FOTO/Sekuestrohet drogë dhe armë, por autorët në arrati

0
359

Dy operacione në terren nga Policia Rajonale e Gjirokastrës, janë finalizuar me mijëra rrënjë bimë narkotike të shkatërruara, drogë të gatshme për t’u presuar, armë dhe municione ndërkohë që asnjë posedues në pranga. Burimet nga vendi i ngjarjes, kanë konfirmuar për jugunews.net se operacionet policore, janë shtrirë në zonën e Tepelenës dhe të Përmetit me qëllim, evidentimin dhe goditjen e vend magazinimit të bimëve narkotike. Gjatë orëve të mbasdites së të martës, Policia Rajonale, ka organizuar dy operacione antikanabis në terren duke angazhuar 70 forca policore. Operacioni i parë është ndërmarrë në territorin e fshatit Panarit, në Njësinë Administrative Dishnicë në Përmet. Uniformat blu në vendin e quajtur “Sheshi i Gjatë”, kanë zbuluar në një kasolle në brendësi të pyllit, 1300 bimë kanabis të varura në proces tharje, si dhe një thes me rreth 10 kg me boçe kanabis të tharë. Policia mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, ka shpallur në kërkim S.D. si posedues i kësaj sasie narkotike. Ndërsa operacioni i dytë, u zhvillua në territorin e fshatit Izvor në pjesën verilindore të Tepelenës, ku u zbulua një kapanon brenda të cilit u gjetën një automatik model “56”, një pushkë 10-she, tetë thasë me kanabis me peshë 75 kg, si dhe 1000 bimë kanabis në proces tharje. Policia ka shpallur në kërkim poseduesit A.P dhe M.O nga fshati Izvor. Një sasi e lëndës narkotike dhe armët e zjarrit, u sekuestruan në cilesinë e provës materiale, ndërsa bimët narkotike dhe pjesa tjetër e saj në të dy operacionet, u asgjesuan me anë të djegies. Policia ndërkaq, po vijon punën për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve, përfshirë edhe kapjen e personave të mësipërm.

img-20161101-wa0002 img-20161101-wa0004 img-20161101-wa0008

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here