Censura mediatike në kuadër të një fushate elektorale, lajm i keq për demokracinë

0
158

Nga Akil Kraja

Përtej çdo preference për Trump apo Biden, çensurimi i një fjalimi politik të një Presidenti në detyrë nën justifikimin se mediat e cilësojnë atë të pabazë, është një lajm shumë i keq për demokracitë anembanë botës. Mediat, ashtu si platformat sociale, po marrin përsipër të jenë vetë gjyqtarë e vetë avokatë. Nuk mund nga njëra anë të vendosësh çfarë është e vërtetë, dhe çfarë jo, dhe nga ana tjetër të jesh promovues i një platforme të lirë ku çdokush mund të përfitojë nga fjala e lirë.
Bullizmi & fake news janë fenomene që duhen luftuar, sigurisht. Por jo në kurriz të demokracisë, të sovranitetit kombëtar, të institucioneve të zgjedhura nga elektorati. Nëse fjalimi i një politikani duket i pavërtetë, atëherë gjej kundër-argumentat, personat dhe faktet që e hedhin poshtë atë. Censurimi është zgjidhja më e gabuar, që ushqen revoltën, dyshimet e frikat e një grushti shteti korporativ/mediatik. Nga Amerika, në Francë, e deri në Hong Kong, liria e fjalës dhe demokracia po kalojnë një krizë.
Të kuptohemi drejtë, Shqipëria do të jetë gjithmonë në mbështetje të cilitdo Presidenti Amerikan do të fitojë për shkak të lidhjes së jashtëzakonshme mes kombeve tona. Amerika është dhe do të mbetet një referencë kombëtare për cdo shqiptar. Por kjo nuk na pengon ta lexojmë me një vështrim analitik situatën atje, duke u frymëzuar nga të mirat, por dhe duke nxjerrë mësime nga gabimet. Në këtë rast, e kam fjalën për censurën mediatike në kuadër të një fushate elektorale.
Nga ku dhe dyshimi se viti i ardhshëm do të jetë një vit plot sfida për Shqipërinë tonë të vogël… Unë jam i bindur që Edi Rama i ka ditët e numëruara por jam i sigurtë që interesat kriminale prapa tij do ta nxisin të bëjë gjithçka për të mbajtur, qoftë sikur për vetëm pak muaj, pushtetin e tij të korruptuar. Dhe druaj fort, që Rama do të jetë i pari, në bashkëpunim me “gazetarët” e tij, që do t’i përdorë mediat për të rritur dhe më tej censurën ndaj fjalës së lirë nën justifikimin e “fake news”-it.
Të mos harrojmë, që paketa ligjore anti-shpifje, në fakt fshihte një ligj censure ndaj medias dhe fjalës së lirë. Kjo është arsyeja përse dhe Këshilli i Europës dhe dhjetëra organizata gazetarësh, lokale dhe të huaja, i dolën kundra me forcë këtij ligji.
Tani të ndalemi për një moment. A mendoni që i njëjti Kryeministër, i cili “fiku sinjalin” e AgonChannel me një kosto prej 100 milion eurosh për taksapaguesit shqiptarë, do të ketë hezitime të nxisë “censurën” mediatike ndaj zërave që atij nuk i pëlqejnë? Ai po fërkon duart me këto që ndodhin në Amerikë. Dhe kur një autokrat gëzon me atë cfarë ndodh me demokracinë më unike e më të madhe të historisë së njerëzimit, frikat kthehen krejt lehtësisht në rreziqe reale dhe imediate për një vend si i yni…
Ka vetëm një rrugë që # ditëmëtëmira të vinë për secilin prej nesh. Ajo tashmë dihet botërisht. Dhe është e njëjta që mundësoi integrimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe në NATO. E njëjta që na solli dhe më pranë me Kosovën e Europën. E njëjta që na ktheu në një reference ballkanike për prodhimin e energjisë së gjelbër apo për tranzitin e gazit. Dhe janë pikërisht këto arritje, fakte e të vërteta që rilindja do të kërkojë të censurojë me cdo kusht…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here