Fshatrat ‘fantazëm’ të Gjirokastrës

0
152

Prej kohësh Gjirokastra po kalon një periudhë të errët për sa i përket largimit të banorëve drejt kryeqytetit apo jashtë shtetit. Zbrazëtia ka ndikuar direkt në ekonominë e këtij vendi duke u kthyer në një plagë të thellë sociale së cilës nuk po i gjendet ilaçi për ta “shëruar”. Por nëse ky fenomen është përhapur në qytet , ajo çfarë ndodh në fshatrat përreth është akoma edhe më e keqe.
Fshatrat Tranoshishtë apo Saraqinishtë pjesë e Komunës së Antigonesë janë kthyer në fshatra ‘fantazëm’.
Banorët i kanë braktisur shtëpitë e tyre për të emigruar gjetkë. Ndërsa ata pak banorë që kanë mbetur janë të moshës së tretë . Janë shumë pranë Antigonesë , parkut antik, i cili vizitohet nga turistët për shkak të vlerave historike dhe kulturore që mbart por gjithçka fillon dhe mbaron aty për këtë zonë të qarkut të Gjirokastrës.Më tej është qetësi. Të rinj nuk bëhet fjalë të ketë por as në periudhën e festave këto fshatra nuk arrijnë të ” popullohen” disi, pasi ata që kanë ikur prej fshatit nuk e kanë marr më mundimin për ta kthyer kokën pas.
Rreth 50 banorë numërohen në fshatin Tranoshishtë, kryesisht pronarët e shtëpive janë nga mosha 65 vjeç e lartë , shtëpi që numërojnë nga 1 ose 2 anëtarë ,ku e vetmja gjë me të cilën mbajnë frymën gjallë është blegtoria dhe më pak bujqësia.
Të zhytur në varfëri , shpresën e mbajnë tek ato pak para që u nisin bijtë e tyre në emigrim duke u munduar të mos i rëndojnë ekonomikisht.
Ajo çfarë i shqetëson banorët aktual është e ardhmja .
A rrezikojnë të harrohen këto fshatra ?
“Unë kam shumë vite që jetoj në këtë fshat. Dikur ishte bukur , ishte mirë sepse ishin të gjithë njerëzit bashkë. Tani nuk ka mbetur më asgjë.Po mbyllim jetën vetëm .Bëm e fëmijë dhe ka mbetur në shtëpi unë dhe gruaja .Ikën për një jetë më të mirë sepse Shqipëria nuk bëhet. Gjendja e fshatit është si mos më keq.Ajo që na dhimbset ne të moshuarve është se do vi dita që do i zhdukin këto fshatra edhe nga harta po nuk pati njerëz.”-thotë një banor i fshatit.
“Fshati i numëron shtëpitë me gishtat e dorës. Në 10 shtëpi janë a s’janë 4 prej tyre me nga një apo dy veta që jeton.Të gjithë kanë ikur. Askush nuk do të kthehet më pas “-thotë një tjetër banor.
Por veç zbrazëtisë këto zona vuajnë një mungesë të theksuar të shërbimeve dhe infrastrukturës. Duke filluar nga rruga , ndriçimi publik por edhe mjeteve të transportit drejt qytetit.
“Kemi një hall , një problem ne nuk kemi rrugë .Fshati ka rrugë për dhi, jo për njerëz.Nuk është vënë kurrë dorë.Drita nuk bëhet fjalë të ketë , natën nuk dalim fare .Furgoni vjen me ditë të caktuara , ndërsa duhet të ikim me këmbë për të gjetur një mjet për qytet”-shprehet një banore.
E gjithë zona si mënyrë për të mbijetuar ka blegtorinë. Të gjithë ata që banojnë në Tranoshishtë apo Saraqinisht mbajnë në shtëpitë e tyre dele ,dhi , lopë apo pula.


” Mënyrë tjetër për të jetuar nuk kemi veç kafshëve.Ne prej vitesh ushqehemi me to.Marrim mishin, po bëjmë dhe djath herë pas here.Nga pulat marrim vezët , po dhe mishin, kështu kalojmë muajin. Disa në fshat kanë kope , unë vetëm disa kokë, sipas mundësive që kemi”-thotë një banor.
” Jetë fshati, pa kafshët jemi të mbaruar totalisht. Mbjellim disa gjëra jo ndonjë kushedi.Me blegtori ia dalim të jetojmë.”


Por afërsia me Parkun e Antigones , sa i ka ndihmuar këta të fundit për sa i përket turizmit ?
“Aspak. Personalisht nuk kam parë të vi dikush dhe të më trokasë në derë për turizëm.Turisti shkon deri aty në
Antigone mëpas largohet pas sërish”-shprehet një banor i zonës.


Fshatrat e qarkut të Gjirokastrës prej vitesh vuajnë mungesën e investimeve , së bashku me eksodin e njerëzve duke i trasformuar këto të fundit në hapësira boshe, pa jetë dhe me një të ardhme të zymtë që vë në dyshim ekzistencën e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here