“Deti”, Meta i jep plotfuqishmërinë Bushatit

0
166

Presidenti Ilir Meta i ka dhënë autorizimin ministrit për Evropë dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati për negociatat me Greqinë për ndarjen e hapësirës detare midis dy vendeve.

Me anë të një njoftimi, Presidenca thekson se i jepet plotfuqishmëria grupit negociator për negocimin e “Projekt marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.

Presidenti Ilir Meta i kërkon Ministrisë së Jashtme të përmbushin përgjegjësitë e tyre sipas Kushtetutës.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit“, thuhet më tej.

Ministri Ditmir Bushati i kërkoi zyrtarisht Presidentit Meta marrjen e plotfuqishmërisë për zhvillimin e negociatave më 14 shkurt të këtij viti.

Ditë më vonë, më 27 shkurt, Meta I ktheu përgjigje Bushatit me një kërkesë prej 9 faqesh.

Kreu i Shtetit kërkoi të dhëna konkrete mbi takimet dypalëshe, por dhe një platformë të bisedimeve që do të zhvillohen pas marrjes së plotfuqishmërisë.

Po ashtu ndër të tjera kërkohen skenarë dhe strategjitë që do të ndiqen prej palës shqiptare, por kjo është përgjigja e dytë e Metës mbi këtë çështje.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here