Gjirokastër/ Gjimnazet bëhen gati për të pritur maturantët

0
188

E hëna e 18 majit rikthen në shkolla maturantët në Shqipëri pas një shkëputje dy mujore për shkak të pandemisë Covid-19. Në zbatim të protokollit të sigurisë, në një klasë nuk do ketë më shumë se 10-12 nxenës. Në të 12 shkollat e mesme në bashkitë Gjirokastër, Libohovë e Dropull po kryhet dezinfektimi ndërsa në shkolla nuk duhet të mungojë uji i rrjedhshëm, dezinfektantët, detergjentët , po ashtu maturantët e rikthyer në klasa duhet të jenë të pajisur me maska dhe doreza pasi rreziku i Covid-19 vazhdon pavarësisht se Gjirokastra është quajtur zonë e gjelbërt.

Matilda Gushi, drejtoreshe e shkollës së mesme “Pandeli Sotiri” në Gjirokaster thotë për @jugunews.net se : “Tek hyrjet e çdo klase është vendosur manuali për kujdesjen dhe lëvizjen, është bërë ndarja e klasave sipas lëndëve me zgjedhje për pritjen e nxënësve. Mjediset e mëdha janë të përshtatshme për pritjen e nxënësve. Jemi gati për pritjen e maturantëve dhe vijueshmërinë e procesit mësimor jo në kushte shtëpie.”

Megjithatë frika për infektimin e mundshëm nga ky virus i shoqëron maturantët , të cilët të kontaktuar nga @jugunews.net thonë se është absurde të bësh mësim në të tilla kushte.

Duhet të kishin menduar diçka tjetër.Kemi frikë të shkojmë sërish në shkollë dhe nuk është vetëm ky problemi kryesor pasi dhe koha e përgatitjes për provime është e shkurtër .Mësimi online nuk ka funksionuar siç duhej.Personalisht jam përpjekur të mësoj nga librat vetë .Ky është një vit vendimtar për të ardhmen tonë por ky izolim , kjo formë e përdorur po na penalizon “-thotë një maturante.

Fatkeqësi që na zuri ne këtë vit. Rezultatet do jenë të dobëta sa do që ne do japim më të mirën nga vetja jonë.Mësimi online është humbje kohe , mësues që nuk rakordohen me njëri tjetrin , detyra e kërkesa që nuk i gjejmë në libra. Tani na duhet të shkojmë sërish në shkollë për pak ditë por ky qëndrimi prej 2 muajsh në shtëpi na mësoi ndryshe dhe tani duhet të mësohemi me mënyrën e re të të shkuarit në shkollë”-shprehet një tjetër.

Frika nga infektimi me Covid-19 apo dhe rezultatet e dobëta në testim janë shqetësim edhe për prindërit e maturantëve:

Unë vetë kam frikë ta lë fëmijën të shkojë në shkollë ku kemi 2 muaj brenda të izoluar dhe gjendjen po na i bëjnë kaq alarmante.Fëmijëve tanë nuk u bëri kush teste në janë a jo mbartës të Covidit , fëmija im shoqërohet me një fëmijë tjetër tek klasa , po nëse ai tjetri është i prekur si do e marrim vesh ? Kush i kontrollon ? Askush.Do shkojnë të hënën do nisin normalisht mësimin ku kanë dy muaj që rrinë në shtëpi kjo është çmenduri.Gjirokastra është zonë e gjelbërt thonë, por thonë dhe se si shfaqen rastet, kur e bëjnë kaq tragjike atëherë si e lejojnë mësimin në këtë kohë.Ose gënjejnë ose po rrezikojnë jetën e fëmijve tanë.Pa teste, pa kontrolle, të çojmë fëmijët në shkolla është jashtë llogjike.Është vit i rëndësishëm për ta por si do dalin në fund me rezultatet e provimeve? Çfarë shkolle do vazhdojnë? Ka shumë gjëra që na indinjojnë kur bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijve tanë”.

Në Gjirokastër do t’u nënshtrohen provimeve të maturës shtetërore 379 maturantë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here