“Il Fatto Quotidiano”: Prishja e Teatrit ngre hije dyshimi për negociatat me BE

0
161

Parlamenti shqiptar votoi një ligj special për të shembur Teatrin Kombëtar, një ndërtesë e viteve ‘30. Në vend të tij vjen projekti i një arkitekti danez i kritikuar fort nga artistët, opozita dhe qytetarët. Janë të rënda akuzat për përfitim nga politika e partneritetit publik-privat (i kritikuar nga FMN dhe që ngre dyshime mbi negociatat me BE-në) për të nxjerrë fitime të dyshimta.

Nga Tiziana Collut*

“Zemra” e Tiranës rrezikon të zhduket nga goditjet e ruspave dhe ligjeve speciale. Nevojitet hapësirë për ndërtime të reja, pikërisht aty, në atë pak vend që ka mbetur nga qendra historike e kryeqytetit shqiptar. Por shkatërrimi i Teatrit Kombëtar i epokës së fashizmit nuk është vetëm një çështje historie. Në lojë është edhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Akuzat e rënda të një spekulimi nga më klasikët, në një kornizë ligjesh që ka bërë “të fusë hundët” edhe FMN-ja.

Më 9 korrik parlamenti votoi një ligj special për të shënuar “vdekjen” e Teatrit Kombëtar, mes protestave të artistëve shqiptarë, opozitës parlamentare dhe pjesës më të madhe të qytetarëve të Tiranës. Kanë më pak se 3 javë për të bindur Presidentin e Republikës, Ilir Meta që të refuzojë këtë dispozitë.

Teatri që është dhe “papioni”

Fillimisht u zvogëlua kopshti i Giulio Bertè (1935), i shkatërruar në 2011-ën. Më pas stadiumi monumental i projektuar nga Gherardo Bosio (1939-1941) u shkatërrua vitin e kaluar dhe tashmë Teatri Kombëtar i mbetur nga të vetmet dëshmi të arkitekturës së periudhës italiane.

Të gjitha të shkatërruara. E thoshte këtë edhe Indro Montanelli që në 1939-ën: “Tirana është një qytet esencialisht modern, pothuajse i shpikur. Në kohën e tij ai ka vetëm dy masa: Të tashmen dhe të ardhmen. E shkuara nuk ekziston”.

“E reja” avancon sërish dhe po bëhet një plagë për të gjithë Shqipërinë. Në kryeqytet, Kombëtari duhet të zëvendësohet nga një Teatër i ri, pranë kullave të destinuara për të tjera gjëra, siç edhe e ka projektuar, Bjarke Ingels Group, një nga studiot më të njohura të arkitekturës moderne në botë i cili ka zbarkuar nga Kopenhagën në Tiranë i thirrur direkt nga qeveria.

Teatri Kombëtar nuk është një vend çfarëdo. Pak hapa larg nga Sheshi Skënderbej (edhe ky i dizenjuar nga Bertè) realizuar në 1938-ën me kanonet tipike të arkitekturës racionaliste ai Teatër ka pasur shumë jetë duke konservuar stilin e tij. Pavarësisht përshtatjeve dhe braktisjes mbeti një pol shumë jetëgjatë.

“Është padyshim një pjesë e rëndësishme e historisë së Tiranës së ‘900-ës dhe një arkitekture të mbijetuar nga një Luftë Botërore dhe nga një diktaturë e gjatë e vendosur përballë fashizmit. Kaq do të mjaftonte – thotë Artur Nura, një gazetar shqiptar i Report TV – për të thënë se ndërtesa është një trashëgimi tashmë e njohur nga i gjithë komuniteti italian dhe shqiptar. Do të duheshin zgjidhje teknologjike të mirëmbajtjes për të siguruar çdo ndërtesë për ta ruajtur origjinalitetin e saj”.

Si për kryebashkiakun Erion Veliaj, edhe për kryeministrin Edi Rama, artist dhe ish-qytetar i parë i kryeqytetit, struktura është e degraduar dhe është e pavlefshme çdo tentativë për ta restauruar. Sipas tyre materialet e përdorura janë të rrezikshme dhe do të bënin më të lehtë shkatërrimin sesa ndërhyrjen për restaurim.

E megjithatë, ai Teatër, siç përcaktonte 10 vjet më parë Politecnico në Bari, ka vlerë të madhe historike dhe dokumentuese edhe për teknikën e ndërtimit të përdorur, e cila sheh përdorimin e çimentos përzier me fibra Aspen dhe alga (i njohur si “populit”), përzierje e shpikur në kohë autarkie.

