Certifikohet ylli shqiptar me emrin Iliria: “Një copë e historisë sonë drejt qendrës së Galaksisë!”

Me rastin e 100 vjetorit të “Bashkimit Ndërkombëtar Astronomik” çdo shteti i është caktuar një yll, i cili do te mbajë emrin e vendosur nga populli i tij.

Pas propozimeve të emrave të shumtë duke filluar nga figurat historike, gjeografia, historia, kultura apo edhe fjalë shqipe dhe një garë përzgjedhjeje më në fund është vendosur për emrin “Illyrian” dhe planetin rrethues të tij “Arbër”.

Bashkimi Ndërkombëtar i Astrofizikanëve ka certifikuar emrin e yllit që i përket vendit tonë. Deri dje ky trup qiellor mbante emrin HD 82 886 b.

Ndërsa nga sot ai është ka marrë emrin Illyrian dhe Arbër. Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale nismëtarja e fushatës për të gjetur emrin e yllit të shqiptarëve Mimoza Hafizi, e cila është astrofizikante pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës:

“Sot Bashkimi Ndërkombëtar i Astrofizikanëve certifikoi zgjedhjen që mijëra shqiptarë i bënë emrit Arbër për planetin HD 82886b dhe emrit Illyrian për yllin rrotull të cilit ai sillet. Këto dy objekte astronomike ndodhen më shumë se 400 vite-dritë larg nesh, distancë gjigande në dimensionin njerëzor, por e vogël në dimensionin universal, të cilin njerëzimi po përpiqet ta kuptojë, eksplorojë e madje ta pushtojë.

Me këtë zgjedhje, ne shqiptarët dërguam një copë të historisë sonë drejt qendrës së Galaksisë. Le të presim që në këmbim të marrim Urimin Galaktik për jetë të gjatë e mirëqenie të kombit tonë! Le të jetë planeti Arbër një burim dijesh për ne dhe njerëzimin tokësor! Le të jetë Arbëria simboli i progresit të pandalshëm të inteligjencës sonë! Le të jetë ky planet mik, një pasqyrë për të parë me dashuri Tokën tonë të bekuar, ku natyra na fali jetën”, shkruan astrofizikantja Hafizi.

“HD 82886 b” është një yll i ngjashëm me Diellin, I cili ndodhet në yjësinë e Luanit . Me një magnitudë të dukshme 7.63, është tepër i zbehtë të shihet nga syri I lirë. Planeti ka një masë 1.3 herë më të madhe se masa e Jupiterit dhe një orbitë me distancë të përafërt prej 1.65 njësi astronomike (AU).

I zbuluar në vitin 2011, ky sistem ndodhet 416 vite drite larg nesh dhe mund të shihet me lehtësi me ndihmën e një teleskopi pothuajse në cdo periudhë të vitit.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment