Fuga deputetëve të PD: Ata që nuk kanë përmbushur pritshmëritë, të vetofrojnë largimin

0
297

Para dy a tri ditësh më bëri përshtypje një letër e disa deputetëve të partisë demokratike drejtuar gazetarit Blendi Fevziu, ku ata shprehnin keqardhjen e tyre se përse ky i fundit i kishte quajtur deputetët si një lloj sfondi dhe jo aktivë në jetën parlamentare.

Dua të them se personalisht kam shumë respekt për ata deputetë, sidomos tani që partia e tyre, është në mbrojtje të një kauze të drejtë dhe për ne qytetarët pa parti, sidomos sepse ata janë të moshave të mesme dhe të reja, sepse më parë nuk kanë qenë deputetë, siç janë disa që janë ngulur në kolltuqet parlamentare prej shekujsh, pa kontibutin e mjaftueshëm që do ta justifikonte këtë, dhe sepse ata nuk kanë pasur as përgjegjësira administrative si disa të tjerë, të cilët sot nuk dalin dot as përballë elektoratit të tyre sepse nuk i pranon.

Ne si qytetarë presim shumë nga këta lloj deputetësh pavarësisht se cilit grupim politik i takojnë ata.

Megjithatë më bëri përshtypje se ata ishin prekur në sedër sepse gazetari i kishte quajtur “sfond”, a diçka e ngjashme.

“Po të nderuar deputetë, jo për ju personalisht apo si grup, por për figurën e deputetit në përgjithësi, qytetarët kanë një imazh që lë shumë për të dëshiruar, për të mos thënë negativ. Deputeti i shkëputur nga masa e qytetarëve, i mbyllur brenda mureve të Kuvendit, i reduktuar në një makinë politike militante kolektive, me privilegje të shumta dhe të padrejta, është një nga mishërimet e kalbëzimit të republikës të sotme.

Po t’ju tregoj rezultatet e shumë anketave do të shihni se besimi i popullit te Parlamenti është në pika kritike. E di që nuk është faji juaj, por edhe mos harroni se edhe ju jeni pjesë e atij parlamenti dhe keni pergjegjësinë tuaj për këtë bjerrje të besimit qytetar te përfaqësuesit e tij. Aty fillon i gjithë problemi, e gjithë drama shqiptare sot.

Mos harroni se kemi një ligj elektoral që shkel kushtetutën e Shqipërisë. Pra që shkel barazinë në zgjedhje, votën e lirë, të drejtpërdrejtë të elektoratit si edhe të drejtën politike të barabartë për t’u zgjedhur dhe zgjedhur. Për këtë ligj nuk jeni ju përgjegjës sepse ndofta shumë prej jush këtë mandat e kanë si të parë, por mos harroni se ju keni përfituar personalisht dhe padrejtësisht prej këtij ligji të turpshëm. Jeni votuar me lista të mbyllura, të emëruar nga kryetarët e partive. Ju jeni zgjedhur duke elimininuar me ligj mundësitë e barabarta për kandidatët e pavarur oise të partive joparlamentare. Askush nga ju nuk di sa vota ka marrë personalisht nga elektorati dhe kush ka përfituar nga vota që mund të jenë dhënë për të tjerë, por i keni përvetësuar ju!

Kini guximin ta pranoni këtë dhe të kërkoni të konkuroni mbi bazën e një ligji të ri që ju vendos në pozita demokratike dhe të denja para elektoratit? Keni guximin të vendoseni publikisht në anën e kryetarit tuaj, Lulzim Basha, për të kërkuar një republikë të re, sepse kjo që kemi, dhe që ju e përfaqësoni, pa fajin tuaj, ka mbaruar, është korruptuar, ka degraduar dhe po fundos shqiptarin dhe Shqipërinë?

Aty do ta fitoni besimin e elektoratit dhe jo duke shkruar letra protestash ndaj Blendi Fevziut që si gazetar bën punët e tij.

Ju sigurisht keni punuar në komisione parlamentare. Por, ta dini se reduktimi i punës të deputetëve vetëm te debatet parlamentare, vetëm duke u vendosur në rresht pas kryetarëve të partive, vetëm duke bërë tifozin politik para kamerave televizive cdo të enjte, vetëm duke ndejtur e folur në komisione, është pjesë e kësaj republike të kalbur që kemi sot. Ju e mishëroni atë pa dashjen tuaj dhe unë besoj se ju keni forca që të ngriheni publikisht dhe bashkë me protestuesit në shesh ta kërkoni transformimin e republikës, Ju aty duhet të ngriheni kundër vetes suaj, por njeriu aty duket, sa ngrihet dot kundër vetes, për t’u rinovuar.

Keni fuqinë të kërkoni kolektivisht se në grupin tuaj, ashtu si edhe në grupet e tjera parlamentare, duhet të ketë kuota rinovimi, pra për njerëz të rinj, aktivë, me kontribute jo më të vogla se tuajat? Njeriu nuk lind e vdes deputet. Deputeti është thjesht një qytetar që pa pranuar asnjë privilegj ka një ide dhe mision për të çuar përpara. Pasi e kryen ose e sheh se nuk e kryen dot atë, ikën në punën e vet si qytetar duke mos pranuar privilegje marramendëse pensionessh sikurse ndodh me deputetët tanë sot që përfaqësojnë shtresën sociale më të privilegjuar të kombit.

E kuptoni ore miq paradoksin ku jemi futur?

Nuk kam parë derimë sot asnjë deputet, të asnjë grupi parlamentar, që në muajt e fundit të mandatit, t’i paraqesi dorëheqjen kryetarit të grupit të tij, apo të partisë të tij, për t’i lënë kolektivisht grupimit të tij të drejtën për ta zgjedhur ose jo.

Por, kam parë dhjetra deputetë që kur nuk rikandidohen, ikin turivarur, mërmërisin dhe nxjerrin inate.

Unë besoj se ju jeni nga të llojit të parë dhe përbuzni këtë llojin e dytë që gjithë ditën ushtron presione, bën komplote, thurr intriga si e si të sigurojë një kandidim duke i vendosur stërkëmbëshin atyre që i quan rivalë të mundshëm.

Ne kemi nevojë jetike të rinovojmë klasën tonë politike, të krijojmë rryma që e freskojnë atë, dhe për njerëz nga baza e që kanë besimin e popullit.

Tregojuni se ju jeni të tillë!

Në sa dëgjesa publike keni marrë pjesë? Keni zyra në zonat tuaja elektorale ku cdo javë të jepni takime të rregullta me elektoratin dhe qytetarin? Keni marrë pjesë në mbledhje këshillash bashkiake? Sa dilni para mediave rregullisht? Nuk di një ligj të ketë si projekt emrin e ndonjerit nga ju personalisht? Sa jeni angazhuar që Kuvendi i Shqipërisë dhe grupi juaj parlamentar të hapet drejt dëgjesave qytetare? Madje as në protestën e organizuar për zgjedhje të lira nuk shohim prej jush të vijnë dhe të shprehen para kombit për propozimet dhe projektin historik që po shpalos aty kryetari juaj. Jeni ju për ta mbështetur atë me argumentat tuaja, me përvojën tuaj, me forcën tuaj bindëse, me logjikën tuaj, apo me heshtjen tuaj tregoni se më mirë ju intereson një post dhe një kolltuk opozitari në Kuvend sesa një dalje jashtë kuvendit, edhe pse qytetari mund të shohi shpresë për një sistem tjetër përfaqësimi demokratik? Keni ju miq e kolegë parlamentarë të huaj me të cilët shkëmbeni përvojat tuaja? Vazhdoni ju aktivitetin pjesërisht dhe aktiv në profesionet tuaja, apo i keni braktisur tërësisht profesionet tuaja duke u mbyllur në kullën e Kuvendit. Keni marrë pjesë ju në aktivitete mirëbërëse për të sëmurët, të varfërit, e zonave tuaja? Apo banoni të gjithë në Tiranë duke ikur nga zonat urbane ku jeni zgjedhur? Keni vajtur ju në institucione publike për t’u njohur me degradimin e punës të administratës? Keni bërë raporte publike, ekzaminime, studime për reformat e vërteta që i duhen këtij vendi?

Këto kërkojmë ne si qytetarë. Këto kërkonte besoj edhe gazetari ndaj të cilit ju u revoltuat besoj pa të drejtë.

E dëgjoni se çfarë thotë kryetari juaj për këtë republikë? Nuk bën dallim dhe përgjegjësinë e kanë ata që përbëjnë shumicën, por edhe pakica për aq sa i takon, edhe ne si qytetarë, apo intelektualë.

Por, ju veçanërisht. Sepse keni bërë një betim solemn. Mos i ikni atij! Ne kemi nevojë si deputetë t’ju shohim në jetën politike qytetare akjtive se përndryshe nuk na mbetet veçse t’ju shohim në kronikat rozë të mediave servile që ju tregojnë me palltot, makinat, fundet, këmishat, kollaret, rrobat e banjos të shtrenjta, secili, sa rroga vjetore e shumë shqiptarëve, dhe ju që nuk bêni zë për t’i thënë ndal vetëkënaqësisë kur populli vuan, për t’i thënë ndal bjerrjes të imazhit të deputetit.

Shumë prej jush kanë venë edhe bark dhe keni edhe celulit nga të ndejturit inaktiv edhe fizikisht, nga kolltuku parlamentar, në sedilen e veturës, nga sedilja e veturës te kolltuku i kafenes ose restorantit. As për shëndetin nuk bën mirë!

Mos e tregoni veten në letra për t’i mbyllur zërin gazetarëve, qytetarëve, por atje ku luhen fatet e sistemit demokratik shqiptar që rënkon dhe na ka zënë brenda!

Miqësisht,

Artan Fuga

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here