Në vendin e Kombëtarit, do të ndërtohet “flutura”. Arkitektët e Big kanë parashikuar një strikturë të re në formë papioni, të ndarë në 3 ambiente, nga të cilat një auditorium kryesor, një sallë koncertesh dhe një për spektakle. Ka edhe një amfiteatër në tarracë, një backstage me pamje nga ana veriore dhe vetrata xhami në atë jugore. Projekt magjepsës i monitoruar edhe nga ArtTribune. Por a nuk mund të realizohet diku tjetër?

“Sipas kundërshtarëve politikë dhe sociale – shpjegon Nura – është dëshira e qeverisë në detyrë për të monopolizuar zemrën e Tiranës me ndërtesa futuristike të gjeneratës së fundit. Sigurisht që për këto ndërtime, siç është edhe ndërtesa e re në formë papioni, hapësirat për t’i rigjallëruar dhe rikonstruktuar si në periferi ashtu dhe në qendër janë të shumta. Madje ndërtesat e konsumuara nga koha janë edhe më të shumta”.

Spekulime?

Lindita Çela, gazetare investigative e Birn Albania, bën pak llogari. “Qeveria thotë se nuk i ka paratë për të ndërtuar një teatër të ri, që ka një kosto të madhe. Për këtë do të japë tokën publike ku ngrihet godina aktuale, një kompanie private me çmimin 470 euro për një metër/katror. Në atë zonë të qendrës çmimet shkojnë në 2 mijë euro metri/katror. Projekti shtrihet në 9 mijë metra/katror. Në këmbim, kompania private, përveç teatrit do të ndërtojë edhe 4 kulla të tjera”.

Ai që e ka propozuar këtë projekt publik-privat është Fusha shpk, ku pronari “Shkëlqim Fusha – shpjegon Çela – është kushëri me ish-shefin e Prokurorisë së Tiranës që në 2017-ën mbylli një hetim bashkisë dhe kreut të saj Erion Veliaj. Vitet e fundit kompania ka fituar mjaft gara publike të financuara nga qeveria”.

Investimi i llogaritur, sipas asaj që i referohet ministri i Financave Arben Ahmetaj është mbi 30 milionë euro. Akuza nga artistët shqiptarë është se Teatri i ri është një “Kalë Troje”. Pra, ai është një shfajësim për kullat që do të kenë hapësira hoteli, qendra tregtare dhe shërbimesh.

“Natyrisht, kompania nuk vjen të ndërtojë Teatrin dhe të falimentojë” – ka qenë një nga përgjigjet e kryeministrit Edi Rama për këtë temë. Është e tija edhe politika e 3P-ve, Partneritet-Publik-Privat.
Kjo, një mënyrë për të nxitur investimet në vepra të mëdha publike pa kryer shpenzime momentale. Janë privatët që vendosin paratë, në thelb, me avantazhe të shumta pasi u jepet mundësia të marrin punë të tjera publike dhe private.

Një politikë si “Projekti 1 miliard euro” përfundoi vitin e kaluar në shënjestrën e FMN-së që këshilloi qeverinë Rama të mos firmoste kontrata të reja për shkak sepse ato ishin bërë pa pasur më parë një analizë të qartë të shpenzimeve dhe fitimeve.

Siç e pranoi publikisht edhe drejtori i FMN-së për Tiranën, Jens Reinke, “kuadri institucional për trajtimin e koncesioneve nuk është i përshtatshëm”. Një rrugë që i mban ato në këmbë është edhe “propozimi i pakërkuar” ndryshe nga gara në tender. Privati avancon me iniciativën e tij dhe nëse pranohet nga qeveria realizohet nëpërmjet një bonusi që ai merr duke kapërcyer rregullat e konkurrencës. Edhe për Teatrin, ajo e Fushës ishte një “ofertë e pakërkuar”.

20 ditë për tu menduar dhe pesha e negociatave me BE-në

Jeta e Teatrit është në duart e Presidentit Meta. Ai ka 20 ditë kohë duke nisur nga 9 korriku për ta refuzuar ligjin special të aprovuar nga parlamenti me 75 vota pro pas një maratone prej 12 orësh dhe protestave të artistëve jashtë sallës. Besim te Meta ka partia e tij, LSI-ja që së bashku me formacionin tjetër opozitar, PD-në e qendrës së djathtë votuan kundër.

Edhe mazhoranca humbi pjesë. Ajo nuk pati mbështetjen e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko që kërcënoi me dorëheqje. Teatri, për më tepër nuk është një çështje e brendshme. Akuza për thyerje të normave evropiane të konkurrencës peshon, për më tepër që pritet të nisin negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. ©marrë nga “IlFattoQuotidiano”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here