Deklaratat kontradiktore të Policisë pas vrasjes së 25 vjeçarit: Po ikte me vrap pasi hodhi pistoletën! I drejtoi armën

0
151

Një 25-vjeçar është ekzekutuar me plumb pas shpine nga një efektiv i patrullës së Policisë, i cili i ka bërë thirrje për të ndaluar, por i riu nuk është bindur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 01:45, në rrugën “Dritan Hoxha” dhe sipas njoftimit zyrtar të Policisë, i riu ka qenë i armatosur dhe i ka drejtuar armën efektivit të Policisë.
Megjithatë, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se në momentin e vrasjes, viktima, Klodian Rasha, nuk ka pasur armë në dorë. Madje ai ka qenë duke ikur me vrap dhe nuk ka qenë përballë policit që ka qëlluar.
Në njoftim Policia thotë se 25-vjeçari Rasha ka mbetur i plagosur dhe ka ndërruar jetë në spital. Por burime nga Spitali i Traumës thanë dje se Klodian Rasha ka mbërritur aty i vdekur. Më poshtë njoftimet e Policisë së Tiranës dhe të Ministrisë së Brendshme.
Njoftimi i parë i policisë
Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, shërbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha” kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta. Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte, por personi nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar.
Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e punonjësit të Policisë për të ndaluar, përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të Policisë një send të fortë në dukje armë zjarri. I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë, punonjësi i Policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K. R., 25 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital.
Menjëherë është ngritur grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga SHÇBA-ja dhe Policia. Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Punonjësi i Policisë, shtetasi N. H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme. Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.
Njoftimi i dytë i policisë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në orët e para të mëngjesit të sotëm në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha”, ju informojmë se: Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga SHÇBA-ja dhe Policia, nën drejtimin e prokurorit, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K. R., i cili nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale armë e zjarrit pistoletë me një krehër me fishekë. Vijon puna intensive nga grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Njoftimi i Ministrisë së Brendëshme
Në vijim të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndodhur në orët e para të mëngjesit në Tiranë, ku humbi jetën një 25-vjeçar, specialistët e SHÇBA-së u angazhuan menjëherë së bashku me grupin hetimor të ngritur për këtë qëllim. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, sqarojmë se: Sot rreth orës 01:45, punonjësi i Policisë N.H., efektiv i patrullës së Policisë, gjatë shërbimit në rrugën “Dritan Hoxha”, ka qëlluar me armën e shërbimit shtetasin K. R., i cili ka gjetur vdekjen në spital. Shërbimi i Policisë, i përbërë nga dy punonjës, të dislokuar në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar gjatë patrullimit një shtetas, i cili sillej dhe kryente veprime të dyshimta, çka bëri shkak që patrulla të kryente verifikimin e shtetasit.
Pas thirrjes së Policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur Policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij nëpër rrugica.
Në ndjekje e sipër, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se shtetasi kishte me vete një send në dukje armë zjarri, çka ka bërë që patrulla të kërkojë përforcime nga Salla Operative duke dhënë rrethanat, adresën dhe karakteristikat e personit që po ndiqnin. Shtetasi K. R. është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e Policisë N. H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij. Për pasojë, ky shtetas është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital.
Menjëherë pas njoftimit është formuar grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së, Policisë së Shtetit dhe i drejtuar nga prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, që ka kryer veprimet e para hetimore. Gjatë hetimeve paraprake, si këqyrja e vendit të ngjarjes ku ka gjetur vdekjen shtetasi K. R., grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit, administroi pamjet filmike të subjekteve private pranë vendit të ngjarjes. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet se janë qitur nga arma e shërbimit të punonjësit të Policisë N. H.
Nga grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë. Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H. bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
Për sa më sipër, grupi i posaçëm hetimor ka kryer arrestimin e punonjësit të Policisë, inspektor N. H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Hetimet vazhdojnë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Duke përfituar nga ky komunikim publik, shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të të ndjerit dhe garantojmë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për zbardhjen e plotë të ngjarjes me paanshmëri dhe objektivitet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here