Ilir Meta në këto 25 vjet aktive në politikën pluraliste, ka treguar se është edhe më pluralist se pluralizmi. Është politikani që urrehet më së shumti nga grupimet militanteske të dy partive kryesore, por që njëkohësisht prej një dekade shihet edhe si shpresë për ta në momentet e tyre të pashpresa.

Ilir Meta është politikani i kapërcimeve të mëdha që më pragmatizmin e tij është njëkohësisht edhe i urryer edhe i pranueshëm në rast nevoje, për të ngjyrosur me pak qetësi polarizimin maksimal te jetës politike të vendit nga dy partitë e mëdha. Por ky “status” nuk ka vetëm benefice, ka edhe kostot e veta.

Nga viti 2005 e në vazhdim, shprehja “ma thanë ata të rrugës së Elbasanit” është zëvendësuar gradualisht me shprehjen: “ma thanë këta te LSI-së”.

Ky është kulmi politik dhe njëkohësisht problemi për Ilir Metën. Duket se ju ka hyrë ndërkombëtarëve në biznesin e ndërmjetësit, qetësuesit, përfituesit, etj. Quajeni si të doni, por problemi i Ilir Metës është s’postimi i vëmendjes nga këshillat e “Rrugës së Elbasanit” tek pragmatizmi i “Godinës lëvizëse të LSI-së”.

Dhe ky duket të jetë “krimi” që ka bërë më shumë se homologët e tij Ilir Meta. Është bërë faktor ndërmjetës, pse jo dhe përcaktues. E ky që nga fillimi i pluralizmit, ka qenë biznesi i ndërkombëtarëve. Është më mirë apo më keq, këtë nuk di ta them. Por mund të them se ne vazhdimisht flasim për të mirat e produkteve “Bio”. Dhe ja tek kemi një “ndërmjetës bio”. Tipik shqiptar, më të mirat dhe veset e veta.

Po ndërmjetësit ndërkombëtar? Kanë avantazhet e tyre, por duhet të pranojmë se që të gjithë falë “dashurisë” shqiptare, janë shqiptarizuar shumë shpejt. Madje ka prej tyre që kanë pohuar se po lënë Shqipërinë me kokën nga të ftuarat e studios së Arian Çanit, ashtu siç mund të ketë të tjerë që kur të ikin do ju ngel koka pas nga studio e Ballës.

Po çfarë ndodhi dje dhe sot?

Edi Rama pasi i bëri të qartë para dy ditësh Ilir Metës se detyra e tij nuk ishte të gjente konsensusin por të provokonte opozitën, dje ka tentuar të josh nga Durrësi Agron Dukën e “PAA” nëpërmjet Tom Doshit. Ky fakt duket e ka qartësuar përfundimisht Ilir Metën se Edi Rama e ka seriozisht jo vetëm me provokimin e opozitës por edhe atë të “LSI-së”.

Sot Ilir Meta vendosi të flasë vetë, jo nëpërmjet Petrit Vasilit.

“Miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues dhe i lodhshëm e i rrezikshëm për të ardhshmen dua të them se rruga më e mirë do të jetë rruga e miratimit të një qeverie ekspertësh për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme. Unë jam gati të jap dorëheqjen nga kryetar parlamenti nëse kjo shërben, ministrat e LSI të heqin dorë nga qeveria” tha Ilir Meta duke sfiduar së pari “rrugën e Elbasanit” e më pas dy partitë e mëdha. “Rrugën e Elbasanit” si ndërmjetëse dhe PS-PD duke i paralajmëruar se do të futet e vetme në zgjedhje. Më pas rezultati i sovranit do vendos për koalicionin e ri. Dhe kësaj radhe as socialistët e as demokratët nuk mund ta akuzojnë se e gënjeu bazën e tyre duke ju marrë vota. Sot socialistë e demokratë e dinë se godina e LSI-së është lëvizëse. Nuk është stoike. Emri vërjani si të doni, “ndërmjetësuese”, “qetësuese”, “përfituese” apo “pragmatiste”.

Ata që e kanë akuzuar si pragmatist pa parime, janë përfituesit më të mëdhenjë të pragmatizmit të tij prej tre vitesh.

“Unë i kam dhënë fjalën ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit se do të bëj çdo përpjekje për ta realizuar reformën sipas Venecias dhe ai më ka kërkuar të bëj gjithçka në këtë drejtim. Jemi në një situatë kritike për vendin dhe vendi ka rrëshqitur në destabilitet për hiç gjë. Rama, Basha, bashkë me ta unë si kryetari i Kuvendit dhe me ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin, duhet të mbyllemi në kuvend për ta zgjidhur këtë çështje. Nëse mbyllemi dhe nuk gjejmë zgjidhje duhet të ikim ne nga politika dhe ata nga diplomacia” pohoi më poshtë Ilir Meta duke u vetë-përfshirë në përgjegjësi, i gatshëm të marrë kostot e dështimit. Por duke i ftuar në kostomarrje edhe konkurrentët në biznesin e ndërmjetësimit, ndërkombëtarët. Sikundër është e qartë se nuk ka ndërmend të kalojë një reformë që i kthen ambasadorët nga diplomatë në gjyqtarë e prokurorë dhe as ti lejojë Ramës llokma të tjera pushteti pas abuzimeve që ka bërë me ato që posedon aktualisht.

Në fund Ilir Meta pasi gjeti “rilindjen” e tij si faktor politik, kujtojmë që prej tre vjetësh ishte kthyer në patericë politike duke deleguar fuqinë e tij politike tek Edi Rama, bëri një propozim për një lojë të ndershme duke ju vetëofruar gjykimit:

“Nuk ka kompromis nëse shkohet në takime duke thënë se me këtë reformë do të shkosh ti në burg. Kompromisi fillon duke thënë; jam unë i pari që do shkoj në burg nëse kam shkelur ligjet. Reforma nuk mund të jepet me koncesion”.

Por si arsye e fundit nga radha, por ndoshta e para nga rëndësia për këtë rebelim të Ilir Metës, janë sondazhet e fundit.

Ilir Meta duke parë rënien drastike mbi vlerësimin e qeverisë “Rama”, duket se ka vendosur të dal nga një varkë që po mbytet e që prej tre vjetësh po lundron falë marinarëve të LSI-së, por gjithmonë me timonier Edi Ramën.

Ilir Meta me qëndrimet e sotme pohoi se nuk ka ndërmend të ndajë kostot e dështimeve të vendimeve ekskluzive të Edi Ramës.

Prandaj sot foli Meta dhe jo Petrit Vasili me Luan Ramën./SYRI.NET

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment