Der Standard: Nismat e Ramës, sulm direkt mbi lirinë e medias

Gazeta e njohur austriake, Der Standard shkruan se liria e medias në Shqipëri është në rrezik. Sipas saj, organizatat e gazetarëve dhe OSBE janë kundër nismave të qeverisë. Më poshtë shkrimi

Në Shqipëri, qeveria e kryeministrit Edi Rama dëshiron të zbatojë një ligj të ri për regjistrimin dhe kontrollin e mediave online. Në të ardhmen, Autoriteti Mbikëqyrës i Medias (AMA) do të jetë në gjendje të udhëzojë mediat në internet, për shembull të heqë përmbajtjet nga faqet dhe të publikojë falje. Sidoqoftë, kritikët e shohin si një sulm të drejtpërdrejtë mbi lirinë e mediave në internet.

Kështu argumenton Ogranizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, OSBE, përmes zyrës së saj për lirinë e medias. Sipas saj, drafti ka mangësi serioze. 15 shoqata gazetarësh- përfshirë Shoqatën e Gazetarëve Europianë- kritikuan ashpër projektin, për të cilin nuk ka votuar akoma parlamenti. Ai paraqet një rrezik të madh për lirinë e mediave dhe nuk ofron zgjidhje praktike për problemet që lidhen me lajmet e rrema, propagandën, fjalët e urrejtjes dhe dizinformimin.

Qasje arbitrare mbi përmbajtjen e mediave

Për më tepër, ekziston rreziku që qeverisë t’i jepet qasje e drejtpërdrejtë dhe arbitrare në përmbajtjen e mediave në internet përmes Autoritetit të Mediave. Këshilli i Europës gjithashtu tha se propozimi i rreptë për rregullimin e mediave në internet nuk i plotëson standardet.

Ligji u hartua pa konsultime paraprake me shoqatat e gazetarëve dhe u mbajt i fshehtë deri disa javë më parë, tha Shoqata e Gazetarëve Europianë. Ligji i jep fuqi AMA-s për të urdhëruar mbylljen e portaleve të internetit në Shqipëri pa garancitë e nevojshme ligjore dhe për të vendosur gjoba deri 6500 euro. Përfaqësuesit e mediave kritikuan këtë nismë duke thënë se ajo do rrisë ndjeshëm rrezikun e censurës dhe autocensurës.

Për më tepër, qeveria planifikon të vendosë një taksë prej 20 përqind ndaj medias në internet dhe një taksë prej 6 përqind për stacionet televizive, evidentuan shoqatat e gazetarëve. “Kjo tregon qëllimet armiqësore të qeverisë ndaj mediave në internet, të cilat kritikojnë punën e saj”. Sipas informacionit zyrtar, stacionet televizive tradicionale kanë të ardhura më të larta vjetore, por ato duhet të tatohen më pak se mediat online, të cilat kanë shpesh një potencial më të lartë kritik.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment