Kapitullimi i qeverisë, për të menaxhuar situatën tek Kodra e Shtufit

0
155

Nga Roland Bejko

Edhe pse kanë kaluar tre ditë nga e shtuna e reshjeve të rrëmbyeshme, ende asnjë ndërhyrje serioze nga ana e Qeverisë për largimin e dheut, hapjen e kanaleve kulluese të ujrave të bardha dhe ndërtimit të barrierave për ndalimin e rrëshqitjes së mëtejshme të baltës mbi pallatin te Kodra e Shtufit në Gjirokastër që rrezikohet seriozisht të shembet.

Ndoqa me vëmendje reagimin e qytetarëve të cilët u shprehën se ende asnjë masë nuk është marë për largimin e baltës nga pallati i tyre. Asnjë shenjë për zbatimin e detyrave të lëna nga specialistët e gjeologjisë për parandalimin e tragjedisë në rast të përsëritjes së reshjeve në ditët në vazhdim.

Prefekti ushtarak si përfaqësues i qeverisë ka ngritur duart përpjetë. Balta e Kodrës së Shtufit ju a stufoi propagandën mediatike. Askush nuk po i përtyp më fjalët e bukura dhe premtimet boshe. Qytetarët duan aktin, punën, ndërhyrjen, zgjidhjen.

Prefekti luan kungulleshkën me Kryetaren e Bashkisë duke ja lënë përgjegjësinë e menaxhimit asaj. Haron që është kryetsr i shtabot të emergjencave të Qarkut.

Bashkia ka njoftuar se është e pafuqishme për të ndërhyrë në një rast të tillë. Nuk ka as mjete, as financa, ndaj i ka kërkuar ndihmë Qeverisë për ndërhyrje si rast emergjent. Qeveria është përgjigjur me fjalë të bukura, por me asnjë veprim konkret. Skrepi që Bashkia Gjirokastër ka dërguar sot aty, është i pamjaftueshëm.

Një pjesë e banorëve e kalojnë natën në apartamentet e tyre në pallatin e tmerrit duke mos pranuar ofertën e Bashkisë për tu strehuar në konvikt.

Në këto kushte, u bëj thirrje deputetëve socialistë të Gjirokastrës dhe ministres Kumbaro ti kërkojnë Naltmadhënisë së tyre të dërgojë mjete e fonde për të përmbushur rekomandimet që kanë lënë specialistët e gjeologjisë për të parandaluar një tragjedi të mundshme.

I bëj thirrje Prefektit dhe Kryetares së Bashkisë ti lënë cic micet me njëri tjetrin, por të informojnë nëpërmjet mediave qytetarët dhe veçanërisht banorët mbi të gjitha masat e mara, apo për ato që do ndërmerren në ditët në vazhdim. Transparenca e pushtetit është detyrim ligjor. Mosinformimi është shkelje e ligjit, sidomos në kushtet e emergjencave.

Moti nuk do ketë mëshirë për papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e Qeverisë.
Këtë e dëshmoi rrëzimi i urës së Hoshtevës e cila e nxori cullak si të paaftë Ministrinë e Kulturës në mbrojtjen e monumenteve të kulturës.

Prandaj ndërhyni shpejt. Bëni detyrën tuaj, paçka se jeni jo legjitimë sepse siç edhe tha një banore e atyshme me zë dhe figurë në kushtet e dëshpërimit e të panikut: ” QEVERITARËT VIJNË KËTU VETËM KUR NA BLEJNË VOTAT, PASTAJ NUK I SHIKOJMË GJËKUNDI”.

Qeveritarë, ndërhyni sa nuk është vonë se në rast të ndonjë fatkeqësie nuk do gjeni vrimë ku të futeni. Boll më me fjalë të bukura e dorën në supe të hallexhinjve të përmbytur, para kamerave.

Po ju vëzhgojmë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here