DRAMA E DYTË, SI VRITESHIN FËMIJËT NË KOMUNIZËM!

Nga Telnis Skuqi/

Më trishtoi shumë deklarata e ish-drejtorit të Arkivit në Ministrinë e Bredshme, Kastriot Dervishi, teksa po bashkëbisedoja me të në “Facebook”.

“Nga ai repart nuk kanë sjellë dokumente në arkiv”, – më shkruajti ai.E kishte fjalën për burgun e Zejmenit të Lezhës. Aty kam vuajtur dënimin politik qysh 13 vjeç, afro pesë muaj.Godina e burgut u ndërtua enkas për fëmijët e deklasuar, ose në zhargonin popullor “Shkolla e bagabondave”. Shkolla e Riedukimit në Tiranë ishte tejmbushur, ndërsa burgu i Zejmenit ishte alternativa e dytë për sistemin e atëhershëm.Në ato vite të drejtën për të “burgosur” fëmijët e kishte organizata e partisë dhe komitetet ekzekutive. Vetëm unë dhe shoku im ishim të dënuar me vendim gjykate.Më kujtohet si tani. Ishte verë e nxehtë fillim qershori. Dy javët e para, shoku im (Ilir Kakacaj) dhe unë qëndruam në karantinë të izoluar nga “300 bagabodët”. Ditën e parë u vendosa në dhomën karatinë. Të nesërme erdhi një djalë i ri nga Tirana. Ishte një bukurosh, fytyrë rrumbullaktë, kacurrrel dhe sy zi. Prindërit ishin komunistë. Ata e dorëzuan me duart e veta djaloshin. Kishte nevojë, sipas tyre, për riedukim.Edhe sot nuk i harroj lotët e tij. Ai ishte i shokuar, nuk e besonte që prindërit e tij e braktisën. Ishte një zhgënjim total për të.Në mos gabofsha, emrin e kishte Elidon. Shtatë ditë qëndrova me të. Ditën e tetë e gjeta të vetvarur me çarçaf. Unë flija gjumë, ndërsa ai i dha fund jetë së tij. Më ka ngelur pishman që nuk u zgjova në kohën e duhur. Unë flija si fëmijë. Kurrë nuk isha takuar me vdekjen më parë.I troditur lajmërova ushtarin e repartit. Ai erdhi menjëherë, por nuk e preku. Pas disa minuta erdhi i gjithë personeli. Vdekja e tij ishte zyrtarizuar. Në mbrëmje të asaj dite erdhën prindërit e tij. Ata qanin, por harruan që ishin po ata që e vranë fëmijën me duart e tyre. Sot e kësaj dite ende nuk po i kuptoj prindërit e tij, se çfarë i shtyu të ndërmerrnin këtë veprim. Ku donin të dilnin?! Ai ishte fëmijë si unë. Unë i braktisur qysh foshnjë për faj të sistemit, ndërsa jetëshkurtri i braktisur nga prindërit e tij komunistë. Tmerr kur e kujtoj këtë histori.Pesë muajt e qëndrimit tim, për hir të së vërtetës, ishte periudha që më dha mundësi të burrërohem. Nuk kam jetuar keq. Personeli ushtarak kanë qenë shumë njerëzor me mua dhe shokun tim. Më shumë ngrohtësi gjetëm në “shkollën e bagabodave”, se sa në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë.Dajaku dhe dënimet nuk mungonin për moshat më të rritur se unë dhe Iliri. Madje edhe katër fëmijë të tjerë u vetvarën nga dëshpërimi. Armiku më i madh në “shkollën e bagabodave” ishte koha e dënimit, ndryshe nga burgu i të rriturve, burgu i fëmijëve të vriste psikologjikisht.Asnjë fëmijë nuk e dinte ditën se kur do të lirohej, ndryshe nga një i rritur i dënuar, që e dinte se do të vuajte X apo Y vite dënimi dhe dilte.Ishte tmerr. Kjo i vrau katër bashkëvuajtësit e mi. Një nga katër viktimat kishte gjashtë vite që priste të lirohej hë sot, hë nesër. U lodh me pritjen e gjatë dhe i ra shkurt. Ai nuk e kuptoi që jetën e kishte përpara. Maksimumi do ta mbanin deri në moshën 20 vjeç. Kaq e parashikonte ligji i atëhershëm. Prandaj më trishtoi shumë historia që më tregoi ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Bredshme, Kastriot Dervishi.Sistemi nuk ishte i çmendur të dorëzonte me duart e veta arkivin e krimeve. Në atë dreq burg janë vetvrarë dhjetëra fëmijë. Ata humbën jetën sepse donin të gëzonin fëmijërinë e tyre. Sistemi komunist ia mohoi, fatkeqësisht.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment