Hesapet e Edi Ramës, me jetën dhe vdekjen!

0
158

Nga Poli Hoxha                                                                                                               

Gjatë një takimi “gju më gju me popullin” në Lezhë, Edi Rama, në përpëlitje për t`ju shmangur pyetjes së një “anonimi” aty i cili ja tha troç se nuk kanë punë, rrugë, shkolla dhe se “shëndetësia falas” është vetëm për pushtetarët, rrëfeu për herë të parë edhe një “paranojë” të tijën; ai e ka gjithmonë vdekjen në mendje dhe imagjinon, se çfarë do të ndodh me atë vetë pas saj.

Në vend që të jepte përgjigje për problematikat, që ngriti qytetari (fshatari më saktë, sepse as qumështin nuk shiste dot), Rama me nerv ju kundërvu duke treguar, se sa shumë vuan ai duke punuar si kryeministër!

Ky ka qenë një moment, kur kushdo që e dëgjonte ka menduar i tmerruar, se super vila në Surrel është një burg i sigurisë së lartë, Mercedesi 300 mijë euro me të cilin lëviz është një qere, të cilën mezi e tërheqin nëpër Shqipëri gomerë të lodhur; vera e cila kushton 3000 euro shishja që e pi sa herë shtrohet me Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin dhe Ardian Çelën e OSHEE, është uthull; çitjanet e Yamamota që kushtojnë 962 paund dhe atletet e fundit ADIDAS, janë brekushe fshatarësh e opinga të sajuara me tel…

“Dhe për të bërë këtë punë e për ta bërë si duhet, ka një kosto që ty nuk ta rrok mendja. Ka një kosto familjare, ka një kosto të madhe shpirtërore, ka një kosto të madhe fizike dhe është një punë që ka një peshë mbi kokë dhe mbi supe, që po nuk e provove, nuk e kupton. Kështu që është e drejta jote dhe e drejta e shumëkujt që të mendojë se këtu jemi të gjithë njësoj. Por për sa më takon mua, unë e kam pasur të qartë që kur kam qenë shumë më i ri e nuk kam qenë në këtë punë, që në fund, dy metra dhe` mbeten”, tha Rama duke bërë që të varfër e të pasur të Shqipërisë të mbushin sytë me lot, për këtë “martir” të gjallë të popullit të vet.

Vdekja si akt natyror dhe dilema, se çfarë do të ndodh pas saj, që kur u shpik shkrimi nga sumero-babilonasit ka qenë një nga temat më fondamentale, që ka përndjekur njerëzimin. Mbreti Gilgamesh i cili i kishte të gjitha mbi këtë tokë, kaptoi male të pafund në kërkim të përjetësisë.

Perënditë e Olimpit i dhanë Akilit, dy mundësi; ose të jetonte pafundësisht dhe emri i tij të harrohej; ose të ishte vdektar me një jetë tokësore plot heroizma dhe vepra të mëdha, ndërsa pas vdekjes emri tij të ngelej përjetësisht. Ai zgjodhi këtë të fundit, prandaj edhe ne ja kujtojmë emrin edhe në këtë shkrim, pas 2800 vitesh dhe kështu do të ndodh pafundësisht, sa të ketë humanoidë në këtë planet.

Të gjithë vdektarët që kanë ngelur të përjetshëm, në mënyra të ndryshme e kanë pasur një mision, kudo që kanë qenë. Ai ka qenë global, rajonal, vetëm për një popull, apo një fshat a një fis. Dikush është bërë i përjetshëm, se ka shkatërruar e vrarë, dikush tjetër sepse ka ndërtuar dhe ka çuar përpara fshatin, qytetin, atdheun e tij apo gjithë njerëzimin.

Edhe Edi Ramës si shumë të tjerëve, që nga Qershori i vitit 2013 ju dha një mundësi e tillë në këtë cep të vogël të botës, prej 28 mijë kilometra. Por në mendjen e tij, “dilemën akiliane” duket se ai e ka zgjidhur me postulatin vulgar dhe fatalist që përdorin të gjithë frymorët, të cilët nuk mundin të shohin përtej vetvetes; “Të gjithë dy metra vend, do të marrim pas vdekjes!”.

Në fakt nuk është dhe nuk ka shans, që të jetë kështu. Përveç “dy metrave tokë`”, kur “perënditë” të ngarkojnë një mision në të gjallë duke të bërë Zot të një hapësire dhe njerëzve që jetojnë aty, të kanë rezervuar njëkohësisht edhe një vend të sigurt në faqet e përjetshme të historisë; botërore, apo qoftë edhe të një cepi të vogël si Shqipëria.

Këngët heroike të Akilit, plaku i verbër Homer i mblodhi pas qindra vitesh, nga populli “anonim”.

Anonim dhe i paemër do mbetet edhe lezhiani për historinë, por bëmat që ai i “këndoi” Ramës si kryeministër, nuk ka vdekje që i shuan dot!

“Ju jeni Zoti Nr. 2 se i pari është në qiell…s’të ndjeva duke folur, për fshatin, bujqësinë, qumështin që e japim e s’marrim lekë fare. Edhe për shëndetësinë e di që s’është falas, nëse është për ju, për popullin e për njeriun e thjeshte është me lekë, shumë bile, ose vdes ai që s’ka lekë. Profesionistat janë në shpi, e të paaftit në punë. Fshatari s’ka rrugë, s`ka punë, tokën e kanë marrë të ardhurit, ne kemi tokë sa për të mbijetuar. Këto prona që jemi pronarë, s’na i njeh kush. Pak kryeministra mendojnë për popullin dhe njeriun e thjeshtë…”.

Kjo është përjetësia, që po i gatuan vetvetes Edi Rama me gjithë projektin e tij. Në këto fjalë do të “rilind” ai brez pas brezi, nëse nuk e kupton sa nuk është vonë, se në çfarë rruge e ka futur vendin.

“Dy metra dhe`” pas vdekjes natyrisht që i takojnë edhe Edi Ramës, si të gjithëve ne frymorëve të tjerë.

Por kur “perënditë” të japin një mision, nuk mund t`ja hedhësh dot paq vetëm me kaq. Dhe kjo vlen për të gjithë, “të përzgjedhurit”!

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here