Edhe Japonishtja dege e Pellazgjishtes/ Nga doct’orr-profes’horr Arqile Garo

0
250

Sipas të dhënave të fundit të botuara nga katedra supreme e Studimeve Pelazgjike të Universitetit të Kërrës në Dropullin e Sipërm edhe japonishtja nuk na qënkërka tjetër veçse një degëzim i pelazgjishtes së hershme. Profesoret e këtij Institucioni me famë ndërpelazgore, pas meditimeve të stërmundimshme konkludojnë se:

Konstrukti bazë i japonezçes, “Samuraj” vjen nga togëfjalëshi pelazgjik “Sa – Me – I (E) – Rra (h)”, siç përdoret akoma edhe sot në djalektin gëgënisht ose përshtatur në toskërisht, “sa – ti – heq – një – të – rrahur”. Në bazë të dokumentacionit të rrallë që disponon ky Universitet kjo fjalë u shpik nga pelazgët, që ishin përdoruesit e parë të hurrit prej lisi, për të përcaktuar trimin, guximtarin, të çarturin, atë domethënë që “të rreh e s’ ta bo t’ gjatë”.

Bile njëri prej këtyre të diturve të Kërrës, një kandidat shkencash i quajtur Ha – Lekësi pararendës i Aleksit të sotëm, shkon edhe me thellë dhe pretendon se fjala fillestare në vitet propelazgore është “Sa – më – e – hu – rrah” me fjalë të tjera dhe e sjellë në djalektin e sotëm, “sa t’ i fut një të rrahur me hu!”

Nga kjo, ngul këmbë ky Ha – Lekësi, vjen dhe fjala “Hu – rraaah!” ose “Urraaah!”, kushtrim luftarak pelazgor që e përdornim edhe ne në zborr, para se të sulmonim me bajonetë mbërthyer armikun imagjinar që kërcënontë fitoret e socializmit në vend.

Sipas fjalorit të gjuhes së sotme shqipe:

rrah kal.

1.Qëlloj dikë me dorë, me shkop a me diçka tjetër disa herë, duke i shkaktuar dhembje; i bie. E rrahu djalin (vajzën). E rrahu fort (shumë, rëndë, tepër, paq, keq).
E rrahu me pëllëmbë (me grushte, me thupër, me shkop, me kamxhik, me kërbaç).
E rrahu për vdekje.

Më vonë kur hunjtë u zëvendësuan nga shpata, është pikërisht kjo fjalë që u adaptua dhe përcakton “Sa – më – i – rrah – ësin” më pas “Sa – më – rrahsin”, “Sa – më – rrajsin” që nga fenomenet gjuhësore dhe veçoritë e japonishtes, degradoi në “Samuraj”, siç përdoret rendom edhe sot në japonezçe e në gjuhë të tjera të globit.

Burrat e mënçur të katedrës së lartpërmendur, thonë se këtë supërzbulim vjen ta përforcojë e t’ i vërë pikën, përpos të tjerave, edhe fakti i trimërisë së rrallë të pelazgëve, gjë që Samurajtë Japonezë ndoshta nuk arriten ta përfeksionojnë, por tek ne shqipëtarët e sotëm, që jemi pa dyshim pasonjës direktë e trashëgimtarë ekskluzivë të virtytëve pelazgore, kjo veti, trimëria e pashoqe domethënë, nuk lyp as mend as kalem që ta dallosh.

Letër nga një kënduese e vëmendshme

“Joan OfKraa: Kinezërishtja do ishte më e saktë, më falni që guxoj t’ju korrektoj profesor, por për ti qenë sa më afer analizës llogjike: shkak marr nga banorët e Kërrës të cilët në shumicën dërmuese të tyre quhen Zhong-që ne kinezçe do të thotë i devotshëm, besnik, i ndershëm, vetvetiu llogjika të çon se kinezçja është degë e pelazgjishtes pasi për më tepër ka huazuar terminologji që karakterizojne vetëm banorët e fshatit Kërrë”.

Po zonjë…

Ka plot emra kineze me rrënjë pelazgore siç: Liu Pi Çaj, Qi Fen U, Gung Ha Çi (që vjen nga gungaçi, kurrizua)… ecetera, ecetera.

Një e njohura ime kineze e ka emrin Su Qi Sot (!)

Arqile Garo
doct’horr – profes’horr i shkencave hajvaneze.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here