Improvizoi vjedhjen e një shume parash/ Arrestohet 32-vjeçari në Gjirokastër

Policia e Gjirokastrës, pas njoftimit të marrë mbrëmjen e datës 27.11.2021, nga shtetasi S. M., se disa persona i kishin hyrë në banesë dhe i kishin marrë 200.000 lekë, kanë organizuar punën në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

 Si rezultat i punës hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe rezultoi se shtetasi Stilian Muha  ka bërë njoftim të rremë, duke improvizuar ngjarjen e grabitjes së shumës së parave.

 Po nga hetimet rezultoi se ky shtetas është i implikuar në veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 300 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe një armë gjahu që e mbante pa leje.

 Në vijim të veprimeve është proceduar penalisht edhe shtetasi A. M., babai i shtetasit S. M.

 Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, “Njoftimi i rremë në organet e rendit“ dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment