Gjirokastër/ Ja si duket sot “Shtëpia e Pritjes”, aty ku mblidhej “elita” e dikurshme e vendit (video)

Stoike . Kjo është fjala e parë që të vjen në mendje kur shikon këtë ndërtesë . Ndonëse e degraduar ajo vazhdon të qëndrojë në këmbë pa u gjunjëzuar duke i bërë karshillëk kohës, viteve e shekujve që ikin nxitimthi.
Shtëpia e Pritjes , kështu quhet kjo ndërtesë , e cila daton shumë kohë mëparë në lagjen “Hazmurat” në Gjirokastër. Në këtë shtëpi pushonin udhëheqësit më të lartë të sistemeve të mëparshme politike përfshirë këtu dhe Enver Hoxhën, apo shërbente ndryshe si një vend i sigurtë ku bëheshin takimet me krerë të ndryshëm të politikës nga e gjithë bota që vinin delegacion në vendin tonë.
Është emërtuar shtëpia e pritjes e në fakt dhe sot e kësaj dite ajo vazhdon të presë, jo krerët e lartë të sistemit për të pushuar, por për tu “shkundur” nga pluhuri i harresës dhe për tu rindërtuar , si një dëshmi e gjallë, pjesë historisë tonë.
Dikur kjo ndërtesë kishte një tjetër vlerë, e vendosur në kodër , pushuesit kishin mundësi të vëzhgonin qytetin e gurtë dhe jo vetëm , nga të kartërt anët e horizontit .Mes lulesh e gjelbërimit ajo ishte një oaz qetësie .Ku në të kishte policë, kuzhinier, kujdestar e kopshtar , të gjithë punonjësit që kujdeseshin që kjo shtëpi të “shndërriste” aty lart në kodër dhe të shikohej me admirim nga të gjithë të tjerët ,se ai ishte vendi i “kokave” ,emrave të njohur të politikës e diplomacisë , elitës.
Por atë “pushtet” që i kishte dhënë sistemi i dikurshëm, vitet në vijim do tia venitnin deri në heshtje totale .Aty sot nuk pipëtin më asgjë, e zhveshur nga madhështia e dikurshme , vendin e ka zënë rrënimi. Por pavarësisht degradimit të mureve dhe ambjenteve të brendshme , historia flet në çdo cep të saj si të jetë duke treguar “sekrete shtetërore”.
Shtëpia e Pritjes ka funksionuar si e tilllë der në vitin 1997, duke mirëpritur të tjerë udhëheqës, pushtetarë e diplomatë derisa në ngjarjet e bujshme të ’97 ajo u grabit e u dëmtua, duke u lënë në harresë.Askush nga sistemet e ndryshme politike që kanë vijuar funksionin e tyre edhe në këto vite , nuk janë kujtuar më për të .Duke e lënë të vetme, të braktisur dhe në fundin e saj , si një “ndëshkim” për pushtetarët që priti ndër vite, atyre që u hapi derën por që do ia mbyllnin përgjithmonë, duke e kthyer në një ndërtesë të zakonshme , të rëndomtë, si një vend depozitimi të mbeturinave, që rrallë njerëz mund ta kujtojnë apo të kenë informacion mbi atë çka ka kaluar kohë mëparë, si një dëshmitare e mbetur ende gjallë nga e kaluara por që përpëlitet në agoni se ia kanë prishur bukurinë dhe e kanë njollosur .
Ndërsa vitet ikin , degradimi vazhdon. Megjithatë përtej errësirës dhe zymtësisë në “zemrën” e saj , rrezet e arta të këtij dielli pranveror vazhdojnë ta ngrohin ndoshta si dikur , duke hyrë fshehurazi nga dritaret që vetëm emrin mbajnë të tillë , e jashtë saj natyra vazhdon ciklin.Ripërtërihet, gjallërohet e lulëzon përreth si për ironi me fatin dhe mjerimin e saj .


SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment