Gjirokastra nën ujë, Bashkia e ka pushim

0
854

Përmbytet Gjirokastra. Rreshjet e shumta të shiut, kanë krijuar probleme të shumta në territorin e Bashkisë e sidomos në pjesën e poshtme të qytetit. Rreshjet kanë filluar të jenë intensive, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Përmbytjet kanë qenë të pranishme në aksin Gjirokastër-Kakavije ku qarkullimi i automjeteve, ka qenë i pamundur. Për gati 2 orë, mjetet janë izoluar të qarkullojnë në këtë aks, si pasojë e pushtimit nga ujërat e dala jashtë kontrollit prej përrenjëve nga lartësitë. Zona më nevralgjike, ka qenë ajo pranë varrezave të qytetit pranë fshatit Lazarat në zonën industriale, ku përroi ka dalë nga kontrolli dhe vënë përpara ctë mundte. Policia Rrugore, ka disiplinuar lëvizjet në këtë aks, me qëllim që asnjë automjet mos të kalonte për shkak të furisë dhe forcës që kishin ujërat e përroit. Menjëherë është vënë në lëvizje, Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka angazhuar punonjësit, si dhe automjetet e rënda, për të evaduar inertet e sjella nga lartësitë. Gjendja në orët e mesditës është përmirësuar paksa por vlen të theksohet se kanalet e ujërave të bardha në të gjithë qytetin, kanë dalë jashtë përdorimit dhe kjo si pasojë e ndërhyrjeve që janë bërë kohët e fundit në shtrimin e linjave të ujësjellësit të ri dhe të linjës së tensionit 20 kv. Ndërkaq, Shtabi i Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektit të Gjirokastrës, po menaxhon situatën e krijuar në terren. Probleme ka pasur edhe në pjesën muzeale të qytetit ku rrugët janë përmbytur si pasojë e përrenjve që kanë qenë jashtë disiplinimit. Bashkia nga ana e vet, nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për përmirësimin e situatës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here