Greqi/ 100 euro gjobë për moshat mbi 60 vjeç që nuk vaksinohen

Greqia bën me detyrim vaksinën për moshat 60 vjeç e lart, duke paralajmëruar gjobë për çdonjërin që refuzon. Masa do të zbatohet çdo muaj nga 16 janari e në vazhdim.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur më shumë se gjysmë milioni grekë të moshuar që nuk janë vaksinuar ende.

Është çmimi që duhet paguar për shëndetin“, tha ai.

Rreth 63% e popullsisë rreth 11 milionëshe të Greqisë është plotësisht e vaksinuar. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se ka 520 000 njerëz mbi moshën 60 vjeç që nuk kanë arritur të vaksinohen.

Ne jemi duke i fokusuar përpjekjet tona në mbrojtjen e bashkëqytetarëve tanë dhe për këtë arsye vaksinimi i tyre do të jetë i detyrueshëm tani e tutje”, tha Mitsotakis në një mbledhje të kabinetit.

Grekët mbi moshën 60 vjeç që nuk janë vaksinuar duhet, deri më 16 janar, të rezervojnë një takim për dozën e tyre të parë, ose përndryshe do të përballen me një gjobë administrative prej 100 euro çdo muaj”, i tha Mitsotakis kabinetit të tij.

Një gjobë prej 100 euro është një pjesë e madhe e pensionit mesatar mujor prej 730 eurosh.

Greqia këtë muaj aplikoi pasaportën e vaksinimit, e cila u lejon akses në hapësirat publike vetëm atyre që e kanë bërë vaksinën.

Greqia ka regjistruar 931 183 infeksione dhe 18 067 vdekje që nga fillimi i pandemisë vitin e kaluar.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment