FOTO/Stuhia bën namin në rrjetin e korrentit, OSHEE Rajoni Gjirokastër riparon defektet në kohë rekord

Koha shumë e keqe që mbizotëroi në orët e vona të natës deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, u shoqërua me dëmtime të konsiderueshme të linjave përcjellëse dhe rrjetit elektrik në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës.

Burime nga OSHEE Rajoni Gjirokastër, konfirmojnë se u dëmtuan disa linja të tensionit të ulët dhe të mesëm ndërkohë që 27 fidra u stakuan.

Stuhia e natës, e shoqëruar me shkarkesa atmosferike, shkaktoi rrëzim të pemëve mbi përcjellësit elektrik, duke i këputur dhe thyer izolatoret ndërkohë që nuk janë përjashtuar edhe bashkim përcjellësash në linjat e tensionit të mesëm.
Nga të gjitha këto, OSHEE Rajoni Gjirokastër ka konstatuar dëme prej materialeve të forta për shkak të erës së fortë në formë cikloni duke lënë pa energji elektrike fshatrat e Tepelenës në Krahës, Dragot, Kurvelesh, Luftinjë, Ane Vjosë ndërsa në Gjirokastër kanë ngelur pa rrymë elektrike zona e Lunxhërise, Zagorie, Cepo, Lazarati dhe Dropulli.

Kreu i OSHEE Rajoni Gjirokastër Rober Lili konfirmon për Jugunews.net se prej orëve të para të mëngjesit, brigadat e terrenit punuan intesivisht për riparimin e defekteve cka realizuan në një kohë sa më të volitshme, kthimin gjendjes në normalitet.

Sipas zotit Lili, vetëm katër fidra rezultojnë të jenë jashtë funksionit në të gjithë Rajonin e Gjirokastrës, ndërkohë që puna vazhdon nga brigada e avarisë në terren, për riparimin e defekteve dhe rikthimin e normalitetit në furnizimin me energji elektrike.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment