ERRU: Ujësjellësit, probleme të mëdha me financat, shtuan punonjës për zgjedhje

0
136

Sektori i furnizimit me ujë dhe kanalizime u përkeqësua gjatë 2019-ës, në raport me vitin 2018. Sipas Raportit Vjetor të Entit Rregullator të Ujit, treguesi kryesor që ka ndikuar në këtë situatë është mbulimi i kostove të operimit dhe mirëmbajtjes që ranë 108.3% nga 119% që ishte një vit më parë. Ndërkohë që treguesi i ujit pa të ardhura, pra i ujit që nuk faturohet, mbeti në të njëjtat nivele të larta prej 63%.Sipas ERRU-së, sektori paraqitet me probleme mjaft të mëdha në drejtim të performancës financiare ku vetëm 13 shoqëri arrijnë të performojnë mbi 100% të mbulimit të Kostove të O&M, ndërsa vetëm 4 prej tyre arrijnë të mbulojnë edhe Kostot Totale. Ndërkaq, sa i takon “efiçencës së stafit”, për 2019-ën treguesi u regjistrua në  5.31 punonjës për 1000 lidhje UK, me një përmirësim të papërfillshëm prej 0.04%. Gjatë vitit 2019 numri i lidhjeve të ujit është rritur me rreth 24,349 lidhje dhe ai i kanalizimeve me rreth 31,582 lidhje, por nuk ka patur efekt pozitiv në përmirësimin e këtij treguesi sepse gjatë vitit 2019 në total stafi i shoqërive UK në sektor është rritur me 254 punonjës.Kjo pavarësisht faktit se reforma në sektorin e ujit kërkon një reduktim të numrit të punonjësve.  Sipas ERRU-së shoqëritë e ujësjellës-Kanalizimeve janë të mbingarkuara me punonjës të pajustifikuar, rritja e të cilëve është evidente sidomos në vitet zgjedhore siç ishte viti 2019.  Ndërkaq, kohëzgjatja e Furnizimit me Ujë” është përmirësuar si tregues 13.2 orë/24 kundrejt 12.7 që ishte përgjatë vitit 2018, ndonëse sipas Entit raportimi i këtij treguesi duhet marrë me rezervë, pasi ai vlerësohet apriori dhe jo në vlerësime të hollësishme sipas zonave shpërndarëse të shërbimit. Sipas Strategjinë Kombëtare të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve, 2020-2030 të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, planifikohet në furnizimi 24 orë me ujë të arrihet në vitin 2029.Referuar dokumentit synohet një rritje graduale e këtij treguesi, ku për vitin 2021 synohet një rritje e ndjeshme, duke arritur në 20 orë/ditë. Megjithatë, duke qenë se sektori paraqet një sërë problematikash, kërkohen edhe financime të mëdha për të arritur këto objektiva. Sipas përllogaritjeve  kosto e përgjithshme për investime në infrastrukturë arrin në rreth se 1.5 miliard euro, ndërsa hendeku financiar përfundimtar është rreth 30% e kostos totale të strategjisë. Për këtë arsye strategjia kërkon që kostot e operimit, mirëmbajtjes dhe investimet në shërbimin me ujë të financohen përmes tarifave, taksave dhe transfertave, ku duket se peshën kryesore do e mbajë rritja e tarifave që paguhen nga qytetarët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here