Emin Riza: Kumbaro, të gjejë 236 monumentet kulturore, interpretim diletantesk i ligjit nuk e shpëton nga përgjegjësia

0
362

Referuar Gazetës “SOT”

Akademiku Emin Riza hartues i dosjes së Gjirokastrës në UNESCO kundërshton Ministrinë e Kulturës, duke pohuar se monumente kulture të kategorisë së dytë kanë qenë të gjithë ndërtimet e pacilësuara të kategorisë së parë, që janë brenda kufijve të qendrës historike. Në një intervistë për “SOT”, akademiku Riza tregon punën që është bërë për plotësimin e dosjes për në UENSCO. Sipas tij, i takon Ministrisë së Kulturës të sqarojë se ku është pjesa tjetër e monumenteve të kategorisë së dytë, duke e cilësuar një absurditet që ka mospërputhje të numrit të monumenteve të listës së UNESCO-s me atë të ministrisë. Sipas tij, problemet vijojnë se nuk pyeten specialistët dhe kjo që po ndodh është e dëmshme për trashëgiminë kulturore.

-Jeni hartues i dosjes së qytetit të Gjirokastrës për në UNESCO, një qytet që ka pasur jo pak probleme me monumentet e kulturës. Nëse kthehemi pas në vite, çfarë mund të na thoni për punën tuaj në hartimin e dosjes?

Dosja e Gjirokastrës për UNESCO ka qenë një dosje në të cilën bëheshin pyetje mbi karakterin e qendrës historike, monumenteve, etj. Dhe kërkesa për t’u përfshirë një monument në termin pasuri botërore duhej të bëhej duke plotësuar këtë formular të UNESCO-s. Plotësim i formularit të UNESCO-s duhej të bëhej patjetër nga një specialist i njohjes së vlerave të Gjirokastrës dhe në përgjithësi të vlerave të monumenteve në Shqipëri. Për arsyen se unë isha marrë që prej viteve 1968-‘70 me Gjirokastrën m’u ngarkua përmbushja e dosjes, plotësimi i saj. Çova dosjen e parë, por m’u bënë dhe kërkesa të tjera. Janë dërguar 3-4 herë dosje deri sa më në fund Gjirokastra u shpall pasuri botërore. Por aty në kërkesë nuk janë shënuar emërtimet e adresave dhe pronarëve të monumenteve të kategorisë së dytë.

-Në një reagim të saj, Ministria e Kulturës pohon se deri në vitin 2013, Gjirokastra kishte të shpallura në qytet vetëm 71 monumente, duke përfshirë edhe qendrën historike, në 2016 shpallen 323 monumente. Pra sipas saj në total kemi në listë 394 monumente dhe 323 monumente janë të kategorisë së dytë. Sa e vërtetë është kjo?

Ky është një absurditet! Kur u shpall Gjirokastra, Berati dhe qendra të tjera historike më të vogla si në Shkodër, Vlorë apo Elbasan ku të gjithë ndërtimet që janë brenda kalasë së Elbasanit janë të kategorisë së parë ato që janë të cilësuar, të tjerat janë të kategorisë së dytë. Unë jam specialist dhe e di këtë punë. Në Gjirokastër, monumente kulture të kategorisë së dytë kanë qenë të gjithë ndërtimet e pacilësuara të kategorisë së parë, që janë brenda kufijve të qendrës historike. Pra të gjithë ndërtimet brenda qendrës historike të Gjirokastrës, të cilët nuk janë të cilësuar monumente të kategorisë së parë janë automatikisht të kategorisë së dytë. S’e kuptoj çfarë ka shpallur Ministria e Kulturës, kur ato kanë qenë të shpallura si monumente të kategorisë së dytë? Janë pjesë e qendrës historike, si i shpalli tani? Kanë qenë të shpallura monumente të kulturës së kategorisë së dytë, por jo të cilësuar për çdo objekt. Si të thuash të gjithë banorët e lagjes numër 5, por jo duke thënë se cilët janë këta banorë. Le të marrin dhe të shikojnë rregulloren e qytetit muze të Gjirokastrës të 1973 dhe aty janë.

– Çfarë vlere kanë për ansamblin, monumentet e kulturës së kategorisë së dytë?

Monumentet e kulturës së kategorisë së dytë kanë vlerë dytësore kryesisht si pjesë e ansamblit arkitekturor, që është qendra historike.

-Janë dokumentuar përmes rilevimeve, ka dokumentacion për to në Arkivën e IMK?

