Sikundër tregon dhe A.Hakiçllari, nga fundi i viteve ’90 regjimi nisi t’i zhvendosë të burgosurit politikë në vende të tjera, dhe t’i përziejë ata me të burgosur ordinerë, kjo dhe për të shprehur atë që në Shqipëri nuk ka të burgosur politik.

Së treti, nga pikëpamja e veprës penale të “kryer” , të burgosurit e Spaçit nuk duhet të ngatërrohen me të burgosurit ordinerë. Vet A.Hakiçllari vuajti dënimin për 13 vjet e 3 muaj, për akuzat e zakonshme , për diversion, agjitacion dhe propagandë.

Një nga nga momentet më kulminante të historisë së Burg-Kampit të Spaçit ishte ngritja e flamurit kuqezi pa yllin me pesë cepa të komunistëve më 21-23 Maj 1973. Kështu ata biseduan, vendosën dhe ngritën flamurin me zhgabën dy krenare pa yllin komunist qëndisur nga dora e një të burgosuri Mersin Vlashi pasi ngritën krye kundër rojeve të burgut. Sikurse tregon edhe Gëzim Çela, kryengritja e të burgosurve shfaqi hapur një karakter të qartë politik. Të burgosurit dolën me parrullat “Nuk punojmë në galeri”, ”Poshtë Komunizmi”, “Ja vdekje, ja liri”, e të tjera thirrje kundërshuese ndaj regjimit.

Revolta e Spaçit tërhoqi vëmendjen e krerëve më të lartë të shtetit shqiptar të asaj kohe. Vet zv.ministri i brendshëm Feçor Shehu shkoi në Spaç për të qetësuar situatën duke u bërë thirrje të ktheheshin në punë . Por të burgosurit shtruan kërkesa të tjera si : të vinin përfaqësues nga OKB për të biseduar me ta, veçanërisht nga SHBA, BS dhe Kina. Pasi u informua për këto kërkesa, F.Shehu deklaroi se këto kërkesa nuk kishin të bënin me të dhe urdhëroi shtypjen me dhunë të revoltës, më 23 maj 1973.

Masat repressive nuk munguan: 370 të dënuar, të lidhur dy e nga dy, u detyruan të uleshin në tokë në sheshin e oborrit të kampit përpara shpurrës së armatosur të F.Shehut; gjyq special për 12 vetët e grupit të parë, ku u dënuan me vdekje : Hajri Pashai, Skënder Daja, Pal Zefi dhe Dervish Bejko. Ndërkohë 80 të tjerë u lidhën përdorë me hekura dhe zinxhirë dhe një litar të gjatë në qafë u ngarkuan nëpër kamiona për në hetuesi në burgun e ri të Tiranës. Kështu mori fund Revolta e Spaçit.

Fundi i regjimit komunist në Shqipëri përcaktoi edhe fundin e Burg-Kampit të Spaçit dhe lirimin e të burgosurve politikë. Qeveritë veçanërisht të së djathtës janë munduar të kompensojnë në vlerë monetare çdo ditë burgu të ish të burgosurve politikë. Por sikurse tregon dhe vet Agim Hakiçllari, nuk ka vlerë monetare që mund të kompensojë mungesën e lirisë dhe punën e detyruar.

Burg-Kampi i Spaçit u ngrit pikërisht në vendin që ndodhet edhe sot për dy arsye themelore : së pari sepse ishte vendi më i sigurtë e më izoluar për ruajtjen e të burgosurve, kjo për shkak të relievit tepër të thyer malor të terrenit, dhe së dyti, për shfrytëzimin pa kosto të krahu të punës në minierën e bakrit, kjo për shkak të strukturave gjeologjike predominuese në këtë zonë.

Burg-Kampi, sipas rrëfimit të Agim Hakiçllarit, ishte i rrethuar me dy rreshta me tela me gjemba. Ai ishte një burg i një sigurie maksimale, ku mundësitë e arratisjes ishin shumë të pakta ndërkohë që nga ana tjetër forma e territorit si tip krateri vullkanik përbënte një pengesë natyrore të pakapërcyeshme , edhe pse me sa dimë nga gjeologjia  këtu s’ka pasur vullkan. Sidoqoftë alternimi i punës së faktorëve të brendshëm (lëvizjet malformuese,etj) si dhe i faktorëve të jashtëm (ujrat rrjedhës, era,etj) krijuan një territor të izoluar gjeografikisht dhe dërmues psikologjikish, për çdo të burgosur që jetonte në atë vend.

Rruga për në Burg-Kamp ka qenë dhe ende mbetet mjaft e keqe, jo më po të imagjinohet udhëtimi për në atë vend me auto-burgun, me të cilin çoheshin të burgosurit. Në hyrje ndodheshin dikur vendi i rojeve. Impakti i parë me Burg-Kampin ishte shkatërrimi i asaj zone, rënim që për arsye të ndryshme është evident. Ende dallohen qartë fjetoret , menza, tarraca ku rradhiteshin të burgosurit, dhomat e zhveshjes, birucat, dhoma e dentistit, si dhe miniera e famshme e bakrit dhe piritit.

Burg-Kampi i Spaçit ka rëndësinë e vet në historinë e Shqipërisë dhe në kujtesën kolektive të popullit shqiptar. Ai është pa diskutim një “lieux de memoire” sikurse i cilëson Pierr Nora vendet e kujtesës historike dhe duhet medoemos të ruhet.

Mirëpo sikurse dhe u evidentua edhe nga ekspedita në terren e studentëve më 18 shkurt 2016, Burg-Kampi i Spaçit po degradon dita-ditës. Nuk është kryer asnjë investim dhe nuk është kryer asnjë mirëmbajtje përveç banorëve të zonës përreth, që jetojnë shumë në distancë nga kampi.

Burg-Kampi i Spaçit është një vend i kujtesës kolektive të shqiptarëve në përgjithësi, dhe të ish-burgosurve politikë në veçanti.

Dhe për këtë arsye është shumë herë më e dobishme që në vend që paratë e shqiptarëve të shpërdorohen në bunkere afër Ministrisë së Brendshme, më mirë të hidhen për rimodelimin e burg-kampit të Spaçit, jo thjesht kjo si një shenjë apo si një provë e një divorci të plotë të shkuarën, por si një gjest respekti për atë vend të kujtesës kolektive dhe për vuajtjet e shumfishta të të burgosurve politikë të asaj kohe.

Vetëm kështu do ta çlirojmë vetveten nga e shkuara, duke e njohur dhe duke e pranuar, dhe jo duke e bunkerizuar .

 

 

 

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here