Çakalli e Aliko takim me Shoqërinë Civile për Korrupsionin Zgjedhor

Gjatë takimit të sotëm të zhvilluar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në Gjirokastër për Korrupsionin Zgjedhor, në prani të përfaqësuesve të shoqërisë civile, të ftuar si përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të Forumit Rinor të saj ishin Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në PDGJ dhe Nënkryetari i FRPDGJ, Panajot Çakalli, si dhe kryetari i FRPDGJ, Artan Aliko.

Zoti Çakalli u shpreh se kriza e sotme e mosbesimit të Opozitës dhe të qytetarëve shqiptarë te zgjedhjet lindi për shkak të mosekzistencës së institucioneve të pavarura. Sipas Çakallit, Republika ka rënë, rendi kushtetues është zhbërë, sundimi i ligjit ka marrë fund. Provë evidente e këtij degradimi është kërkesa absurde e PS-LSI për shtyrjen e afatit të regjistrimit të Koalicioneve në zgjedhje. Prandaj në kushtet e ekstremisht të rënda të vendit duhen masa të jashtëzakonshme: dorëheqje të qeverisë, krijimi i një qeverie teknike e cila do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme me katër objektivat themelorë të bërë të ditura nga Opozita: prishje të paktit të shtetit me krimin, luftë kundër dogës, reformë zgjedhore dhe reformë në drejtësi. Këto objektiva janë e vetmja rrugë për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të imunizimit të vendit nga situata destabilizuese.

Gjatë fjalës së tij kreu i FRPD Gjirokastër  Artan Aliko u shpreh ndër të tjera kundër shit-blerjes së votave politizimit dhe kapjes totale e administratës publike shtetërore, kanabizimit të vendit dhe përfshirjes direkte të drejtuesve të institucioneve të rëndësishme çka solli investimin e parave të pista në zgjedhje. Njëkohësisht kreu i FRPD Gjirokastër vuri në dukje kapjen e legjislacionit vendas nëpërmjet reformave për qëllime partiake duke e deformuar atë dhe e larguar nga Acquis communautairesi dhe shkeljen e ligjeve haptazi si rasti më i fundit antiligjor që e kthen KQZ në plotësim të tekave të qeverisë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment