Ja sa TVSH do paguajë biznesi i vogël, fitimet përgjysmohen

0
190

Deklaratat publike të zyrtarëve tatimorë në këto ditë të debatit të nxehtë për çështjen e TVSH-së tek biznesi i vogël, e kanë vënë theksin se futja në skemën e TVSH-së të bizneseve të vogla nuk do ketë asnjë ndikim tek ata, apo tek çmimi final për konsumatorin”, pohon Armand Mala, kontabilist. Edhe terminologjia e përdorur (do ju rimbursohet TVSH-ja) ka shkaktuar jo pak konfuzion tek ky grup i biznesit. Mala shton se bëhet fjalë për një tatim si TVSH dhe të thuash që nuk do paguhet asnjë qindarkë taksë më shumë, përveçse nuk ke thënë një të vërtetë, ke zhbërë totalisht nocionin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pasi lind pyetja ku shkoi vlera e shtuar, mos vallë këta tregtarë po shesin pa fitim?

“Nëse me rimbursim i referohen kreditimit të TVSH-së nga faturat e blerjeve, kjo është mëse e qartë nga vetë fjala TVSH. Por, a mjafton ky kreditim për të thënë që nuk do paguhet asnjë taksë? Absolutisht që jo!”. Në rrjedhën e këtij debati, kontabilisti Mala jep një shembull konkret.

Në analizën e “Monitor” është shembulli i një servisi që operon në Tiranë. Për vitin 2017, ky subjekt ka realizuar shitje (shërbimin e servisit të ofruar) në vlerën 3,600,000 lekë. Gjatë vitit 2017 nuk ishte i regjistruar në skemën e TVSH-së Ky subjekt ka realizuar një qarkullim prej 3,600,000 lekësh dhe një fitim vjetor neto 969,000. Ky fitim i përkthyer në një pagë mujore është 80,750 lekë/muaj (969,000/12). Nëse ky subjekt nuk do ndryshonte asgjë për sa u përket shitjeve dhe strukturës së kostove edhe në vitin 2018, normalisht nuk do rriste as çmimet.

Pra, në rastin se i njëjti subjekt do ishte në skemën e TVSH-së, edhe pse ka realizuar të njëjtën xhiro prej 3,600,000 lekësh dhe ka ruajtur të njëjtat shpenzime, fitimi vjetor ra nga 969,000 lekë në 451,000 lekë, që nëse sërish do e përkthejmë në një pagë mujore është vetëm 37,583 lekë/muaj. Në realitet, fitimi do jetë akoma më i ulët, pasi mbajta e kontabilitetit do e rëndojë me kosto ekstra këtë subjekt. Për informacion, diferenca 969,000-451,000, shkoi për të paguar TVSH-në (6000,000-46667-35333)=518,000.

“Trumbetimi se futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së bëhet vetëm për të formalizuar më tej biznesin e madh dhe jo se do rëndohet biznesi i vogël është i pavërtetë”, thotë Mala. “Nëse vërtet synimi do ishte formalizimi i biznesit të madh, kjo bëhej thjesht vetëm duke e detyruar biznesin e vogël të deklarojë të gjitha blerjet në sistemin tatimor për të lejuar sistemin të bëjë kryqëzimin e faturave, por pa i ndryshuar përgjegjësitë tatimore”.

Tatimet
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vazhdon vizitat informuese në terren, trajnimet e dedikuara, si dhe asistencën në Këndet e Biznesit të Vogël, në të gjithë vendin për subjektet që janë përfshirë në skemën e TVSH-së. Deri tani janë zhvilluar trajnime për 2,027 subjekte. Sesionet e trajnimeve janë parashikuar të vazhdojnë deri në fund të muajit qershor. Ato janë konceptuar për t’u ardhur në ndihmë të gjitha bizneseve të vogla, sipas shtrirjes së tyre gjeografike.

Në total janë parashikuar 100 sesione. Gjithashtu, punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve kanë realizuar në mbarë vendin 4,037 vizita informuese në terren. Gjatë takimeve “ballë për ballë” me biznesin e vogël, punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve shpërndajnë fletëpalosje, si dhe materiale të tjera informuese të nevojshme.

Gjithsej numri i vizitave në terren është llogaritur të jetë në 10,000. Ndërsa te Këndi i Asistencës 2,953 biznese të vogla kanë marrë informacione në lidhje me të gjitha hapat që do të duhet të ndiqen në vijim. Administrata Tatimore vazhdon të shprehë gatishmërinë për të ofruar të gjithë asistencën e nevojshme si në mjediset e veta, ashtu edhe në ato të biznesit për të informuar në mënyrë të saktë dhe të drejtë mbi detyrimet ligjore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here