Dy fjalë lexuesit për premtimet e PD-së dhe opozitën e Bashës

Nga Enton Palushi

Javët e para të këtij viti kanë rikthyer më fort se ndonjëherë sulmet ndaj Partisë Demokratike, sidomos nga ata që shprehen se po i bëjnë këto akuza nga fronti i opozicionit shqiptar. Nuk ka kurrfarë problemi që gjithkush të pretendojë se është në një front opozitar, sikundër gjithkush është i lirë të thotë dhe shkruajë atë që mendon për zhvillimet politike në vend.

Por e gjithë kjo seri kritikash ndaj Partisë Demokratike është ndërtuar e gjitha mbi një problem shumë të madh: akuzën se të gjithë palët janë njësoj, se të gjithë po bëjnë të njëjtën lojë, se të gjithë janë të pistë, se të gjithë janë të blerë, etj. Pretendimi më kryesor që buron nga këto akuza është se Partia Demokratike dhe Lulzim Basha nuk po mbajnë premtimet që i kanë bërë opozitarëve në këtë vend, çka i bën ata të ngjashëm dhe të barabartë me Edi Ramën, i cili nga ana tjetër po ashtu nuk i mban premtimet e tij. Për të sqaruar sidomos ata lexues që ndjehen të pezmatuar nga kjo situatë.

Nuk e njeh historia politike botërore këtë krahasim banal. Opozita nuk bën premtime, opozita bën beteja. Që të mos duket si një lojë fjalësh, natyrisht që opozita bën premtimet e saj, por ato marrin kuptim kur ajo vjen në pushtet. Nëse premton taksa të ulëta, rezultati do të shihet kur ajo të vijë në pushtet. Nëse premton shëndetësi më të mirë, frytet do të shihen kur ajo të marrë qeverisjen. Nëse premton arsim cilësor, edhe kjo do të provohet kur ata të marrin drejtimin e vendit. Me fjalë të tjera, premtimet janë diçka e lidhur ngushtësisht me pushtetin, sepse pushteti ka burimet për të materializuar premtimet.

Opozita bën betejat e saj, të cilat kanë për qëllim final marrjen e pushtetit. Por kjo nuk ndodh kaq kollaj, aq më tepër nuk ndodh kaq shpesh për shkak edhe të një paradoksi: në vendet perëndimore, sa më keq qeveriset, aq më shumë shtohen shanset që kryeministri të largohet; kurse te ne sa më keq qeveriset, aq më i vështirë bëhet largimi i kryeministrit. Gjatë betejave të saj, opozita përdor ato pak mjete që i lë në dispozicion demokracia, të cilat lidhen kryesisht me fjalën. Dhe kjo opozitë i ka përdorur dhe po i përdor ato mjete në mënyrën më të mirë të mundshme. Sigurisht retorika mund të ndryshojë në varësi të mjeteve që janë përdorur në lojën demokratike, por kjo nuk do të thotë që ta marrësh retorikën dhe ta shesësh për premtim të opozitës.

Të pretendosh se vetëm protestat, sidomos ato agresivet dhe të dhunshmet, do të sillnin rotacion pushteti, kjo do ishte sikur të kesh zbuluar ilaçin kundër kancerit. Por e gjitha kjo histeri kundër opozitës nuk e ka synimin te fakti që opozita nuk di të bëjë opozitë, por te diçka më e keqe: që opozita nuk dëshiron të vijë në pushtet. Madje për këtë nuk lënë as pa shpikur histori me tendera e miliona. Ky është një kontradiksion në terma, por është edhe një idiotësi. Megjithatë historia prej tri dekadash ka provuar se në Shqipëri janë prodhuar kaq shumë strategji antidemokratike dhe brutale kundër opozitës, sa të vinte një studiues i huaj i shkencave politike dhe të shqyrtonte frazologjinë parademokratike që është përdorur kundër opozitës në Shqipëri, do vinte duart në kokë.

Pra, me këtë parim, tani duhet të besojmë se ca analistë apo politikanë janë më të shqetësuar se vetë Partia Demokratike se përse ajo nuk po vjen në pushtet? Apo duhet të besojmë se disa gazetarë janë më të mërzitur se Lulzim Basha vetë se përse ai nuk po bëhet kryeministër? Apo duhet ta ‘hamë’ këtë historinë se ata janë të pikëlluar më shumë se opozita se pse nuk po largohet Edi Rama?

Historia antidemokratike e këtyre dekadave postkomunizëm në Shqipëri ka provuar se këto akuza vijnë kryesisht nga ‘frëngjitë’ e atyre që thonë se janë në opozitë. Të paktën të tregohen të sinqertë dhe të dalin hapur si të tjerët, që besojnë se ‘lideri global’ po sjell mrekulli jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment