Hapësira , Koha dhe Gjithësia

0
570

Nga MSc.Panajot Çakalli

            Gjithkujt i ka ndodhur në vogëli të hedhë vështrimin kah Qiellit të natës. Të gjithë kemi tentuar të numërojmë yjet të paktën një herë në jetën tonë, edhe pse skemi pasur rezultat final nga përpjekja jonë minore. Ky imazh magjepsës ka mahnitur dhe frymëzuar gjenerata të tëra poetësh, filozofësh dhe shkencëtarësh. Përballë mantelit të zi të natës, shprehja e Sokratit se unë di një gjë që s’di asgjë, merr kuptim të plotë për ne dhe për konceptin që kemi për realitetin. Dhe kështu shtrohet pyetja: “ Çfarë dimë ne për Gjithësinë”? Dimë që s’dimë asgjë!

            Në mënyrë të padiskuteshme zhvillimi i jashtëzakonshëm tekniko-shkencor ka rritur potencialisht aftësitë lexuese të njerëzimit mbi realitetin. Teoria e Relativitetit të Ajnshtajnit, idetë fantastike të Stephen Hawking , arritjet bashkekohore të fizikës kuantike si dhe teleskopët e gjithëfuqishëm të ditëve tona kanë zgjeruar njohjen tonë për botën, por një përmasë e mendimit njerëzor mbeti e pazhvilluar në shek.XX-XXI, gati-gati në fakt e mënjanuar dhe në rrezik vdekjeje : filozofia.

            Shekulli i XX ishte koha e bumit teknologjik, ekonomik dhe “ekstremeve”, siç thotë dhe historiani Eric Hobsbawm, por ishte njëkohësisht dhe periudha e shkatërrimit të metafizikës, e luftës së pandërprerë që vazhdon akoma ndaj mendimit abstract dhe refleksionit filozofik në përgjithësi. Në këtë kuadër , mendimi njerëzor u kufizua. Mendja njerëzore u mediokrizua. Filozofia shikohej si e padobishme. Për çfarë duhet filozofia kur ke i-phone ?! Aspak! Kështu dhe kaq thjesht, njeriu bashkëkohor,  i bën “delete” intelektit të tij. Sot ka marrë fund Homo Sapiens Sapiens (nga latinishtja njeriu iarsyeshëm). Kudo është prezent homo technologicus!

            Një profesor fizike duke parë me habi pasionin tim për filozofinë, më tregonte një anektodë që do të përpiqem t’jua rrëfej shkurtimisht. Na ishte njëherë një filozof dhe një barkëtar. E pyet filozofi barkëtarin:”O njeri i mirë, ti që do më kalosh në bregun tjetër, ç’di ti nga filozofia?” –Asgjë – u përgjigj barkëtari- por meqë je kaq i mençur e i lexuar, të të pyes diçka dhe unë? – Posi jo – i thotë filozofi. – A noton ti ?- e pyet barkëtari. – Jo nuk di! – i përgjigjet filozofi.- Epo në rast stuhie mbahu pas barkës që di të notojë, se ndryshe filozofia nuk të ndihmon të pluskosh mbi ujë dhe të shpëtosh i gjallë.

            Pasi e degjova buzagaz këtë anektodë, i thashë fizikanit: “Sokratin nuk e kujton kush si notar të shkathët, por si mendimtar brilant. Shumë njerëz notojnë dhe disa jo, por të gjithë në fund vdesin. Vdekja në fakt, nuk ka asnjë lloj rëndësie. E rëndësishme është të dish të jetosh dhe të vdesësh. Ky është mësimi i madh që Sokrati i dhuroi njerëzimit me pirjen e kupës së helmimit. Si notar ai do të humbiste në truallin e asgjësë dhe të harresës, por si filozof ai fitoi pavdekësinë dhe një vend të privilegjuar në kuadrin e kujtesës. Buzëqeshi fizikani, por kundërpërgjigje nuk dha! E pra, kush është më eprore: fizika, apo filozofia ? Teknologjia, apo intelekti që e prodhon?!

            Grekët e lashtë më kot akuzohen se nuk e zhvilluan teknologjinë në apogjeun e tyre. Ata i dhanë njerëzimit diçka më të rëndësishme akoma: filozofinë, si përpjekjen e parë për shpjegimin racional të realitetit, një dije që operon vetëm me mendimin, një shkencë shqetësuese, por pa vizionin e së cilës nuk mund të kuptojmë botën. Kozmologët, fizikanët e astronomët, sikundër dhe të gjitha shkencat e tjera operojnë përmes eksperimentit,vëzhgimit, etj, por sa është e mundur të kuptohet Gjithësia përmes këtyre metodave?! Zero në fuqi infinit! Kozmologjia e ka të domosdoshme t’i drejtohet shkencave abstrakte të Logjikës dhe të Matematikës. Por a nuk janë këto disiplina shkenca filozofike? Çfarë qe Talesi, filozofi i parë? Po Pitagora?! Astronomë, matematikanë, apo filozofë?

            Për dyqind vjet me rradhë, filozofi më i madh i kohëve moderne, Georg Wilchelm Friedrich Hegel (1770-1831) u akuzua si sharlatan nga Artur Schopenhauer[1](1788-1860), si spekulant nga Auguste Comte (1789-1857), apo dhe si “marrshim tokësor i Zotit”, sipas Friedrich Wilchelm Nietzche-s[2] (1844-1900). Edhe historiania zviceriane e filozofisë, Jeanne Herch(1910-2000), nuk e vlerëson aq sa duhet “Filozofinë e Natyrës” të Hegelit[3]. Po kështu edhe profesori amerikan i filozofisë Samuel Enoch Stumpf (1918-1998) të njëjtën gjë pohon[4].

                Kam përshtypjen se nëse Karl Marksi (1818-1883) nuk do ta ngrinte ideologjinë e tij mbi hegelianizmin[5], nëse Friedrich Engels (1820-1895) nuk do të kishte shkruar “Dialektikën e Natyrës”[6], nëse Lenini (1870-1924) s’do të bënte Revolucionin Bolshevik që zhyti botën në totalitarizmin më të egër të shek.XX[7], reflektimet inteligjente të Hegelit do të vlerësoheshin më shumë. Sot nuk do të flisnim për Big-Bang-un, si moment i krijimit të Universit tonë, por për Big-Hegelin, për mendimtarin që na dha një model të këtij realiteti përmes sistemit të tij gjigand filozofik dhe saktësisë së koncepteve, domethënë ideve tona racionale.

            Siç thotë vet Hegeli, identiteti është kategoria bazë e të kuptuarit [8]. Gjithë thelbi i hegelianizmit do të mund të përmblidhej te shprehja e shkruar në hyrje të veprës së tij “Filozofia e së Drejtës”:“Çdo gjë racionale është reale dhe çdo gjë reale është racionale” [9].Me pak fjalë, çdo gjë është logjike, gjithçka që ekziston është e arsyeshme. Mirëpo Gjithësia është e zhytur në kontradiksion, si mund të jetë çdo gjë e arsyeshme? Dialektika Hegeliane e zgjidh këtë problem.

            Për filozofin e lashtë grek, Platonin sikundër dhe për sofistët, dialektika ishte “arti  i diskutimit”[10]. Për Hegelin dialektika ishte uniteti dhe lufta e të kundërtave, që të kujtojnë “zjarrin” e Heraklitit[11]. Përplasja dhe lufta e të kundërtave te Hegeli qe produktiv dhe zhvillohej sipas formulës triadike kantiane[12]: Tezë+Antitezë=Sintezë. Si ta kuptojmë këtë lind problemi? I vetmi shans për ta ilustruar më konkretisht abstraksionin e dialektikës hegeliane është modeli matematikor që ka zgjedhur vet Hegeli në kuadër të veprës “Shkenca e Logjikës”. Ne dimë nga matematika që (-a)x(-a)=(+a2)[13]. Me pak fjalë Sinteza nuk është thjeshtë dhe vetëm një shumë e Tezës dhe Antitezës, por një mohim i mohimit, një mohim i dyfishtë[14], një shumëzim i dy vlerave negative që na jep një produkt pozitiv. E njëjta gjë do të ndodhte edhe sikur të shkruanim: (-a)x(-b)=(+ab), e kështu e me rradhë.

