INSTAT/ Shqiptarët lënë 385 milionë euro në vit nëpër lokale

0
144

Sipas INSTAT, i cili publikon konsumin final -të familjeve sipas grupeve kryesore, në 2018-n, viti i fundit kur janë në dispozicion të dhënat, shpenzimet totale për grupin e bare restorante e hotele ishin 47.8 miliardë lekë, ose rreth 385 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord dhe duke u rritur me 11% në raport me vitin e mëparshëm.

Ndonëse të varfër, shqiptarët nuk kursehen për kafe dhe vit pas viti, shpenzimet janë rritur, të nxitur dhe nga ardhjet e turistëve të huaj. Nga 2014-a, rritja ka qenë e shpejtë, siç duket edhe nga grafiku.

1 / 1

Shpenzimet për kafe, restorante e hotele përbëjnë 3.7% të konsumit gjithsej. Shqiptarët shpenzojnë për kafe e restorante e hotele, më shumë sesa për arsimin, apo për pije e duhan, sipas INSTAT.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT numri i aktiviteteve që ofronin shërbim të pijeve arriti në 14,776 gjatë vitit 2018, duke u rritur me 4% në raport me një vit më parë, pas një rënieje në vitin e mëparshëm.

Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në të dhënat e Eurostat mbi numrin e aktiviteteve të shërbimit të pijeve dhe numrit të popullsisë, numri i bareve në Bashkimin Europian në vitin 2017 nuk ishte më i lartë se 115 bare për çdo 100 mijë banorë.

Në vend të parë për sa i përket numrit të bareve në BE renditet Portugalia, e cila kishte 427 bare për çdo 100 mijë banorë.

Në top 5 vendet me numrin më të lartë pas Portugalisë, është Spanja me 392 bare për 100 mijë banorë, Greqia me 343, Kroacia me 240 dhe Italia me 211.

Nga ana tjetër, numrin më të ulët ndër vendet e BE-së dhe vendeve kandidate për t’u anëtarësuar e ka shënuar Serbia, ku sipas të dhënave të Eurostat dhe përllogaritjeve të “Monitor” në raport me popullsinë kishte vetëm 9 bare (aktivitete të shërbimit të pijeve) për 100 mijë banorë.

Kafete e restorantet përbëjnë 16% të ndërmarrjeve në ekonomi, punësojnë rreth 50 mijë individë. Sektori është ndër më të rëndësishmit për punësimin, duke u krahasuar me industrinë e tekstileve e këpucëve, që ka gjithsej rreth 55 mijë të punësuar. 64% e atyre që punojnë në bare e restorante janë meshkuj.

Ndërsa në vend numërohen rreth një mijë hotele, por informaliteti mbetet i lartë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here