Covid-19/ “Retro” bëri kërdinë në Gjirokastër/ Golemi: Duhen përbuzur ata që e thonë këtë!

0
252

Kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi ka reaguar me anë të një statusi në FB për situatën e rëndë në të cilën ndodhet qyteti për shkak të Covid-19. Golemi iu është përgjigjur akuzave se ai është përgjegjësi i rritjes së rasteve të të infektuarve për shkak të organizimit të aktiviteteve si “Retro në Sokak”, duke u shprehur me një gjuhë urrejtjeje ndaj atyre që mendojnë kështu dhe se sipas tij duhen përbuzur. Por pavarësisht se si Golemi mundohet të mbulojë diellin me shoshë organizimi i aktiviteteve kulturore në kohë pandemie do të sillte medoemos një gjendje të tillë .

Statusi si mëposhtë:

Si çdo qytetar i Gjirokastrës kam ndjekur këto ditë me shqetësim rritjen e rasteve të personave që janë infektuar me Covid 19, por po ashtu edhe debatin dhe insinuatat e krijuara nga ata që në mënyrë perverse “përgjojnë pas derës” apo “fërkojnë duart” që këtu të bëhet qameti, spitalet të mbushen me pacientë e kufoma, duke shpresuar të krijojnë panik e negativitet, të paaftë për të parë realitetin siç është.
Këtë takëm njerëzish s’e lidh asgjë me përpjekjen tonë të përbashkët për të fituar betejën me armikun e padukshëm- Covid 19, prandaj duhen përbuzur dhe lënë mënjanë në dëshpërimin e tyre. Ne do të vazhdojmë sakrificën dhe përballjen derisa ta shporrim këtë të keqe.
Pse janë shtuar rastet me Covid 19 në Gjirokastër?
Natyrisht që nuk pretendoj se kam të vërtetën e madhe, aq më tepër kur kemi përballë një virus të pabesë, që godet pikërisht atëhere kur ti mendon se ka ikur dhe instiktivisht mund të kesh ulur vigjilencën.
Por siç thonë specialistët e shëndetit publik, kjo është një valë e dytë më agresive se e para dhe për aq kohë sa ka rritje të numrave në të gjithë vendin dhe botën mbarë, s’ka se si të bënte përjashtim Gjirokastra. Ne nuk jemi një ishull i izoluar nga të tjerët.
Rritja e numrit ditor të testimeve dhe gjurmimeve nga strukturat shëndetësore shtetërore e private, hapja e shkollave, universitetit dhe një fluks i shtuar lëvizjesh drejt zonave të tjera urbane, kanë ndikuar për rritjen e rasteve.
Po sigurisht që disa qytetarë kanë demonstruar edhe një papërgjegjshmëri duke mosrespektuar masat kufizuese, duke mos u vetëkarantinuar teksa ishin në pritje të përgjigjes së tamponit.
Policia dhe asnjë strukturë tjetër nuk i ka kapacitetet të monitorojë non-stop këdo për zbatimin e karantinës. Duhet së pari të jemi vetë të përgjegjshëm.
Ka disa njerëz, të cilët bëjnë pjesë tek ai takëm për të cilin ju fola më sipër, që e lidhin shtimin e rasteve me ekspozitën e makinave “RETRO”, një event i programuar kohë më parë dhe i zhvilluar sipas të gjitha protokolleve antiCovid, aq më tepër në ambient të hapur. Pjesëmarrja ishte e lirë!
Cinikët që e quajnë “paradë propagandistike e rilindjes” nuk e kanë me ekspozitën në vetvete, por ata s’e durojnë dot faktin që Gjirokastra po kthehet në një destinacion fundjavash dhe se Pazari i restauruar është sot një hapësirë fantastike, për t’u vizituar dhe për të bërë biznes.
Janë po ata cinikë që kur nisi restaurimi i Pazarit vunë kujën se medemek “rilindja po e shkatërronte”. Ata nuk e duan një Gjirokastër ku punohet, ku hapen biznese të reja, ku ka projekte zhvillimore dhe ku ndihmohet sektori i turizmit, sidomos në këtë vit të vështirë për shkak të pandemisë.
Askush nuk i ndjek në marrëzinë e tyre dhe gjithmonë kanë për të mbetur një pakicë të dëshpëruarish.
Dy fjalë të fundit dhe një lutje për të gjithë qytetarët e Gjirokastrës dhe ata që i lexojnë këto radhë.
Mos e ulni vigjilencën për asnjë moment sepse ky është një virus i pabesë, që të godet atëhere kur nuk e pret. Nëse vetë jeni të bindur se e mundni Covid 19 sepse jeni të rinj apo keni imunitet të fortë, nuk ua kanë për borxh prindërit dhe gjyshërit që t’ua çoni në shtëpi. Mendoni për ta!
Mos ua rrezikoni jetën sepse ju thjesht nuk rrini dot pa u mbledhur nëpër kafene, nuk mbani dot maskë, nuk lani dot duart shpesh apo nuk ruani distancimin social. Ju lutem, thjesht respektoni protokollet antiCovid në çdo hapësirë dhe ambient ku ndodheni. Ne do ta fitojmë këtë betejë. S’ka asnjë dyshim!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here