FOTO/Investitorë turq të gatshëm për Gjirokastrën, kryebashkiakja Zamira Rami pret ambasadorin e Turqisë

Turqia po shtrin influencën e investimeve edhe në Gjirokastër. Potenciali turistik që ka qyteti i Gjirokastrës, po nxit gjithmonë e më tepër interesin e investitorëve turq që të eksplorojnë një terren deri më tani paksa të panjohur.

Nisur edhe nga lobimi shumë i fortë që ka ndërmarrë Bashkia e Gjirokastrës tek guidat e ndryshme turistike kryesisht ato të huaja, ka shtyrë përfaqësuesin e shtetit turk në Shqipëri, që të njihet pikërisht me asetet që disponon qyteti i gurtë.

Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami, është bërë pritëse sot e ambasadorit të Republikës së Turqisë të akredituar në Tiranë Murat Ahmet Yörük. Zonja Rami e ka njohur nga afër diplomatin turk, me funksionimin e pushtetit vendor, investimet e kryera përgjatë tre viteve të fundit që janë të prekshme për cdo banor të qytetit dhe që arrijnë në mbi 12 milionë euro, si dhe krijimin e mundësive të bashkëpunimit përmes donatorëve të ndryshëm në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të potencialit turistik të Gjirokastrës.

Për kryebashkiaken Rami, vizita e ambasadorit të Turqisë në Gjirokastër është sinjal i qartë sesi Gjirokastra ka prekur vëmendjen e përfaqësuesve të huaj në Shqipëri dhe misioneve të tjera.

Si një qytet që prej 13 vitesh është pjesë e pasurisë së UNESCO, Gjirokastra përmbush më së miri kushtet për të investuar biznesmenë turq të cilët janë mëse të mirëpritur të pasurojnë potencialin turistik të qytetit tonë-është shprehur Rami.

Ndërsa ambasadori turk Murat Ahmet Yörük, ka vlerësuar zonjën Rami për punën e kryer në drejtim të Bashkisë dhe njëkohësisht, ka premtuar lobim në qarqet e investitorëve turq që të vijnë dhe të investojnë në Gjirokastër pasi pasuritë e shumta që mbart, janë një nxitje jo vetëm për investitorët bashkombas të tij, por edhe për të tjerë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment