Gjirokastër: “Bllokohet rruga e Lunxhërisë”.

0
285
14329223_10210839502053086_754626293_oNxënësit dhe prindërit, nuk kanë lejuar kalimin e automjeteve në aksin që lidh qytetin e Gjirokastrës, me fshatrat e Lunxhërisë dhe të Zagories. Shkak ka qenë refuzimi i shoferëve të furgonëve të bashkisë për të transportuar nxënësit e fshatit Valare. Këta të fundit, duhet të përshkojnë 6 km rrugë me këmbë përditë vajtje-ardhje deri në shkollën e vendosur nga bashkia, për të mësuar. Të gjendur përballë mungesës së komunikimit me autoritetet e bashkisë, vetë prindërit kanë ndërmarrë një iniciativë për të bllokuar rrugën në fshatin Valare, si një ndër mjetet fillestare të presionit ndaj Bashkisë së Gjirokastrës, e cila refuzon të vendosë në dispozicion, furgona për këta nxënës. Për gati 2 orë, rruga është bllokuar tërësisht, duke paralizuar lëvizjet në të dy krahët, ndërkohë që radha e mjeteve në pritje për të kaluar, është rritur mjaft. Furgonat e mbushur me nxënës të fshatrave më të thella dhe mësues të ardhur nga Gjirokastra, nuk janë lejuar të kalonin deri sa ka ndërhyrë Policia e Gjirokastrës, duke negociuar për lirimin e rrugës, nga ana e nxënësve dhe e prindërve. Mjaft të acaruar prindërit dhe nxënësit, kanë kërkuar vënien në dispozicion të furgonave transportues për fëmijët e tyre deri në destinacion, pasi rruga vecse është larg, paraqet rrezik për sigurinë e fëmijëve. Edhe kryetari i fshatit Valare i zgjedhur nga kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, ka mbështetur bashkëfshatarët e tij madje ka kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të kësaj problematike, pasi në të kundërt, masat presionuese nga ana e prindërve dhe mësuesve, do të jenë edhe më të rrepta, deri në vënien në dispozicion, të furgonëve transportues.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here