Fuga vlerëson Roland Bejkon, jam krenar për ty

0
1339

Nga Artan FUGA

I dashur Landi,

Miqësia me ty, shkëmbimet si kolegë në mësimdhënie, bashkëshoqërimi i evoluimit tënd fillimisht në shkollën prestigjioze të Administratës Publike në Francë, pastaj në filozofi politike në Universitetin Paris – 8 dhe pastaj në përpjekjet e studimeve të tua doktorale më kanë dhënë kënaqësi: së pari morale, sepse kam parë si rritet një administrator që është njëherësh edhe mendimtar edhe praktik dhe efikas.

Më ka rënë rasti të ndjek opinionin e qytetarëve në Berat pas kurrizit tënd dhe jam ndjerë krenarë për ty, pikërisht, se socialistë a demokratë, atje, ata ishin për ty qytetarë të barabartë. Ti i respektoje me kujdes sidomos opozitarët, sepse ti gjithmonë ke aplikuar “republikën e re”, pa ndarje, përçarje, pa korrupsion dhe pa ngatërruar militantizmin hipokrit me administratën publike dhe statusin e nëpunësit civil. Kënaqësi nga ana shkencore, sepse problematikat e kërkimit dhe formimit tënd në shkenca politike, filozofi politike, administrim dhe menaxhim i ke ndarë me mua në vite e vite dhe për to kemi ndarë pa fund me mijra orë debatesh, thellimesh mendore, hipotezash.

Nuk të kam dhënë asgjë unë, sepse ti më ke dhënë mua, sa kohë që shoh te ty, drejtuesin politik, administratorin e lartë të mbetur pa punë pikërisht kur po organizonte shkollën e administratës publike sipas parimeve europianen, njeriun e pastër dhe mikun e vyer. Poashtu sikurse me mikun tjetër, Mark Marku, me një trajektore të shkëlqyer studimesh dhe diplomimi doktoral në një nga universitetet më të mlira franceze, sikurse më parë italiane.

Më lejo i dashur Landi të të them se një profesor i vërtetë nuk kërkon dhe nuk pretendon asnjëherë mirënjohje as nga ish stduentët, as nga ish doktorantët, as nga kolegët më të rinj a nga kushdoqoftë, as nga prindërit e studentêve, nga askush.

Kjo është motua ime! Profesori i vërtetë është si prindi që pasi i rrit intelektualisht kolegët e rinj, i le të lirë të ecin në rrugët e jetës, i sheh me admirim pa u ngatërruar nëpër këmbë, u qendron gjithmonë pranë, por kurrë nuk iu kërkon gjë, sidomos detyrime, ose mbi të gjitha nuk u kërkon të mendojnë si ai.

Sepse jetët janë të ndara. Intelektualët kanë nevojë të ecin vetë përpara sepse prindi ka rrugën e vet, kurse fëmija ka rrugën e vet, që janë divergjente në një farë mënyre, njeri bie tjetri ngrihet, dhe vetëm pranimi i kësaj është baza e moralit në këto marrëdhënie.

Liria e tjetrit, respekti për të, pa qëllim, ashtu në vetvete, si shpirti i kulluar, formë, sikurse shkruante Emanuel Kani, janë baza e moralshme e marrëdhënieve njerëzore.

Me të qeshur u kam thënë shpesh doktorantëve dhe kujtdo që kam përcjellë në formimin e lartë doktoral: nuk më detyroheni asgjë sepse e bëj për egozimin tim. Fara e mendimeve të mia është e përhapur anë e mbanë shkollave të sotme të mesme dhe të larta shqiptare, i dashur Landi, ajo është një mbijetesë imja.

Atë nuk ka kush e pengon!

U them pra se duke ju formuar juve, bashkë me kolegë të tjerë, unë riprodhoj veten te ju aq sa është e mundur sepse ju keni rrugën tuaj.

E në këtë riprodhim – krijim më thuaj Landi duhet që ish studentët dhe doktorantët të më jenë mua mirënjohës, apo unë atyre?

