Kapitullim total

0
142

Nga Red Varaku

Ajo çka nuk bën vaki askund tjetër në raste të tilla të emergjencës së jashtëzakonshme, është paaftësia totale e shtetit për tu përballur me situatën dhe sulmet nën brez të kryeministrit ndaj Opozitës.

Pa llogaritur këtu shfaqjen banale të një kryeministri, që sillet si viktimë në sytë e publikut, duke e shfytëzuar me djallëzi këtë fatkeqësi, për të riparuar imazhin dhe popullaritetin e tij, i cili ka kapur nivelin më të ulët historik.

Është e paimagjinueshme, që në raste të tilla, në një sallë që thuajse ia kishim harruar pamjen, kryeministri nuk pushon së dërdëllituri për veten dhe kundër ‘armiqve’ të tij imagjinarë.

Ndërkohë, që Opozita ka mobilizuar të gjitha forcat e veta për t’u solidarizuar me komunitetet e familjet në nevojë.

Përveç mobilizimit të njerëzve e mbledhjes së ndihmave në ushqime e ilaçe, e vetmja gjë që ka kërkuar Opozita që kryeministrit çuditërisht i duket politike është kërkesa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, një akt që nuk ka asnjë lidhje me të bërit politikë, por lidhet vetëm me ardhjen në ndihmë të këtyre qytetarëve.

Gjjthsesi, nervozizmi i kryeministrit është i kuptueshëm është tërësisht i justifikuar, sepse kjo situatë e ka nxjerrë lakuriq të vërtetën se shteti ka kapitulluar plotësisht. Madje kapaciteti menaxhues i qeverisë ka dështuar edhe në nivel propagandistik, sepse vetë qeveria është dorëzuar dhe i ka lënë njerëzit në mëshirë të fatit dhe nuk ka ‘piar’ ta marrë përsipër riparimin e kësaj situate.

Sigurisht, situata të tilla janë sfidë e madhe për çdo shtet, po janë edhe teste të qarta që e vënë në provë seriozisht kapacitetin menaxhues të qeverisë. Kjo emergjencë zbuloi se shteti është në kapitullim total.

Ky shtet është i shkatërruar pikërisht nga reformat e dêshtuara të këtij kryeministri të papërgjegjshëm, nga tejmbushja dhe politizimi i tejskajshëm i administratës, nga paaftësia skandaloze në drejtim e menaxhim.

Ai ka degraduar në pikën, që nuk arrin dot të planifikojë dhe të zgjidhë asgjë në situata si kjo.

Kjo emergjencë zbuloi se strukturat e specializuara për të përballuar emergjenca humanitare si kjo janë shkatërruar pêr shkak se ato janë katandisur në zyra punësimi për militantët ,pa asnjë qëllim tjetër përveç vjedhjes së parave të publikut për të paguar militantë të partisë.

Por,në vend që ulë kokën dhe të kërkojë ndjesë për këtë situatë të rëndë ku e ka degraduar shtetin, ky kryeministër në mënyrë krejt të pacipë, sulmon opozitën kur ajo thjesht po bën detyrën e saj.

Në vend që të kërkojë ndjesë për këtë kapitullim total të shtetit, i gënjen shqiptarët për angazhim mjetesh dhe strukturash për të cilat qeveria shqiptare nuk ka asnjë meritë, por janë thjesht ndihmë zemre nga vëllezërit tanë Kosovarë dhe nga vende te tjera.

Në vend që të kërkojë ndjesë, ky kryeministër jo vetëm që nuk pranon asnjë përgjegjësi, por çmenduria e tij shkon deri aty sa akuzon edhe vetë Zotin për pabesi.

Kur në fakt njeriu më i pabesë i këtij populli, është vetëm ai, sepse e ka lënë atë plotësisht në mëshirë të fatit.

Përpjekja e shëmtuar e tij, që në këtë ditë zie kombëtare të ngërdheshet para ekraneve dhe të flasë me cinizëm për Opozitën, në kushtet kur vendi ndodhet në emergjencë humanitare, është shumë shqetësuese dhe alarmante dhe dëshmon edhe njëherë rrezikshmërinë e moralit të këtij njeriu, i cili nëse nuk izolohet, do të vazhdojë të mbetet fatkeqësia më e madhe e këtij vendi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here