            Vet Hegel e fillon analizën e sistemit të tij gjenial me konceptin e qenies. Në triadën e parë hegeliane Qeniaështë Teza, Mos-qenia është Antiteza dhe sinteza e të dyjave është “të bërit”[15]. Është pikërisht kjo përplasje dhe luftë mes Qenies dhe Mosqenies, mes dy koncepteve abstrakte, ajo që përftoi konkreten. Nuk mund të ekzistojë asgjë pa procesin e të bërit, domethënë pa krijimin. Siç na shkruan dhe Zhanë Hersh duke folur për Hegelin, Qenia e Kulluar në logjikën e kulluar është e kundërta e mosqenies, por edhe saktësisht e njëjta gjë[16]. Ashtu sikundër themi që (-a)=(-a), po kështu themi se (-a1)≠(-a2). Sikundër në logjikë, edhe në matematikë gjen zbatim Parimi i Parë i Arsyes: “Çdo gjë që ekziston, është identike me vetveten”[17]. Kështu nga kjo përlasje nisi krijimi i gjithçkaje. Këtu u mbështetën të gjithë kritikët që e akuzuan Hegelin sikur mendonte mendimet e Zotit para Krijimit[18]! Por ç’thotë Teoria Big-Bang për këtë çështje?

            Dihet botërisht formula e njohur e Ajnshtajnit: E=mc2, ku me E shënohet energjia, me m-masa dhe me c-shpejtësia e dritës e barabartë me 300.000 km/s[19]. Pra energjia është masë, sikundër dhe masa është energji. Bombat bërthamore që u hodhën në Hiroshima dhe Nagasaki në fund të Luftës II Botërore i demostruan njerëzimit se nga masa, domethënë nga ndarja e bërthamave atomike të elementeve radioktivë, mund të krijohet një energji e madhe shkatërruese, por edhe e kundërta është po aq e vlefshme. Edhe energjia mund të shndërrohet në masë, domethënë përmes një shpërthimi shumë-shumë herë më të fuqishëm se miliona bomba bërthamore të prodhohej Gjithësia[20].

            Por a nuk është kontradiktore kjo që shkatërrimi të jetë edhe krijues njëkohësisht?! Jo për logjikën dialektike të Hegelit, që dukshëm është mbështetur në këtë kontradiksion të kudondodhur në Natyrë dhe që mendjet e mediokërve nuk e pranojnë: mes fuqive të krijimit dhe të shkatërrimit, forcave  ekzogjene dhe endogjene, dritës dhe errësirës, jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe urrejtjes, e kështu e me rradhë. Nuk mund të kuptohet Teoria Big-Bang pa logjikën dialektike të Hegelit që i jep sens, sepse dialektika është motori i ndryshimit të Realitetit, domethënë  i shumës së gjithçkaje që ndodhet në Hapësirë dhe që zhvillohet në Kohë.

            Kozmogjeneza nisi me “Shpërthimin e Madh”, që sipas disa matjeve dhe përllogaritjeve mendohet se ndodhi 15 miliardë vjet më parë[21]. Në prag të shpërthimit energjia ishte grumbulluar e gjitha në një grimcë, në një thërmijë të vetme, më të vogël dhe se një atom,  me dendësi të jashtëzakonshme, të pakonceptueshme nga ne, disa thonë të pafundme, por mendoj se është ekzaqerim. Nuk mund të ketë densitet infinit për një vlerë të fundme. Disa e krahasojnë densitetin në “pikën zero” me atë të Plankut të përdorur në “Vrimat e Zeza”, c5/hG2, afërsisht 1093 gr/cm3. Me siguri në “pikën zero”, densiteti duhet të ishte edhe më i madh se kaq, pra më i vogël se infiniti dhe më i madh se densiteti i Plankut.

            Fizika e Ajnshtajnit na tregoi natyrën grimcore të dritës[22]. Drita nuk është thjeshtë valë elektromagnetike, ajo është dhe grimcë, me shpejtësinë më të madhe në fakt se çdo thërmijë, apo trup tjetër. Më vonë, zhvillimi i fizikës kuantike na tregoi se për çdo grimcë ekziston edhe një anti-grimcë, për çdo materie ekziston edhe një anti-materie[23]. Mendoni një elektron e që ka një anti-elektron po e. A nuk ju kujton kjo dialektikë barazimin (-a)x(-a)=(+a2) , domethënë triadën e parë të Hegelit?! Ishte kjo luftë mes materies dhe anti-materies që prodhoi Universin tonë, ashtu dhe aq sa e njohim. Universi Ynë jo thjesht zgjerohet, por përshpejtohet[24].

            Disa studiues janë shprehur se ky ishte fillimi i gjithçkaje, pika zero nga u krijua Universi, hapësira dhe koha[25]. A mos ndoshta hapësira dhe koha thjesht nuk ekzistonin para Big-Bang-ut? Por çfarë janë hapësira dhe koha? A duhet detyrimisht të krijoheshin edhe ato bashkë me Universin? Po sikur të ketë dhe universe të tjerë?

            Hapësira nuk është gjë tjetër veçse bashkësia e pikave,  ku mund të ndodhen trupat e ndryshëm[26]. Kjo bashkësi abstrakte nuk duhet të ngatërrohet me atë pikën zero të mbushur me energji që formoi Universin tonë para 15 miliard vjetësh. Po ashtu s’mund të thuhet që Hapësira shtrihet! Vetëm trupat kanë vetinë e shtrirjes. Nëse hapësira do ta gëzonte këtë veti, atëherë do të ishte e kufizuar. Por a mundet dikush të na tregojë kufijtë e hapësirës fizike kozmike?! Kjo është pamundësi absolute, sepse vet hapësira është e pafundme, në vetvete bosh (domethënë e zbrazët e barabartë me asgjë) dhe jashtë objektit të Krijimit. Tërësia e gjithçkaje që ndodhet në të, domethënë e materies së dukshme, lëndës së errët dhe energjisë së zezë[27] është pjellë e Krijimit, por jo vet Hapësiraështë e barabartë me Asgjënë. A mund të thuhet që bashkë me Gjithçkanë u krijua dhe Hiçi? Logjikisht asgjëja ka qenë aty gjithmonë, edhe pa ekzistuar[28].

            Koha si nocion , që me zbulimet e Ajnshtajnit e në vazhdim është përcaktuar si përmasë e katërt, përveç hapësirës 3D të boshteve të Dekartit: XYZ[29]. Por në fakt, konceptin më interesant për kohën e ka dhënë vet Hegeli: “Koha është qenia që në atë që është nuk është, dhe në atë që nuk është, është” [30]. Kur ne pohojmë ekzistencën e kohës, ne në fakt mohojmë qenien e saj konkrete, por kur themi që ajo nuk ekziston, ajo në fakt është prezente, sepse gjithçka zhvillohet në rrjedhën e saj të pandërprerë.

            Shpesh kur flasim për kohën na vjen në mendje një orë me dy akrepa. Po a nuk është Ora në vetvete, si send, shprehje e shtrirë e shenjimit të kohës për rregullimin e përvojës sonë kaotike ? Kohësia, sikundër dhe Hapësira, konceptohet me tre dimensione: të Shkuarën, të Tashmen dhe të Ardhmen. Por Shën Agustini na korrigjon duke na thënë: “Si mund të zvogëlohet dhe të shterrohet e ardhmja që akoma nuk është? Si mund të shtohet e kaluara, që nuk është më?[31]. E në këtë logjikë, nëse e Tashmja është kufi ndarës mes të shkuarës dhe të ardhmes, si vallë mund të ekzistojë një kufi mes dy gjërave që nuk ekzistojnë?! Prandaj dhe kohësia absolute është përjetësia [32].

            Mirëpo Teoria e Relativitetit të Ajnshtajnit provoi me fjalë të thjeshta se hapësira përkulet nga graviteti i trupave dhe se koha ngadalësohet nëqoftëse lëvizim me shpejtësinë 0.9c, dmth me një shpejtësi të afërt me atë të dritës[33]. Por kjo nuk do të thotë se koha apo dhe hapësira mund të shkatërrohen. Si mund të shkatërrohet vallë hiçi hapësinor, apo  qoftë edhe vet përjetësia kohore? Pamundësi absolute! Ndoshta do jetë e mundur ndonjë ditë ëndërra për “makinën e kohës”[34], por kurrë nuk do jetë e mundur të shkatërrohet vet Koha si e tillë.

            Ajnshtajn na mësoi se çdo trup “përkul” hapësirën ku vendoset[35]. Sigurisht kjo gjë varet nga masa e trupit. Sa më e madhe të jetë masa, aq më e madhe edhe përkulja. Por pyetja që lind natyrshëm në këtë moment është: Si mund të përkulet asgjëja? Gravitacioni Universal është ai që i “mban” trupat[36]. Për ta kuptuar, Ajnshtajni e paraqiti këtë fushë gravitacionale si një një membranë. Nëqoftëse në këtë membranë do të vendosnim një trup çfarëdo, membrana do të lakohej. Kështu një trup tjetër që lëviz në këtë fushë, lëviz sipas vijës së lakuar e jo sipas vijës së drejtë, që do të ndiqte në mungesë të fushës[37]. Pra, nuk përkulet hapësira, por fusha gravitacionale.

            Kështu pra, disa trupa jashtëzakonisht të rëndë, me dëndësi të jashtëzakonshme janë të aftë të tërheqin gjithçka që kalon pranë tyre. Këto trupa njihen botërisht si “Vrima të Zeza”. Kolapsi gravitacional ka bërë që në to rënia e lëndës drejt qendrës të vazhdojë pafundësisht. Shpejtësia e rënies arrin atë të dritës. Për pasojë, asgjë nuk mund të dalë, apo të shkëputet prej saj, as edhe vet drita. Këto gropa të zeza që gëlltitin gjithçka dhe nuk lëshojnë asgjë janë formuar si pasojë e shkatërrimit të yjeve që janë tre herë më të mëdhenj se masa e Diellit tonë[38]. Po sa të tilla ka në Gjtihësi? S’do mend që një numër shumë i lartë. Por sasia nuk është aq e rëndësishme sa cilësia.

            Vërtetësia e Teorisë “Big-Bang” dhe prezenca e “Vrimave të Zeza” na tregojnë vazhdimësinë e pafundme të raportit dialektik mes krijimit dhe shkatërrimit. Sot Universi ynë po zgjerohet me shpejtësi. Por a keni menduar se do të vijë një ditë edhe procesi i kundërt, kur ai do të kthehet sërish në pikën zero? Teoria dhe praktika pajtohen për fatin e Universit tonë. Pika zero ishte praktikisht një “Vrimë e Zezë” me dendësi gjigande. A ka fund ky proces dialektik i krijimit dhe shkatërrimit? Po aq sa ç’ka shpresë që pas luftës do të vendoset një paqe e përhershme. Domethënë kjo është një pamundësi absolute. Këtu nuk flasim për thjesht 15 miliard vitet e fundit, apo 15 miliard vitet e ardhshme, por për vet përjetësinë e pambarimtë, Kohën e përjetshme, që rrjedh në mënyrë ciklike siç na pohonin grekët e lashtë, tamam si lëvizja e pandërprerë e akrepave të orës në mur.

            Por a është e mundur të ekzistojnë dhe universe të tjerë paralelë me tonin? Teorikisht po, por shkenca ende nuk ka mundur t’i evidentojë. E vetmja indicie është që Universi Ynë që po përshpejton zgjerimin, njëkohësisht edhe “shtypet”. Prandaj shkencëtarët në këtë rast, në vend të termit Univers, përdorin nocionin “Multi-univers”, duke u shprehur në shumës. Ç’model ka ky “Multi-Univers”? Imagjinoni se në hapësirë dhe në kohë nuk ka ndodhur vetëm një “Shpërthim i Madh” siç na thotë Teoria “Big-Bang”, por miliona, ose miliarda shpërthime gjigande. Universi Ynë u zgjerua dhe po zgjerohet me shpejtësi tamam si një flluskë sapuni. Përfytyroni në mendjen tuaj një membranë (fushë gravitacionale), në të cilën gjënden të gjitha këto flluska pjella të shpërthimit. Besoj se e kuptoni çfarë do të ndodhte nëse ato do të përplaseshin… Ky është imazhi që përfytyron shkenca moderne[39].

            Ajo që të tërheq vëmendjen është se “universet”, sikundër dhe trupat në fizikën  e Ajnshtajnit, shikohen të shtrirë në një fushë elektromagnetike. Menjëherë në këtë moment të vjen në mendje koncepti i shumë popujve të vjetër e të rinj se Bota, domethënë Gjithësia është e “sheshtë”. Dhe vet ideja e Krijimit të Botës nga asgjëja është ide biblike e njohur[40].  Nuk ka dyshim që Librat e Shenjtë nuk zbritën me ashensor nga Qielli, por u shkruan nga njerëzit me frymëzim hyjnor, siç do të thoshte një teolog. Për pasojë ato nuk janë libra shkencorë, por prej tyre, përveç mësimeve mbi moralin, për kohën kur janë shkruar, ato na tregojnë një imazh pak a shumë të saktë të realitetit që ne jetojmë edhe sot.

            Njerëzit e lashtësisë sigurisht që nuk e njihnin fizikën e Ajnshtajnit, por mesa duket njihnin nga pak realitetin që frymëzimi hyjnor u jepte disa të zgjedhurve. Nuk mund të mendohet që Bibla e shkruar në Antikitet të fliste gravitetin që u zbulua shkencërisht vetëm në Kohën Moderne vetëm me zbulimet e Galileut[41] dhe të Njutonit[42]. Librat e Shenjtë flasin me metafora për përshkrimin e realitetit. Por mesa duket, siç na thotë dhe Dekarti, në këtë “dialektikë” mes fesë dhe shkencës një gjë është e sigurt: Zoti ekziston[43]! Cognito ergo sum[44].


[1] A.Shopehauer, Bazat e Moralit, (Përktheu: Ilirjana Angoni), Tiranë: “Plejad”, 2017, f.134

[2] F.Nietzsche, Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për jetën, (Përktheu: Vullnet Muço), Tiranë: “Fan Noli”,2012, f.89

[3] Shih: Zhanë Hersh, Habia Filozofike,(Përktheu: Artan Fuga), Tiranë: “Dituria”,1997, f.181-182

[4] S.E.Stumpf, Filozofia-Historia dhe Problemet , (Përktheu: Kastriot Myftiu, Paqësor Shehu), Tiranë: Toena, 2000, f.319

[5] Shih: Karl Marks, Rreth Kritikës së filozofisë hegeliane të së drejtës, Tiranë: “8 Nëntori”, 1970 ; Karl Marks, Mjerimi i filozofisë. Përgjigje “Filozofisë së Mjerimit” të Z.Prudon, Tiranë: “8Nëntori”, 1978

[6] F. Engels, Dialektika e Natyrës, Tiranë: “8Nëntori”, 1981

[7] Leon Poliakov,Totalitarizmat e shekullit XX-Një dukuri historike e kapërcyer?, (Përktheu:V.Koka). Tiranë: Botime Përpjekja, 2010, f.20

[8] G.W.F.Hegel, Phylosophy of Nature, vol.I, (Edited and translated with an introduction ans explanatory notes by M.J.Petry), New York: “Humanities Press”, 1970, f.201

[9] G.W.F.Hegel, Phylosophy of Right, (Tranalated by S.W.Dyde), Kitchener: “Batoche Books”,2001, f.18

[10] Gjergj Sinani- Fatmira Myteberi, Hyrje në Filzofi , Tiranë: “SHBLSH”, 2008, f.13

[11] Zhanë Hersh, Habia Filozofike, vep.e cit., f.178

[12] Imanuel Kant, The Critique of Pure Reason, (Translated by J.M.D.Meiklejohn), Pennsylvania: “A Penn State Electronic Classics Series Publication”, 2010,  f.262-263

[13] G.W.F.Hegel, The Science of Logic, (Translated and edited by George di Giovanni), Cambridge: “Cambridge University Press”, 2010, f.374

