Çfarë fiton dhe çfarë rrezikon opozita shqiptare nga protestat

0
150

Nga Enton Palushi

Më 16 dhjetor të vitit 1773, në Boston, një grup i revoltuar amerikanësh vendosi të hedhë në port 342 arka me çaj, të importuara nga kompania ‘British East India’. Kjo protestë politike ishte akti i parë sfidues ndaj sundimit britanik. Amerikanët reaguan ndaj një taksimi të pandershëm dhe sot e kësaj dite fëmijët amerikanë mësojnë për këtë ngjarje si hapin që çoi drejt revolucionit. Sigurisht tani flitet për ‘Boston Tea Party’ si festë dhe kjo ngjarje festohet me gëzim dhe rregull. 

Por të mos shkojmë larg. Edhe në historinë tonë, protestat janë jetike për ndryshimin si në çdo vend tjetër. Prej tyre lindin revoltat, trazirat, revolucionet dhe luftërat. Protestat janë një mjet shumë i mirë për të reaguar ndaj padrejtësive. Kohërat ndryshojnë, por padrejtësitë duket se nuk ikin kurrë. 

Pikërisht kjo është arsyeja se përse njerëzit besojnë se në Shqipëri duhet të protestohet vazhdimisht, se kundër shkeljeve dhe padrejtësive kemi vetëm një rrugë, se opozita duhet të qëndrojë vazhdimisht nëpër sheshe, se njerëzit duhet të revoltohen, se vetëm në rrugë mund të rikthehet demokracia, etj. Mirëpo me këtë zell po shkohet edhe shumë larg, kur thuhet se opozicioni duhet të identifikohet vetëm me protestën, se pushtetin e meriton ajo parti që di të jetë vetëm e ashpër, se fatet politike vendosen në bulevard e shumë të tjera si këto. Shqipëria është një vend që proteston, pavarësisht se nga çfarë thuhet. Protestojmë shumë, protestojmë shpesh, protestojmë për parti, protestojmë pa parti. Megjithatë rrallë kemi arritur të fitojmë atë që kemi ëndërruar në fillim të lëvizjeve. Prandaj është momenti të dalim nga ‘flluskat’ dhe të analizojmë se çfarë fiton opozita nga protesta dhe çfarë rrezikon.

Çfarë fitohet nga protesta

Së pari, ashtu siç e kam cituar edhe më herët, studiuesi Paolo Gerbaudo thotë se arritja më e madhe e protestave është kur e vendosin në krye të agjendës politike një çështje që duhet zgjidhur. Opozita shqiptare ia ka dalë që ta vendosë në krye të agjendës politike në vend dhe jashtë tij, nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që mbetet në themel të krizës në vend. Sot falë këtyre protestave, opozita shqiptare e ka vendosur nën kornizën e kushteve gjermane këtë çështje, si pararendëse e hapjes reale të negociatave të integrimit.

Së dyti, sipas sociologut Darnell Hunt, protestat e fuqishme dhe të sinqerta zhysin në krizë legjitimiteti qeverisjen e një vendi. Kurrë më fort nuk u bë e qartë kjo teksa opozita zbriti në shesh një vit më parë dhe qeveria dhe shteti u shthur plotësisht. Ata vetë ishin të parët që e vunë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisjes së tyre, duke u lëshuar në KÇK (Kap ça të kapësh). Kjo krisje është përfundimtare dhe pas shtatë vitesh në pushtet nuk ngjitet me kurrfarë manovrash, as me histori rindërtimesh, as me miliarda tërmeti dhe përralla që shqiptarët nuk i besonin as para 30 vitesh, jo më tani. Madje edhe njerëzit që dolën në shesh më 2 mars, ishin sërish aty për shkak të revoltës ndaj Ramës dhe dëshirës për të deligjitimuar qeverinë, qoftë edhe duke shpresuar te një manovër ligjore për shpërndarjen e parlamentit, pa u thelluar nëse kjo është e mundur apo jo.

