‘Drejtësi për Mateon’, familjarët protestë para burgut në Vlorë ku mbahet Çalamani

Ditën e sotme familjarët e 8-vjeçarit Mateo Vasiu po protestojnë në paraburgimin e Vlorës, aty ku ndodhet i izoluar vrasësi i fëmijës së tyre Klodian Çalamani.

8-vjeçari u vra dhe u gropos nga Klodian Çalamani më 16 nëntor, në një fshat të Fierit. Autori, ka qenë i dënuar më herët për pengmarrje.

Siç shihet edhe nga pamjet, me pankarta dhe thirrje me zë të lartë, familjarët tentojnë që të hyjnë në ambientet e burgut, ndërsa ata kërkojnë drejtësi.

Ka qenë nëna e të miturit, Florida e cila në orën 15:30 ka bërë denoncimin në polici, pasi djali i saj ishte zhdukur dhe për të nuk kishte asnjë gjurmë. Pas denoncimit, efektivët e policisë kanë nisur hetimet dhe nga kamerat e sigurisë u zbulua se komunikimi i fundit i të miturit ka qenë me Çalamanin, fqinji i tij.

Nisur nga kjo, efektivët i kanë shkuar në banesë, ku i riu është parë i shqetësuar, ç’ka ka ngritur dyshimet e Policisë, e për pasojë është shoqëruar në Komisariat. Gjatë marrjes në pyetje, ai është dorëzuar dhe ka pranuar krimin, ku përveç se e kishte vrarë, edhe e kishte groposur në oborrin e shtëpisë.

I mituri është goditur 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën 8-vjeçarit. Motivet e këtij krimi mbeten ende mister, se çfarë mund ta kenë shtyrë 38-vjeçarin të vrasë një fëmijë vetëm 8-vjeç.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment