Dështon Prokuroria e Krimeve të Rënda, lirohen të arrestuarit e Pagrisë për 12 ton kanabis

0
151

Gjykata e Shkallës së Parë në Përmet, ka lënë në gjendje të lirë, tre personat e arrestuar në prill të këtij viti, si posedues të lëndës narkotike prej 12 tonësh në fshatin Pagri.

Seanca gjyqësore në ngarkim të Rusetem Mucellit, Eqerem Alit dhe Koco Zaimajt ky i fundit kryeplak i fshatit, është zhvilluar mesjavën e kaluar dhe u kërkua nga ana e organit të akuzës në Përmet pas delegimit të kësaj cështjeje, nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet. Kjo e fundit pas 6 muajsh hetimesh intensive në terren dhe pasi ka pyetur mbi 15 persona, ka dalë në përfundimin se tre personat e lartpërmendur nuk janë pjesë e ndonjë grupi të strukturuar kriminal ku rrjedhimisht kjo akuzë ra në përfundim të të gjithë veprimtarisë hulumtuese nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Për pasojë, cështja në krye të gjashtë muajve, u dërgua drejt Prokurorisë së Përmetit pasi Krimet e Rënda e cilësoi për mos-kompetencë me rënien e akuzës së ngritur nga vetë ajo për strukturim të grupeve kriminale ndërkohë që e vetmja akuzë që qëndronte, ishte ajo e mbajtjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim.

Nisur nga këto rrethana, organi i akuzës në Përmet, kërkoi nga Gjykata e Përmetit, lënien në gjendje të lirë me detyrim paraqitje të kryeplakut të fshatit Pagri Koco Zaimaj, si dhe dy bashkëfshatarët e tij Rustem Mucellin e Eqerem Ali. Pasi u mësua për lënien në gjendje të lirë të tyre, personi i katërt i cili ndodhej në arrati Ismail Saliu, u vetdorëzua fundjavën e kaluar dhe dy ditë më parë sërish Gjykata e Përmetit me kërkesë të Prokurorisë Vendore pas delegimit të kësaj cështjeje për moskompetencë nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka dhënë vendimin arrest në shtëpi ndaj Ismail Saliut. Edhe ndaj tij, rëndon vetëm vepra penale e mbajtjesh lëndësh narkotike në bashkëpunim.

Ndërkohë që autorët e vërtetë apo dhe pronarët e vërtetë të 12 ton kanabis të zbuluar më 8 prill të këtij viti në fshatin Pagri në një magazinë, ngelen mister ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda, dështon në vërtetimin e akuzave që ngriti ndaj katër fshatarëve në fshatin Pagri, të cilët rezultuan të ishin të papërfshirë në këtë histori.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here