Gëzim Memlika ”Qytetar Nderi” i Bashkisë Memaliaj (pas vdekjes)

Ne daten 1 qershor 2019, Bashkia memaliaj shpalli “Qytetar Nderi” ( pas vdekjes) biznesmenin e suksesshem, presidentin e kompanise “Bufalo” z.Gezim Memlika ne nje ceremoni perkujtimore te organizuar nga familjaret, miqte dhe te afermit e te ndierit ne qendren kulturore te bashkise Tepelene.

Z. Gezim Memlika humbi jeten nje vit me pare i goditur nga nje veture qe leviste me shpejtesi prane hotel “Doro” ne Tirane. Data 1 Qershor perkon edhe me 69 vjetorin e lindjes se tij. Prej shume vitesh Gezimi ja kishte dale qe me pune, perkushtim dhe sakrifica te ndertonte rrjetin e tregetise se kepuceve te njohura me emrin “Bufalo”duke e shtrire ate ne te gjitha qytetet kryesore te vendit. Per Gezimin tregetia pa filantropine nuk kishte kuptim. Ai iku nga kjo bote si nje njeri i vecante, humanist i madh, familjar dhe mik i mire duke lene pas shume dhimbje tek te gjithe te dashurit e tij.

Ne respekt te njeriut te mire dhe biznesmenit model Gezim Memlika, jugunews.al perzgjodhi per publikun njerin prej fjalimeve me te ndiera te mbajtur prej poetes Majlinda Rama gjate ceremonise se nderimit te tij.
——————————
“Në një botë të rrëmujshme, Gëzimi iku pa bujë, u shua befas, zgjodhi të largohet pa na thënë asnjë fjalë dhe ne, me të drejtë, u gjendëm të papërgatitur. Gëzimi u nis një mëngjes që pa gdhirë. Shtegtoi për rrugë të gjata.
Dhe iku si heroi i heshtur që foli më shumë se sa të gjithë ne, heroi që preku zemrat e njerëzve të dobët, që ndihmoi ata me vështirësi ekonomike, që u bë mik i të dëshpëruarve, që u fali të gjithëve nga pak dashuri të sinqertë nga shpirti i tij i madh…
Djali i vetëm i Bilalit, ishte rritur në një familje të varfër, por shembullore në tradita e zakone, një familje që do ta mësonte intelektualin e ardhshëm të bëhej jo vetëm i arsimuar, por një nismëtar e qytetar i mirë, një njeri i përsosur e një mik i denjë. Në turbulencat e mëdha të viteve që lamë pas, Gëzimi arriti t’ia dilte me punë dhe vetëm punë, për të ndërtuar biznese të fuqishme, duke u kthyer kështu në frymëzim për të rinjtë e sotëm, në modelin më të mirë të bizneseve të ndershme.
Gëzim i dashur, e di që je diku këtu rrotull e na sheh të gjithëve, qesh e qan me ne, sepse ti ishte përherë një hap para nesh. Ti qesh sot, sepse të duket se e tepërojmë që vazhdojnë të qajmë për ikjen tënde dhe qan sot, sepse i le fëmijet e gruan në një kohë që u duheshe shumë. Ti je i lumtur, sepse u ke dhuruar lumturinë dhjetra familjeve që ke ndihmuar, por qan sot, sepse s’i gëzove dot as vajzën e as djemtë me nuse, s’i përqafove dot vogëlushët e tyre e pinjollët e tu trashëgimtarë.
Gëzim, ndihem krenare që rridhje nga gjaku i Memlikajve, dajave të mi. Ndihem me fat që të njoha. Ikja jote na trazoi, na lëndoi. Ajo është ende një plagë e hapur për këdo që të njohu, të respektoi e të deshi. 
Edhe pse s’u besoj shpirtrave, sic e sheh, për rastin tënd kam dëshirë ta bëj një përjashtim e të bindem që ti je aty, në pragun e derës së shtëpisë tënde duke pritur e përcjellë fëmijët e tu, duke i inkurajuar ata të ecin përpara, duke i buzëqeshur gruas sate të mirë e fisnike, duke i dhënë asaj mbështetjen e pakufishme. Je tani këtu, duke na përshëndetur të gjithëve ne, e duke na treguar se cdo ditë është e bukur dhe duhet luftuar për të, ndershmërisht e me kurajë. Pusho i qetë mik i të gjithëve! Ti sot, pushon i qetë në qiellin tënd të kaltër, për të cilin luftove me mirësi të paanë, të pandalshme, të cmuar si pika e ujit në shkretëtirë…sepse ti ishe i rrallë dhe ike i tillë, duke mos u tjetërsuar nga pasuria e të mirat materiale. Prandaj merrte vlerë qenia jote, që, sa ishe në tokë, nuk reshte së hedhuri lule për njerëzit kudo ku ishin…Ti ishe i mirë në kohë të këqija, miku im. 
Ne sot jemi mbledhur për Ty. Duam të të nderojmë, duam të të tregojmë se sa të deshëm, sa të duam e sa po na mungon që një vit e kusur muaj… por ikjet e tilla nuk bëhen kurrë kthime, prandaj le të mbetet mes nesh emri dhe fjala jote, le të mbetet mes nesh vepra jote e mirë.
Na mungon! 
Do të na mungosh në cdo kohë, edhe pas një viti tjetër edhe pas disa dekadave. 
Njerëzit e mirë si Ti, 
na mungojnë derisa i bashkohemi në amëshim!”

Poetja Majlinda Rama gjate fjales se saj.
Bashkeshortja e Gezimit, Donika me familjen.
SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment