Dy fjalë për Myfid Bej Libohovën

0
323

 

Myfid bej Libohova, diplomati i njohur i Perandorisë Osmane dhe krijuesi i asaj shqiptare, ishte tekniku që realizoi Bankën dhe monedhën kombëtare. Me emrin e tij janë të lidhura shumë aktivitete politike të para Luftës së Dytë Botërore. Për Eqerem bej Vlorën, ai ishte një burrë me cilësi dhe me një kulturë të madhe.

I biri i Neki Pashës nga Libohova, i njohur si guvernator i Gjirokastrës, një nga deputetët e Shqipërisë në Parlamentin e parë të Perandorisë Osmane dhe anëtar i Këshillit Perandorak të Shtetit Turk, Mufid Libohova rrjedh nga fisi i Arsllan Pashallinjëve të cilët kanë qenë për breza me radhë vezirët e Janinës dhe sundimtarët e Sanxhakut të Gjirokastrës e Delvinës dhe shumë herë dhe të krahinave të tjera.

Mufidi u lind në korrik të vitit 1876, në fshatin Libohovë, ku ishin sarajet e stërgjyshërve të tij. Kreu formimin shkollor fillestar në Liceun “Zosimea” të Janinës, ndërsa formimin e plotë e përfundoi në Liceun Perandorak të Stambollit në “Gallata Saraj”. Këtu pati gjuhë bazë frëngjishten, por më vonë ai ishte i aftë të komunikonte lirisht edhe në gjuhët turqisht, persisht, greqisht dhe italisht. Në Stamboll, Mufidi u diplomua në degën e drejtësisë. Pas kësaj ai shkoi në Lozanë, ku studio dhe u diplomua në Shkencat Politike dhe mori doktoraturën për Shkencat Politike.

Në vitin 1898, kur ishte vetëm 22 vjeç, u emërua në Ambasadën Perandorake turke, në Bruksel, ku brenda pak viteve u emërua i ngarkuar me punë i asaj Ambasade. Atje ndihmoi nacionalistët shqiptarë dhe veçanërisht kushëririn e tij, Ismail Qemalin, që botonte në atë kohë gazetën “Albanie” e më vonë “Le salut de l’Albanie”, e cila botohej në shqip, turqisht dhe greqisht.

Nuk ka qenë pjesëmarrës në Asamblenë Kombëtare në Vlorë gjatë shpalljes së Pavarësisë, që në datën 28 nëntor, por ka shkuar atje më vonë. Sipas dokumenteve arkivore, mbërritja e tij në Vlorë daton më 3 dhjetor 1912, së bashku me Petro Pogën, Fehim Mezhdigoranin, Jani Papadhopullin, Hysen efendi Gjinokastrën dhe Veli bej Klisurën në ditën e fillimit të mbledhjes së tretë.

Ai është ministri i parë për Punët e Brendshme i shtetit të pavarur shqiptar dhe më vonë ministër i Jashtëm, detyrë të cilën e mbajti deri në fundin e vitit 1913.

Libohova u dorëhoq nga ministër i Brendshëm në fillim të korrikut 1913, duke i lëshuar vendin Esad pashë Toptanit dhe u caktua ministër i Jashtëm, por pak më vonë u kërkua si i përzgjedhur nga ndërkombëtarët për t’u caktuar përfaqësues i parë i Shqipërisë në konferencën e Londrës dhe anëtar i Komisionit të Kontrollit Ndërkombëtar (KNK) për problemet e Shqipërisë.

Kur dha dorëheqje Ismail Qemali, më 16 janar 1914 Mufid Libohova, mori kompetencat e kryeministrit.

Ai ka mbështetur ardhjen e Princ Ëied-it në vitin 1914, pas dorëheqjes së qeverisë së brishtë të Vlorës, dhe ka asistuar në pritjen e tij në Durrës. Në kabinetin e Princ Ëied-it, (kryeministër Turhan pashë Përmeti) i ka lëshuar vendin në KNK Mehdi Frashërit dhe më 14 mars 1914 është emëruar në detyrën e ministrit të Drejtësisë dhe të Kulteve. Pak më vonë Libohova zëvendësoi Gaqo Adhamidhin në postin e ambasadorit shqiptar në Romë. Më 28 maj 1914 u caktua në postin e ministrit të Drejtësisë në qeverinë e dytë të Turhan pashë Përmetit.

Në vitin 1914, me fillimin e Luftës së Parë Botërore dhe ashpërsimin e gjendjes së brendshme në vend, ka shkuar në Zvicër, së bashku me përfaqësinë shqiptare dhe më vonë, prej andej, në Korfuz, për të ndjekur më nga afër çështjen shqiptare. Më 1914 ka qenë pjesëmarrës në konferencën e Berlinit, si përfaqësues ballkanik.

Njeriu që krijoi Lek-un

Në qeverinë e Ahmet Zogut, që do të vijonte, ai do të ishte njëkohësisht ministër i Frinancave, Drejtësisë dhe Punëve të Jashtme. Nga veprimet më të matura të Zogut në atë kohë ishte krijimi I Bankës Kombëtare dhe nga veprimet e para ishte huaja e madhe, që ka marrë nga Italia për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërkohë, një nga meritat më të mëdha të Libohovës ishte se ai ishte teknicieni, që realizoi të gjithë operacionin si edhe krijimi i “Lek-ut”, monedhës kombëtare. Falë huasë italiane, Shqipëria bëri korpusin e ministrive dhe shumë investime në fusha që i interesonin. Si për ironi, këto ndërtesa janë ende pasuri e madhe e kombit shqiptar dhe tepër funksionale.

Qeveria vazhdoi deri në vitin 1927, sepse ishte Myfid Beu, që nuk mund të duronte, që të drejtohej nga pothuaj një i pashkollë si Ahmet Zogu. Në mënyrë të moderuar, ai i bëri të qartë se nuk pranonte uljen e potencës së Parlamentit dhe doli hapur kundër faljes së Shën Naumit –serbëve.

Vitet e fundit të jetës i shfrytëzoi, që të shkonte tek i biri, Maliku në Paris. Atë e kishte me gruan e parë turke dhe i biri ishte I Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Paris. Teksa kthehej në Sarandë do të vdiste në moshën 51 vjeçare në shkurt të vitit 1927. U varros në Libohovë pranë të gjyshes, motrës së Ali Pashë Tepelenës, Shanishasë.

Libohova, me insistimin e tij, ishte bërë një qytet.

Ai kishte bërë rrugën që e lidhte me qytetin, ndërsa do t’i falte Bashkisë së Gjirokastrës sheshin kryesor të qytetit, që ishte pronë e familjes, si edhe një dhuratë financiare prej 5000 napolonash për krijimin e Liceut të qytetit.

Ai i rregulloi ujin qytetit të Libohovës dhe me duart e tij mbolli dy rrape të mëdha që për shumë kohë kanë bërë hije në sheshin kryesor të qytetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here