I infektuar me COVID, shuhet regjisori i njohur Muharrem Fejzo

0
136

Kinematografia shqiptare është sot në zi pasi ka ndërruar jetë një nga regjisorët më të njohur. Muharrem Fejzo ka humbur jetën pas komplikacioneve të shkaktuara nga COVID-19.
Lajmin e trishtë e ka dhënë djali i tij, Joe Fejzo me anë të një postimi në rrjete sociale.
“Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e stë dhashë dot një got uje, nuk mertiton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës” , shkruan ai.
Muharrem Fejzo u shua në moshën 87 vjeçare. Ai lindi në Kolonjë në vitin 1933. Bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë pasi kreu studimet në degën e aktrimit nga pasioni i madh që kishte për kinemanë. Muharrem Fejzo kontribuoi edhe si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.
Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.
Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.
Ai mbante titullin “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i madh”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here