Eurodeputeti gjerman i kërkon Shqipërisë të ndalojë “vrasjen masive” të qenve të rrugës

Eurodeputeti gjerman Martin Buschmann u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të ndalojnë “vrasjen masive” të qenve të rrugës, duke ngritur çështjen e trajtimit të kafshëve në vend në kuadër të përpjekjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE. 

Përmes një postimi në Facebook, eurodeputeti shkruan se Shqipëria është një vend kandidat për në BE që nga viti 2014, por deri më tani nuk ka arritur të përparojë drejt fillimit të negociatave të anëtarësimit. 

“Shqipëria është afër fillimit të negociatave me BE-në… Megjithatë, duhet shtruar pyetja legjitime nëse Shqipëria i plotëson edhe kriteret për anëtarësim. Vendi vazhdon të luftojë me një proces rraskapitës reformash,” shkroi eurodeputeti në një postim të gjatë në Facebook.

Më tej eurodeputeti shkruan se Shqipëria duhet të ndjekë rregulloret e BE-së dhe për mbrojtjen e kafshëve.

“Si një kandidate për anëtarësim, Shqipëria duhet të ndjekë edhe rregulloret e BE-së për mbrojtjen e kafshëve.”

Ai vuri në dukje urdhrin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të rifilluar sterilizimin masiv, duke pretenduar se kjo u pasua nga një “vrasje masive e ligjshme” e qenve.  Në fund eurodeputeti shtron pyetjen se si do të ndikojë kjo çështje në negociatat e Shqipërisë për të hyrë në BE, kur në vend mungon çdo standard minimal për mbrojtjen e kafshëve.

Kafshët kapen dhe nuk sterilizohen në institucionet publike, por vriten me injeksion acidi. Kufomat më pas hidhen në landfillet e bashkisë. Duhet të supozojmë se mijëra qen rrugësh kanë ngordhur [në] këtë mënyrë mizore vitet e fundit.  Si do të ndikohet në perspektivat e fillimit të negociatave të hyrjes me Shqipërinë nga fakti se Shqipërisë duket se i mungojnë çdo standard minimal në mbrojtjen e kafshëve”, shkruan ai. 

Animal Rescue Albania zbuloi në fillim të këtij viti, në një video të postuar në rrjetet sociale, se qenve të rrugës po u jepen injeksione vdekjeprurëse në Tiranë, gjë që shkaktoi një protestë në kryeqytet. 

Pas apelit të Buschmann, Animal Rescue Albania lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se bashkitë e qyteteve të tjera shqiptare vrasin qentë endacakë duke i helmuar ose qëlluar. 

Në kryeqytetin e Tiranës, punonjësit e bashkisë i marrin qentë nga rrugët me justifikimin e ‘sterilizimit’ dhe i vrasin, siç tregohet në videon e marrë nga kamera e fshehtë. Trupat e qenve të vrarë i fusin brenda qeseve të zeza dhe në fund i hedhin në landfillin e Sharrës”, shkruan Animal Rescue Albania. “Bashkia e Pogradecit i mban të lidhur qentë dhe i lë të vdesin pa ushqim e ujë derisa të ngordhin. Kjo ndodh çdo ditë.”

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment