Harta e re gjyqësore/ KLGJ diskutime me ‘Drejtësinë’, priten konsulta me KLP dhe ‘Financat

Propozimi për shkrirjen e 10 gjykatave në vend dhe krijimin e një Gjykate Apeli, ka vënë në lëvizje instancat. Së fundmi, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zhvilluar një takim konsultë me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja.

Të pranishëm në takim me ministrin e Drejtësisë kanë qenë kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami dhe zv.kryetari Maksim Qoku. Manja ka dhënë detaje nga takimi teksa thekson se pas diskutimeve me Ministrinë e Drejtësisë, KLGJ do të zhvillojë konsulta me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe grupet e interesit.

“Me Kryetaren dhe Zv/Kryetarin e KLGJ-së, znj. Naureda Llagami dhe z. Maksim Qoku, na ka bërë bashkë diskutimi mbi draftin e Hartës së Re Gjyqësore.

Diskutimet konstruktive mes Ministrisë së Drejtësisë dhe KLGJ-së për të dakordësuar një propozim të përbashkët të Hartës së Re Gjyqësore, e më pas konsultimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe grupet e interesit në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 98/2016 janë të hapura për të adresuar çdo merak që ka të bëjë me:

a) garantimin e aksesit në drejtësi, që lidhet me afërsinë e individit në marrjen e shërbimeve gjyqësore;

b) uljen e kostove, me qëllim përdorimin me efektshmëri të burimeve publike;

c) rritjen e cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve të ofruara,” shkruan Manja në Facebook.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment