“Edhe Shqipëria rrezikohet nga zjarret e mëdha”, apeli i fortë për qytetarët

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Shkëlqim Goxhaj ka bërë një apel për të gjithë qytetarët shqiptarë, që në asnjë lloj mënyre të mos provojnë të djegin mbeturinat apo tokat bujqësore, pasi rreziku për një tragjedi si ajo që po ndodh në Greqi, do të jetë shumë i lartë.

Ne nje pronocim per mediat News, z.Goxhaj tha se një zjarr i përmasave të mëdha, mund të jetë shumë herë më i rrezikshëm për jetët e njerëzve sesa 500 zjarre të vogla.

Drejtuesi i shërbimit zjarrfikës shtoi se në Shqipëri rrallë herë ndodh që zjarri të shkaktohet nga i nxehti. Ai evidentoi se në të shumtën e rasteve zjarret krijohen nga dora e njeriut.

Ai apeloi që sidomos gjatë kësaj stine të nxehtë, shqiptarët të mos përdorin zjarrin për të shkatërruar apo djegur.

“Nuk mund të themi se kjo verë ka kaluar dhe ne kemi kaluar situatën e vështirë, sepse papritur një zjarr me përmasa të mëdha mund të shkaktojë dëme që nuk i shkaktojnë as 500 zjarre të përmasave më të vogla.

Zjarri është i paparashikueshëm dhe nuk e dimë si do të ballafaqohemi.

Kryesorja është që ne të jemi të përgatitur, jo vetëm punonjësit e shërbimit zjarrfikës, por edhe institucionet e tjera përkatëse që mbulojnë këto situata emergjente.

Ne besojmë fort në parandalimin e këtyre ngjarjeve.

Dihet se rrallë mund të ndodhë që zjarri të vijë nga temperaturat, ai vjen më së shumti nga pakujdesia, nga dora e njeriut.

Ndaj i bëjmë thirrje qytetarëve që sidomos në periudhën korrik, gusht, shtator mos përdorin zjarrin për të eliminuar mbeturina apo për të hapur toka të reja”, tha Goxhaj.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment