Cili është Kryeministri që do luftojë krimin?

0
327

Nga Roland Bejko/

E gjeni dot?

Cili është ai Kryeministër shqiptar që e mbushi parlamentin me deputetë që janë akuzuar për vrasje, trafikantë femrash, droge, armësh etj dhe sot betohet se do luftojë krimin?

Cili është ai Kryeministër shqiptar që dhjetra kryetarë bashkish të përzgjedhur dhe mbrojtur prej tij publikisht janë larguar nga detyra pasi u provua se ishin fallcifikatorë, mashtrues, të korruptuar, drejtues dhe anëtarë të grupeve të organizuara kriminale dhe sot na betohet se do luftojë krimin?

Cili është ai Kryeministër shqiptar që i janë kapur nga përgjimet e prokurorisë duke bashkëpunuar me trafikantë dhe kriminelë të rrezikshëm e “çuna të tjerë problematikë” për vjedhjen dhe blerjen e votave gjysma e kabinetit, kryetarët e bashkive, drejtuesit e policisë, dhe sot betohet se do luftojë krimin?

Cili është ai Kryeministër shqiptar që gjatë 7 viteve në pushtet i kanë rënë dy ministra të brendshëm, më të mirët e kabinetit sipas tij, i janë shpallur në kërkim gjysma e drejtorëve të policisë së qarqeve si bashkëpunëtorë dhe bashkëfajtorë në kanabizimin e vendit, trafikimin dhe fshehjen e krimit të familjarëve të tyre, dhe sot ulërin se do luftojë krimin?

Cili është ai Kryeministër shqiptar që e mohonte kanabizimin e gjithë territorit të vendit dhe trafikimin me avionë (që i quante mushkonja),e skafe të drogës nën kujdesin e segmenteve kriminale të policisë së shtetit, dhe sot akuzon se nuk e lënë të luftojë krimin?

Cili është ai Kryeministër shqiptar që kur sapo rifitoi pushtetin me votat e krimit, që kish akuzuar për vite me rradhë opozitën si gënjeshtare, mediat si kazan, pasi e lejoi trafikimin e kanabisit dhe drogës së Xibrakës ku u përfol dhe vëllai i tij, kërkoi falje si legen i lagur në parlament duke premtuar luftë ndaj krimit dhe bashkëpunim me opozitën dhe sot ribetohet se do luftojë krimin?

Cili është ai Kryeministër shqiptar që me kryetarin e tij të bashkisë së Tiranës dhanë mijra leje ndërtimi për kulla të larta e ku krimi organizuar pastron paratë në sy të të gjithëve, dhe tani përbetohet se Presidenti i Republikës dhe opozita e pengojnë të luftojë krimin?

Cili është ai Kryeministër shqiptar ku zyrtarët e lartë të shpallur non grata për shkak të bashkëpunimit me krimin e organizuar dhe korrupsion të madh nga Departamenti i Shtetit Amerikan i deklaron si miqtë e tij më të afërt e i zgjedh në forumet më të larta të partisë së tij, ndërkohë sot u ka premtuar aleatëve se do ti japë fund krimit të organizuar?

Cili është ai Kryeministër shqiptar që bëri një ligj të veçantë për të rëmbyer pronën publike, Teatrin Kombëtar dhe truallin e saj për të favorizuar klientët oligarkë, dhe sot akuzon opozitën dhe mediat si të financuar prej krimit ?

Cili është ai Kryeministër shqiptar ku një km rrugë i kushton 20 milionë euro duke na zhytur të gjithëve në borxhe të thella ndaj kreditorëve të huaj, dhe tani përbetohet se s’do ketë më krim dhe korrupsion?

Cili është ai Kryeministër shqiptar që së bashku me ministrat dhe oborëtarët e korruptuar kanë shpërdoruar mbi 230 milionë euro për lluks e udhëtime, dhe sot betohet se do burgosen gjithë hajdutët?

Dhe së fundmi, cili është ai Kryeministër që falë votave dhe mbështetjes fizike të kriminelëve më të ndyrë të këtij vendi gjendet sot në foltoren e kuvendit duke na çarë veshët me akuza ndaj kujtdo që është kundër ligjit anti KÇK sepse ja quajnë si instrument policor në duart e tij e përdorur për përmirësim të imazhit të vet politik, dhe që anashkalon në fakt institucionet e drejtësisë së re?

E pra, e gjeni dot cili është Kryeministri në fjalë ?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here