‘Garë’ me policinë nga Korça në Elbasan, gjirokastriti me fenelinë në makinë, dyshime se hodhi drogën dhe armën

0
196

Mëngjesin e 4 shkurtit 2020, i riu nga Gjirokastra Aldiron Shehu që vuri në lëvizje dhe alarmoi komisariatet e Devollit, Korçës, Pogradecit, Prrenjasit, Librazhdit dhe Elbasanit, kishte në makinën e tij 4 targa shqiptare, 1 targë greke dhe 1 fenelinë policie me kordon.
Shehu, dy ditë më parë aksidentoi rëndë efektivin e policisë së Elbasanit Eugen Abdyrrezaku, i cili së bashku me kolegët e tij, Gëzim Leka, Kristi Pepa dhe Erion Balla, kishin organizuar një postobllok policor për ndalimin e Aldiron Shehut.
Shehu ishte vënë në ndjekje policore nga një patrullë rrugore e komisariatit të Devollit, pasi në fshatin Cangonj, kjo patrullë i ka bërë shenjë të ndalojë për shkak të shpejtësisë së madhe të lëvizjes së automjetit. Por Shehu, nuk ka ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të Korçës. Shehu është ndalur vetëm në Elbasan, ku 100 metra pasi kishte çarë postbllokun e policisë rrugore dhe goditur një efektiv policie, automjeti që ai drejtonte është përplasur me një makinë të rastit në rrugë, dhe për pasojë është përmbysur. Vetëm në këtë moment, Aldiron Shehu, që i ishte shmangur ndjekjes së policisë nga zona e Devollit, është arrestuar.
Gjatë kontrollit të makinës së tij të përmbysur, policia konstatoi dy targa AA 155 DP që i përkasin një personi nga Shkodra, dy targa të tjera DR 0701 A, që i përkasin një personi nga Durrësi, një targë greke IEH 3922 dhe një fenelinë policie me kordon.
Sipas grupit hetimo ka shumë dyshime se Aldiron Shehu, ka qenë në zonën e Devollit për të transportuar lëndë narkotike me qëllim trafikimin e saj në Greqi. Policia ka ngritur dyshime të forta se ai mund të ketë pasur dhe armë me vete, por duhet ta ketë hedhur gjatë rrugës në ndjekje e sipër nga policia.
Kjo gjë, beson policia, ka ndikuar që Shehu të mos i bindet asnjë postblloku policie nga Devolli deri në Elbasan. Gjatë marrjes në pyetje në prani të oficerëve dhe prokurorit të çështjes, Shehu, ka pohuar se është përdorues i kokainës. Sipas dëshmisë së tij ai ishte duke shkuar në Devoll, por pa treguar se tek cili person dhe ka vënë re se po ndiqej nga një patrullë policie. Drejtuesi i automjetit sapo ka vënë re punonjësit e policisë ka ndryshuar drejtimin e lëvizjes duke u futur në rrugën dytësore, e cila të çon në fshatin Cangonj.
Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje të makinës “ëolksvagen”. Në kohën kur Shehu ka vënë re se po ndiqej nga makina e policisë, në fshatin Vranisht Shehu ka bërë një manovër të rrezikshme në rrugë, duke u kthyer menjëherë dhe pasi ka rrezikuar të nxjerrë jashtë rrugës automjetin e punonjësve të policisë është kthyer me drejtim lëvizjeje nga Devolli për në qytetin e Korçës.
Që në këtë moment ai është tentuar të ndalet tre herë nga policia, e cila ka organizuar postblloqe, por pa rezultat. Shehu, është ndalur vetëm pas një postblloku në Elbasan, ku policisë i është dashur të qëllojë me armë në ajër për ta bindur të ndalojë, por sërish Shehu, ka çarë bllokuesen e rrugës, duke goditur dhe një punonjës policie dhe më pas ka aksidentuar me një makinë tjetër, duke lënë të plagosur 4 persona, D.Plaka, D. Plaka, A. Cani, D.Hazizi dhe A.Latifi. I plagosur ka mbetur dhe punonjësi i policisë Eugen Abdyrrezaku.
Pritet që ditën e nesërme gjykata e Elbasanit të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë të “arrestit me burg” për Aldiron Shehun, ndaj të cilit është ngritur akuza e “Vrasjes së punonjësve të policisë së shtetit mbetur në tentativë”, “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e 5 personave” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”. Në fakt për veprën e fundit penale, Shehu rezulton se është marrë i pandehur edhe nga prokuroria e Gjirokastrës, ku çështja është ende në gjykim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here