[14]Zhanë Hersh, Habia Filozofike, vep.e cit., f.181

[15] G.W.F.Hegel, The Science of Logic, vep. e cit., f.59

[16] Zhanë Hersh, Habia Filozofike, vep.e cit., f.179

[17] Gjergj Sinani- Fatmira Myteberi, Hyrje në Filzofi , vep.e cit., f.109

[18] Zhanë Hersh, Habia Filozofike, vep.e cit., f.174

[19] A.Gorana-I.Paluka-M.Naqo-N.Thamo-N.Xhepa-R.Bezhani-Z.Mulaj, Fizika 4, Tiranë: “Dita2000”, 2006, f.64

[20] Shih dokumentarin “The Birth of Univers” në: https://www.youtube.com/watch?v=2OpbdMjvni0

[21] Vasil Kristo-Skender Sala, Gjeografia 10, Tiranë: “Ideart”,2017, 11

[22] Bilal Shkurtaj-Jorgo Mandili-Mentor Kusho-Mersin Shenaj-Niko Thomo-Petrit Aliko-Zinete Shehaj , Fizika, Tiranë: “SHBLU”, 2004, f.277

[23] A.Gorana-I.Paluka-M.Naqo-N.Thamo-N.Xhepa-R.Bezhani-Z.Mulaj, Fizika 4, vep. e cit., f.135

[24] Po aty, f.184

[25] Shih dokumentarin“Seeing the beginning of Time” në: https://www.youtube.com/watch?v=KpV-VEv3VUE&t=2201s

[26] A.Gorana-I.Paluka-M.Naqo-N.Thamo-N.Xhepa-R.Bezhani-Z.Mulaj, Fizika 4, vep. e cit., f.41

[27] Po aty, f.184

[28] Shih: G.W.F.Hegel, The Science of Logic,vep.e cit., f.83

[29] Kristaq Kikina-Ilir Vardhami-Luljeta Gjoni , Njehsimi diferencial dhe integral, Tiranë: “SHBLU”, 2004, f.5

[30] Shih:G.W.F.Hegel,Phylosophy of Nature,vol.I, vep. e cit., f.229

[31]But how is the future diminished or consumed when it does not yet exist? Or how does the past, which exists no longer?”. Augustine, Confessions, (Translated and edited by: Albert Outler), Dallas: 1955, f.170

[32] G.W.F.Hegel, Phylosophy of Nature, vol.I, vep. e cit., f.231

[33] A.Gorana-I.Paluka-M.Naqo-N.Thamo-N.Xhepa-R.Bezhani-Z.Mulaj, Fizika 4, vep. e cit.,  f76

[34] Stephen Hawking-Leonard Mlodinow, A Briefer History of Time, New York: “Bantam Dell”, 2005, f.77

[35] Peter Hoyng, Relativistics Astrophysics and Cosmology: A Primer, Berlin: “Springer”, 2006, f.11

[36] Mersin Shena-Bilal Shkurtaj-Jorgo Mandili, Mekanika, Tiranë: “SHBLU”, 2004, f.212

[37] A.Gorana-I.Paluka-M.Naqo-N.Thamo-N.Xhepa-R.Bezhani-Z.Mulaj, Fizika 4, vep. e cit., f76

[38] Peter Hoyng, Relativistics Astrophysics and Cosmology: A Primer, vep. e cit., f.109

[39] Shih dokumentarin : Parallel Universe: Is There Another “You”?  në linket e mëposhtme: https://www.youtube.com/watch?v=aY64G_i6nbg dhe https://www.youtube.com/watch?v=GcgWU5JZu10

[40] Libri i Zanafillës 1:1 nuk e pohon tekstualisht këtë, por interpretimi i tekstit na ka çuar në këtë konkluzion.

[41] Andi Pinari-Llambro Filo, Historia e Europës dhe SHBA Koha e Hershme Moderne (1500-1815), Tiranë: “Ideart”, 2007, f.65

[42] Karl Grinberg-Ragnar Svanstroms, Historia Botërore dhe Qytetërimi, vol7, (Përktheu: Miço Gubera), Tiranë: “UEGEN”, 2004, f.193-194

[43] R.Dekart, Bisedë për Metodën, (Përktheu:Vangjel Koça), Tiranë: Botimet “Elena Gjika”, 1997, f.34

[44] Nga latinishtja: “Unë mendoj, pra jam”. Po aty, f.32

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here