Kuptohet që është e dyta.

Kjo është arsyeja sepse unë jam i revoltuar, i inatosur, i fyer, i poshtëruar dhe bërtas duke humbur edhe durimin dhe etikën kur shoh se shkollat doktorale anë e mbanë universiteteve publike shqiptare janë mbyllur si në kohën e mbylljes të shkollave në kohën e Millosheviçit në Kosovë. Prandaj bërtas, sepse po asgjësojnë me metoda tinzare edhe akademinë e shkencave duke e lënë të degradojë dhe duke e kthyer në një mekanizëm politik dhe administrativ.

Ndërkohë që shoh sharjet pa baza që hedhin ndaj cdo shkolle doktorale, unë jam i bindur se ajo që kishte organizuar kolektivisht Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës ka nxjerrë studime dhe ka dhënë figura doktorësh, si edhe rezultate kërkimi shkencor, që janë pa dyshim po e them, pa dyshim, në nivelin më të lartë europian.

Dhe mos humbësh durimin, etikën, paqen, kur e sheh se atë e rrëzoi barbaria e politikës dhe politikat e mbrapshta të Ministrisë të Arsimit pavarësisht, rrezistencës tonë kolektive, pavarësisht lutjeve, peticioneve, kërkesave sy më sy nga ana ime personalisht. Duke luftuar për atë shkollë kam marrë nga pushteti vetëm mallkime, sharje, ofendime dhe privime!

E punë e madhe! Nuk dëgjoj nga ai vesh unë!

Po Landi në këtë vend politika ka frikë nga shkenca!

Kjo është drama e madhe shqiptare!

Ti e di mirë, më mirë sesa unë se përse!

I dashur Landi, unë sot, e vërtetë, kam salla dhe auditore me studentë të niveleve të ndryshme në Shqipëri, në Universitetet publike dhe në një Universitet dinjitoz privat në Shqipëri, sikurse është Polisi, unë mbetem një profesor i Universitetit të Tiranës dhe e bëj çmos që emri i tij të ngrihet lart dhe të mbijetojë ndaj ligjit të pacipë të arsimit të lartë që i ka dhënë atij dhe gjithë arsimit shqiptar një goditje vdekjeprurëse. Ti lufton për njjë republikë të re, unë luftoj që në atë republikë të re të kemi një arsim, një shkencë të re, një shqiptar të formuar si në Europë dhe jo të përbuzur, të lënë në injorancë sikurse tani.

Po, shqiptarin e kanë lënë pa dije!

Gjendja e shkollave anëmbanë vendin është e mjerueshme në atë pikë kur vetëm ulurima mund të shkaktojë po ta mendosh si duhet. Unë sot kam studentë shqiptarë, afrikanë, kinezë, europianë, birmanë, indonezianë, gjithëfarësoj, por në asnjë nga këto grupe kombësish nuk kam parë pasojat e një goditjeje kaq të rëndë sa ka marrë intelekti i rinisë shqiptare në situatën kur ai ka mbërritur sot.

Dhe dije se këtë nuk ta thotë në kafe si mik Artani, por ta thotë publikisht dikush që ka arritur karrierën më të lartë shkencore dhe mësimore edhe në Shqipërinë e këtyre dekadave, por edhe në arsimin europian, të njohur me diplomat dhe përvojat përkatëse. Unë për këtë që them mbaj përgjegjësi personale deri në fund!

Unë këtë e quaj një krim të madh kolektiv kombëtar dhe aty secili duhet të gjejë përgjegjësinë e vet. Edhe unë…sigurisht sa kohë nuk kam mundur dot ta ndal. Por, të paktën e kam denoncuar, e denoncoj dhe do ta denoncoj me të gjitha fuqitë e mia!

Ai kryeministër ose qeveri që premton se do ta hedhi në kosh këtë situatë të përditshme kriminale dhe do të hapi një faqe të re në këtë fushë, do të ketë votën time dhe zërin tim! Poqese këtë premtim nuk e mban do të ketë zëmërimin dhe denoncimin tim sepse përndryshe bëhem pjesë në krim!