Në ato monumente të kategorisë së dytë në të cilën janë kryesore punime restaurimi janë të dokumentuara. Në ato vite aq ishin forcat, duheshin rilevuar të gjitha ato që u shpallën monument kulture, dhe ishin me qindra monumente. Nuk kishim personel atë kohë, vetëm 3-4 skicografë. Nuk e kemi bërë s’e nuk e dinim a duhesh bërë, por aq kishim mundësitë. Duheshin bërë projektet e restaurimit, që ishte puna kryesore. Para se të bëhej restaurimi duhej të bëhej rilevimi i hollësishëm i monumentit, duheshin bërë botimet. Që të bëheshin botimet duhej që të hidheshin skicat, etj. Sektori i banesës popullore tre skicografë kishte. Ndaj nuk mund të kërkonim ti bënin të gjitha rilevimet e monumenteve të kategorisë së dytë, sepse nuk arrinim dot. Por ato që janë bërë, janë në arkivin e IMK.

-Shpallja në grup përmes rregullores së viti 1973 dhe hartës, është ligjërisht korrekte? Pse Ministria e Kulturës e konsideron këtë lloj shpallje si jo shpallje nisur nga reagimi i saj, që vetëm 71 kanë qenë të shpallura?

Kjo është absurde. Ky është një keqinterpretim foshnjarak, diletantesk, keqinterpretim diletantesk i atyre që marrin emrin Ministri Kulture. Nuk e bën ministria, por e bën ndonjë specialist që e ka caktuar ministria. Shpallja në grup përmes rregullores së viti 1973 dhe hartës nuk është kundër ligjit, sepse kështu ka qenë atë kohë. Le të konsiderojë ç’të dojë ministria. Thotë një mendje e shquar botërore: nuk ka ligje, ka interpretime. Edhe këtu ligjet janë të sakta interpretimet janë të ndryshme. Dhe unë po them, që ky interpretim që i është bërë ligjit të 1973 është i gabuar. Nuk janë 71 monumente, por janë aq sa janë plus monumentet e kategorisë së dytë.

-Ministria ka përcjellë për mediat listën me 323 monumentet e kulturës së kategorisë së dytë, ndërkohë që lista e UNESCO-s ka një shifër 559 monumente. Kemi një mospërputhje të numrit të monumenteve të kategorisë së dytë. Në gjykimin tuaj?

Kjo është një mospërputhje, që tregon që institucionet shqiptare që direkt ose indirekt merren me mbrojtjen e monumenteve të kulturës nuk janë në dijeni të saktë mbi numrin e monumenteve të kulturës. Pra është një gjendje e pashpjegueshme dhe e dëmshme. Le të na e sqarojë ministria se ku është pjesa tjetër e monumenteve të kulturës. Unë nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj mospërputhje me numrin e monumenteve te listat e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe UNESCO-s, që është skandaloze. Unë besoj që mund të jetë ndonjë gabim. Këtu dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës ka përgjegjësi, sepse ai është organi profesional. Por IMK varet nga Ministria e Kulturës, që sigurisht dhe ministria ka përgjegjësi për këtë mospërputhje me numrin e monumenteve në lista.

-Pra, ju e quani skandaloze këtë që po ndodh me listat e monumenteve?

UNESCO nuk ka pse të mashtrojë me numrin e monumenteve, këtë duhet ta kuptojmë. Është një mospërputhje e numrit të monumenteve të kulturës, mund të jenë gabime të karakterit profesional, nuk janë të dhëna të para me seriozitet. Dhe sigurisht që IMK ka përgjegjësi.

-Ju lexuat reagimin e Ministrisë së Kulturës për numrin e monumenteve, e cila lajmet që janë publikuar deri tani i cilëson të pavërteta. Si e shikoni reagimin e ministrisë?