E treta, protestat dhe tubimet mund të rrisin edhe numrin e aktivizimit në politikë e madje edhe të shtojnë votuesit potencialë, sipas The Economist. Megjithatë kjo nuk është ndonjë rritje shumë e madhe dhe mbetet te kufijtë e militantizmit, por gjithsesi kultivimi i shpirtit të reagimit është diçka e rëndësishme.
E katërta, në vende me një nivel të kënaqshëm demokracie, protestat shërbejnë për të ndikuar te morali i një qeverisje dhe rrjedhimisht mund të sjellin dorëheqjen e saj. Te e fundit, politika dallon nga të tjerat prej moralit. 

Çfarë mund të rrezikohet nga protestat

E para, historia e protestës së Bostonit në SHBA, e treguar në fillim të shkrimit, është një ilustrim se sa shumë ka ndryshuar qasja ndaj protestave. Sot bota është shumë më e mirë, nuk ka dyshim, por Perëndimi beson se ka gjetur mënyrën e duhur për të trajtuar problemin e protestave. Ilaçi janë zgjedhjet. Studiuesja Antonia Malchik thotë se duket si një paradoks, pasi shumë prej protestave mbahen për shkak se zgjedhjet nuk janë të lira. Por zgjedhjet dhe përpjekjet për të shkuar te zgjedhjet e lira mbeten rruga e vetme për Perëndimin. Historiani konservator Robert Kagan thotë se pavarësisht autoritarizmit në rritje, SHBA ka vendosur të përballet hapur vetëm me një prej këtyre drejtuesve autokratikë në botë: me Nicolas Maduro të Venezuelës. Rezultati dihet, ai vazhdon të jetë në pushtet edhe pse ka rrënuar një nga vendet më të pasura në botë.

Së dyti, sërish mbetet shumë e vështirë që protestat të bëhen tërheqëse për shumicën e popullsisë. Elektorati gri vazhdon të mbetet shumë i painteresuar për to dhe protestat nuk janë apel i mirë për ta. Arsyeja mund të jetë shumë më e thjeshtë nga sa mendojmë. Njerëzit shpesh duket sikur janë projektuar për të ndjekur rregullat, për të vazhduar normalitetin, edhe kur ai është shumë i rëndë. Tek e fundit, historia jonë, por edhe e gjithë botës, është e mbushur me sundim autokratik.

E treta lidhet me atë që e kam quajtur ana e errët e krizës dhe që rivjen në kujtesë edhe nga një shkrim i studiuesit Nic Cheeseman, autor i librit ‘Si të vjedhësh zgjedhjet’. Ky i fundit, teksa flet edhe për opozicionin, madje edhe për opozitën shqiptare, dhe efikasitetin e saj në ekspozimin e manipulimeve zgjedhore, thotë kjo ka edhe rreziqet e saj. Në vendet autokratike, qeveria mund të hakmerret. Dhe siç kuptohet lehtë, një qeveri hakmerret duket u bërë akoma më autokratike. 

E katërta ekspozon edhe një problem që mundon shumë studiuesit sot. Përse është kaq joshës autoritarizmi? Studiuesja amerikane Paula Armendariz Miranda thotë se bashkë me ekipin e saj ka hartuar Barometrin Amerikan në vendet e Amerikës Latine. Krahasimi mund të duket me vend, për shkak se politika dhe shoqëria në Shqipëri, për nga emocionet dhe reagimet, ngjajnë shpesh me këto vende. Sipas saj, një fakt i zbuluar është se protestat, sidomos ato të stërzgjatura dhe me dhunë, e bëjnë joshës autoritarizmin për votuesit. Me fjalë të tjera, mund të nisesh për të vënë vetullat dhe të përfundosh duke nxjerrë sytë.

*
Të gjitha këto tregojnë se historia është më e komplikuar dhe i ngjan një loje shahu, ku duhet të dish si të luash, kur të luash dhe sa të luash. Nëse protestat do ishin zgjidhja për çdo gjë, atëherë opozita do e kishte të lehtë dhe nuk ka nevojë për këshilla. Në fund të fundit, më shumë se ajo nuk kërkon kush tjetër që të vijë në pushtet. Por në këtë lojë duhet luajtur mirë, me kujdes dhe duke pasur në mendje të gjithë aktorët dhe faktorët. Nuk është as lojë e lehtë dhe as lojë që mbyllet shpejt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here