Ke një formulim në statusin tënd pak më shumë se duhet, nga dashuria dhe miqësia që kemi, i dashur Landi!

Unë jam i rrethuar nga solidariteti, miqësia, respekti i të gjithë atyre me të cilët kam punuar e punoj e do të punoj, poashtu sikurse i respektoj edhe unë ata!

A ka ndonjë dështim në punën time për formimin intelektual të dikujt?

Po, ka, por humë shumë pak të tillë. Më pak se gishtat e një dore, përballë mijrave që ecin me kurajo dhe vullnet, ndershmëri, përpara! Edhe kundër furtunave që u lëshojnë në kraharoret e tyre!

Nuk mund të bësh të pamundurën kur sheh se pedagogjia dhe mbështetja që jep që dikush të formohet si duhet ndeshen me pamundësinë e tij për të punuar seriozisht në fushën e kërkimit shkencor a për t’u formuar intelektualisht, kur nuk dallohet shkenca dhe arsyetimi shkencor nga llomotitja për të mbrojtur interesa meskine, kur sheh se dikush riprodhon dogma të shekujve të kaluar, të palexuara edhe ato në origjinal, të paasimiluara, sikur të ishin dije të sotme.

Por, në këtë rast përsëri duhet me qenë tolerant. Nuk do të bëhen e nuk mund të bëhen të gjithë shkencëtarë, pedagogë, kërkues shkencorë, administratorë të talentuar, sepse jeta është e larmishme, disa duan të mbesin shitësa në kioska, disa të bëhen tregtarë rrobash të vjetra, disa kasapë, e kështu me rradhë.

Dhe unë personalisht i nderoj të gjitha zanatet, sepse respektoj lirinë e gjithkujt.

Problemi lind atëhere, dhe këtë unë nuk e fal kurrë, kur kasapi thotë se jam veterinier, kur marangozi pretendon se është arkitekt për interiere, kur shoferi mendon dhe propagandon se është drejtues anijesh kozmike, kur magjistrica pretendon se është Nostradamusi!

Këtu : “Stooop!”

Sikurse e dinë të gjithë kërkuesit e rinj shkencorë, ata të mrekullueshmit, moton time dhe të pranuar prej tyre me durim, me kokë të ulur, me bindje, duke ribërë tekste, rishqyrtuar punë të lodhshme :

“Mos prisni nga unë t’ju bëj dhurata në profesion! Kërkoni çfarë të doni, por jo këtë! ”

Rrallë ndokush nuk e ka duruar do këtë moral spartan në kërkimin shkencor, nuk është faj kur kjo ka ardhur nga pamundësia personale, por është faj i pafalshëm prej meje kur dikush ka dashur ta anashkalojë, ta blejë, t’i dredhojë, prandaj ka marrë edhe do të marrë përgjigjen që duhet, dhe nuk ka pasur e nuk ka të bëjë me mua.

Unë përplas derën dhe iki, ose e mbyll njëherë e mirë atë!
Ndarja shpesh është po aq shpëtimtare sa edhe solidariteti!

Dashuria është dashuri, por rreptësia dhe konsekuenca në të drejtën, është pa dyshim po aq me vlerë!

Mbetem me kënaqësinë e komunikimit, suksese ty në karrierë, si edhe suksese dhe shëndet të gjithë atyre që kanë punuar, punojnë dhe do të punojnë me mua ende për një kohë shumë të gjatë,

Dijeni se jeni vlera të larta, ju përçmojnë e ju ulin kokën pikërisht sepse jeni të tillë, mos u tutni dhe mos humbni kurajon sepse puna juaj, e mira, pra, një ditë do të triumfojë mbi padijen që vërtitet mbi ndërgjegjen tonë kombëtare, dhe sëbashku do të bëjmë të vlerësohet si duhet dhe të sjelli ato rezultate që duhet!

Miqësisht,

Artan Fuga

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here