Duhet të kemi përputhje me numrat në listat e monumenteve, nuk mund të jetë 559 e barabartë me 323. Sigurisht që duhet të dalë cili është numri i vërtetë i monumenteve të kulturës. I takon Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës ta sqarojnë këtë çështje. Eventualisht ti thonë UNESCO-s e ke gabim, ose të thonë që ne e kemi gabim. Numri i monumenteve të kategorisë së dytë që ka UNESCO duhet të jetë i barabartë me numrin e monumenteve që ka ministria, siç duhet të jetë dhe numri i monumenteve të kategorisë së parë. Le ta gjejë ministria, ku kanë shkuar monumentet. Duhet ta zgjidhë këtë çështje IMK me Ministrinë e Kulturës, ju thashë më duket absurde. Është njëlloj sikur të thotë dikush që Gjirokastra ka 20 mijë banorë dhe një tjetër 40 mijë? Kjo duhet zgjidhur. Kur lexova u trondita, sepse mendova që ato banesa që janë hequr nga lista si monumente të kategorisë së dytë pa u cilësuar si monumente këtej e tutje ato do të shkatërrohen, ku të tillë quaj dhe ndryshimin, por siç më komunikuan ato nuk do të cënohen. Kjo më qetësoi, por unë edhe me gjithë këtë qetësim duke marrë parasysh mundësinë e shkatërrimit dhe ndryshimit të thellë të tyre sërish jam i mendimit që nuk duhen hequr nga lista e monumenteve të kategorisë së dytë. Si specialist them që nuk duhet të hiqen nga lista e monumenteve të kategorisë së dytë, sepse nesër Shqipëria dhe Europa do të interesohen më shumë për këto vlera. Do kemi para më shumë dhe do të bëjmë ndërtime të rregullta restauruese, ndërkohë ti mbajmë sa mundemi. Heqja e cilësimit monument i kategorisë së dytë për mua është heqje nga lista. Por ato sipas ministrisë edhe pse janë hequr nga lista, meqë janë brenda zonës historike nuk do të ndryshojnë në pamjen e tyre të jashtme dhe në vëllimet e tyre. Duhet në rregulloret e qyteteve muze dhe të qendrave historike të Shqipërisë të thuhet, që brenda qendrave historike përveç monumenteve të kategorisë së parë dhe monumenteve të kategorisë së dytë ka edhe ndërtime të pacilësuara monument, të cilat meqë janë pjesë e qendrës historike ruhen në pamjen e jashtme dhe në formulimin vëllimor. Por e them sërish, kur ka mospërputhje me listat në shifra, atëherë kanë hequr. Kjo del nga kjo që shohim. Meqë e kanë hequr nga lista e kategorisë së dytë se ka në listë ministria. Por unë nuk do ti kisha hequr këto monumente nga cilësimi i tyre monument i kategorisë së dytë. Pse e them këtë? Sepse siç pohova nesër Shqipëria gradualisht do të fillojë të ketë fonde, do fillojnë dhe organizatat ndërkombëtare të sensibilizohen më shumë për vlerat e trashëgimisë botërore që ka Shqipëria, dhe fondet për restaurime dhe mirëmbajtje do të shumohen.

-Sa jeni thirrur nga Ministria e Kulturës për këtë që po ndodh me Gjirokastrën?

Nuk di të jem thirrur nga Ministria e Kulturës.

-Jeni hartues i dosjes për në UNESCO?

Po edhe? Kush pyet për hartuesin e dosjes? Në Shqipëri im atë në vitin 1938 ka bërë një artikull “Diletantizmi dhe zanati”. Unë jam 80 vjeç sot dhe do të bëj një artikull të dytë “Diletantizmi dhe zanati 2”. Pra artikull në kushtet e reja sot. Pra pas kaq vitesh, që im atë ka shkruar artikullin sërish në Shqipëri në shumicën e rasteve sundon dilentantizmi. Bartës kryesorë të të cilit janë qeveritarët. Meqë dikush bëhet ministër, mendojnë se i dinë të gjitha. Kjo është një e metë e madhe për Shqipërinë, sepse ata nuk pyesin për specialistët. Edhe ky rast me Gjirokastrën këtë tregon, ndaj nuk është për tu çuditur që mua nuk më ka pyetur Ministria e Kulturës apo të tjerë që janë specialistë të fushës.

-Ju gjithmonë keni qenë kritik ndaj Ministrisë së Kulturës për çfarë ndodh në Gjirokastër, por dëmtimet duket se vazhdojnë?

IMK nuk ka përgjegjësi, sepse nuk ka fonde. Si mund të bëhet restaurimi pa para? Ne kur ishim në kohë të diktatorit për monumentet e kulturës ai sistem ka qenë jashtëzakonisht pozitiv. E kam shoqëruar rreth viteve ’80 në Shqipëri Xhevat Erderin kryetar i Qendrës Ndërkombëtare të Restaurimeve në Romë, që tha: “Qendra Ndërkombëtare e Restaurimit të Monumenteve duhet të vijë nga Roma në Shqipëri”. U habit nga kushtet në të cilat ishin veprimtarët për vlerësimin e monumenteve të kulturës në Shqipëri. Pas viteve ’90 kur erdhi demokracia që unë se marr vesh se çfarë demokracie është, IMK ka vetëm një makinë që e përdor drejtori. Në atë kohë ne kishim 5 makina se do të shkonim të kontrollonim monumentet. E kam thënë dhe më parë, sot nuk dihet gjendja e monumenteve të kulturës në Shqipëri. Duhet të shkosh ta kontrollosh minimumi dy herë në vit gjendjen e tyre.

 

Intervistoi: Julia Vrapi

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here